Mosmiratimi i këshillit kulturor rrezikon fondet për kulturën

12/01/2012 - 23:15

Adrian Gurra, drejtori i Kulturës në Bashkinë e Durrësit
<p>Adrian Gurra, drejtori i Kulturës në Bashkinë e Durrësit</p>

Përgjegjësi i kulturës në bashki, Adrian Gurra, shprehet se mos aprovimi i emrave që do të jenë pjesë e këshillit të kulturës ka krijuar një vakuum që mund të ndikojë negativisht në projektet kulturore. 

Prej mëse dy muajsh miratimi i këshillit të ri kulturor mbetet peng i këshillit bashkiak. I futur në rendin e ditës, si një nga pikat që do të kalonin për shqyrtim që në mbledhjen e këshillit bashkiak të muajit nëntor, këshilli kulturor ende nuk ka mundur të marrë mandatin që do t’i jepte mundësinë të ushtronte aktivitetin e tij jo ne mënyrë të reduktuar siç po bën tani, por me kompetenca të plota. Prej më se dy muajsh, këshilltarët e së djathtës i kërkojnë administratës së bashkisë që paraqesë një relacion të punës së bërë nga këshilli i mëparshëm. Madje, në njërin rast, këshilltarët e djathtë braktisën sallën duke lënë pa miratuar edhe një pikë tjetër që ishte në rendin e ditës, atë të listës me emrat e personave, që do të përfitonin nga banesat sociale të ngritura nga bashkia Durrës. Nga ana e tyre këshilltarët e majtë, pretendojnë se të djathtët nuk kërkojnë realisht paraqitje të relacionit për punën e bërë nga këshilli i mëparshëm, por sipas tyre kjo është një taktikë e shumicës për të ndryshuar disa nga emrat, që janë aktualisht pjesë e këtij këshilli. Kompetenca për të propozuar emrat, anëtarë të këshillit të kulturës, i përket administratës së pushtetit vendor. Adrian Gurra, përgjegjësi i kulturës në bashki, në një intervistë për gazetën “Dyrrah”, e lidh këtë qëndrim të të djathtëve me mosrënien dakort me emrat e propozuar për të qenë pjesë e këtij këshilli. Sipas tij, mosfunksionimi i këshillit kulturor, prej disa muajsh, ka krijuar një vakuum në veprimtarinë e zakonshme të këtij organizmi, ndërkohë një problematikë më vete përbën fakti se nga mos funksionimi i  këshillit kulturor nuk mund të ndizet drita jeshile për projektet artistike që do të miratohen për këtë vit. Gurra nënvizon faktin, se nëse bllokimi do të vijojë gjatë, fondet për kulturën mund të digjen, ndërkohë që kjo gjë do të krijojë një impakt negativ në komunitetin e artistëve, të cilët nuk do të përfitojnë mbështetjen financiare për projektet e tyre.   

Bllokimi dhe mosfunksionimi i Këshillit të Kulturës çfarë pasojash negative ka sjellë për zbatimin e projekteve kulturore në qytet, pasi kujtojmë këtu që dhe koncerti i përvitshëm me rastin e Vitit të Ri nuk u zhvillua pikërisht për këtë arsye?

Po! Është e vërtetë kjo që ju përmendni në lidhje me mosfunksionimin e këshillit të kulturës. Për hir të së vërtetës dhe për të qenë më të saktë ai ka funksionuar, por me një autoritet të reduktuar për shkak të pamundësisë së tij për të përmbushur misionin parësor që ka; vendimmarrjen për kalendarin vjetor të veprimtarive artistike. Ky bllokim nuk lidhet me ndonjë shkelje të rregullores së këshillit apo me ndryshime në rendin e tij të brendshëm, por me mosrënien dakord me emrat e propozuar nga ana jonë për t’u miratuar. Mosmiratimi i këtyre emrave, që janë figurat dhe vlerat më të shenjuara të artit e kulturës, ka sjellë në të njëjtën kohë atë vakuum në vitin që sapo lamë pas.

Rasti që ju kujtoni me të drejtë, është një ndër pasojat e mungesës së mandatimit të këtij këshilli, ndonëse Bashkia, nëpërmjet elementëve të tjerë, bëri të mundur edhe këtë vit që t’i japë një përmasë qytetare dhe publike festimeve tradicionale të fundvitit.

Si do ta vlerësonit punën e këshillit kulturor të mëparshëm?

Ju e dini shumë mirë se ai këshill ka autorizuar veprime pozitive, nisma me impakt publik, që i kanë krijuar prej disa kohësh një fizionomi të veçantë qytetit tonë. Meqë ju më kërkoni të shprehem se si do ta vlerësoja punën e këshillit të mëparshëm, nuk do të matesha dy herë për të thënë me plot gojën se e vlerësoj me notën maksimale punën, maturinë dhe profesionalizmin e tij për të ruajtur barazlargim ndaj gjithë faktorëve konkurrues duke vepruar me kompetencë artistike, kulturore dhe mbi të gjitha intelektuale.

 

30 milion lekë janë akorduar për kulturën nga bashkia e Durrësit, e për këtë këshilltarët demokratë kanë kërkuar që të bëhet transparenca e shpërndarjes së fondeve nga këshilli i mëparshëm, si dhe të mos lihet shteg për keqadministrimin e financimeve. Këshilli kulturor vepron si një organizëm vendimmarrës, ku në morinë e projekteve që paraqiten para anëtarëve të tij përzgjidhen më të mirët, ose ato që fitojnë me shumicë votash. Shpërndarja e fondeve për secilin projekt bëhet nga ky këshill. Aktualisht kësaj strukture konsultative i ka përfunduar afati

11 anëtarë janë në përbërjen e këshillit kulturor të Durrësit. Sipas propozimit të bashkisë, këshilli duhet të ketë në përbërje të tij këta anëtarë: Gjergj Vlashi, shkrimtar, përkthyes; Fatos Kulla, gazetar i njohur, i lidhur me qarqet e artit dhe kulturës; Aishe Stari, aktore e mirënjohur e skenës së Durrësit e jo vetëm; Gjergj Prevazi, koreograf i njohur; Lutfi Hoxha, aktor; Shpresa Beqiri, piktore e njohur; Afrim Hoti, arkeolog; Adrian Gurra, përgjegjësi i kulturës në Bashkinë e Durrësit; Agron Ismailati, trajner; Met Dervishi, shkrimtar, pedagog; Hajg Zaharian, kompozitor

A ka pasur ankesa nga komuniteti i artistëve për ndarjen e fondeve të kulturës dhe sa diskutohen këto projekte me grupet e interesuara para se të nisin të zbatohen?

Mund t'ju them me siguri se megjithëse është e vështirë të gjesh marrëveshje në Shqipërinë e sotme, ky këshill ka funksionuar si organizëm kolegjial, me solidaritet, shpesh i njëzëshëm, për shkak të dakordësisë së anëtarëve, shprehur kjo edhe në momentin e vendimmarrjes. Shumë nga potencialet kulturore, që përbëjnë atë që ju e cilësoni “grupe të interesuara”, ndjehen të përfaqësuar përmes nismave dhe projekteve të tyre në këtë kalendar vjetor veprimtarish dhe ajo që unë mund të pohoj me zë të plotë është se në këtë këshill kemi zbatuar përfaqësim të denjë të vepruesve durrsakë në fushën e kulturës, duke mos pasur kritere përjashtuese. Nuk kam konstatuar të ekzistojë ndonjë problem midis intelektualëve durrsakë dhe këshillit, ndonjë antagonizëm mes tyre, por ekziston një kundërveprim absurd, totalisht i pashpjegueshëm, për të kufizuar veprimin e këshillit në lidhje me funksionin që i është ngarkuar të ushtrojë.

Sipas jush edhe sa kohë mendohet të vazhdojë bllokimi i këshillit kulturor dhe a po mendon administrata e bashkisë ndonjë zgjidhje në mënyrë që të zgjidhet ngërçi mes këshilltarëve të majte e të djathtë lidhur me këtë çështje?

Kam propozuar në këtë këshill disa nga emrat më në zë dhe personalitetet më të shquara të veprimit kulturor në Durrës duke u përpjekur në këtë mënyrë të lë jashtë përfilljes time vëmendjen që dikton politika. Kjo është pjesë e rëndësishme dhe po aq e vështirë e detyrës sime. Në të kundërt, ajo që po ndodh, nisur nga këndvështrimi im, është një gjë e paparashikuar, e pashpjegueshme dhe pa arsye. Prandaj e kam të vështirë të them një afat.

A rrezikojnë fondet për kulturën të mos akordohen, nëse vazhdon për një kohë të gjatë mosgjetja e një zgjidhjeje të pranueshme nga palët për këshillin e kulturës?

Sigurisht që rrezikohen. Por më shumë se nga ky rrezik i druhem faktit se mungesa e vullnetit për të votuar këtë këshill, do të sjellë humbjen e besimit nga forcat krijuese, vendase apo të huaja qofshin, të cilat kanë parë te ne partnerin serioz, të predispozuar dhe efikas, në zbatimin e politikave të përbashkëta kulturore.

Nëse do t'i bënit një vlerësim jetës kulturore në qytetin e Durrësit, si do ta vlerësonit atë? A ka hapësira për të bërë më shumë?

Unë mendoj se Durrësi meriton më shumë dhe të gjithë ne duhet të bëjmë më shumë për shëndetin kulturor dhe intelektual të qytetarëve. Hapësirat janë, por së bashku, duke bërë secili me përkushtim dhe korrektesë punën e tij, mund t’i kthejë ato në të shfrytëzueshme dhe në favor të përmirësimit të klimës kulturore të qytetit.

 

STRUKTURA

Emrat e propozuar për këshillin e kulturës

Këshilli kulturor i Durrësit është një strukturë konsultative e përbërë nga emra të njohur të artit dhe kulturës, që ka për detyrë të miratojë projektet artistike që do të mbështeten me fondet e Bashkisë Durrës. Këshilli kulturor vepron si një organizëm vendimmarrës, ku në morinë e projekteve që paraqiten para anëtarëve të tij përzgjidhen më të mirët, ose ato që fitojnë me shumicë votash. Shpërndarja e fondeve për secilin projekt bëhet nga ky këshill. Aktualisht kësaj strukture konsultative i ka përfunduar afati, prandaj del domosdoshmëri miratimi i emrave të rinj. Këshilli kulturor ka në dorë shpërndarjen e rreth 30 milion lekëve të akorduara për kulturën nga bashkia e Durrësit, e për këtë këshilltarët demokratë kanë kërkuar që të bëhet transparenca e shpërndarjes së fondeve nga këshilli i mëparshëm, si dhe të mos lihet shteg për keqadministrimin e financimeve. Këshilli kulturor i Durrësit, sipas propozimit të bashkisë, duhet të ketë në përbërje të tij 11 anëtarë; Gjergj Vlashi, shkrimtar, përkthyes; Fatos Kulla, gazetar i njohur, i lidhur me qarqet e artit dhe kulturës; Aishe Stari, aktore e mirënjohur e skenës së Durrësit e jo vetëm; Gjergj Prevazi, koreograf i njohur; Lutfi Hoxha, aktor; Shpresa Beqiri, piktore e njohur; Afrim Hoti, arkeolog; Adrian Gurra, përgjegjësi i kulturës në Bashkinë e Durrësit; Agron Ismailati, trajner; Met Dervishi, shkrimtar, pedagog; Hajg Zaharian, kompozitor.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Nën tingujt e këngëve franceze, mbrëmjen e 23 qershorit është zhvilluar koncerti "Festa e Muzikës" në Durrës.

Regjisori italian Franco Zeffirelli është ndarë nga jeta në moshën 96 vjeçare.

Hapësira nënujore e bregdetit shqiptar ka një trashëgimi kulturore nënujore shumë të pasur, e cila nëse do të dokumentohej, certifikohej

Violinisti i madh durrsak Florian Vlashi njofton në faqen e vet në FB se, së bashku me kompozitorin e shquar durrsak Haig Zacharian, do t

Qemal Vrioni është një figurë interesante intelektuale e Durrësit.

Një thesar me monedha argjendi i zbuluar në Durrës [në vitin 2006?].

Durrsaku Loer Kume është shpallur fituesi i madh i “Çmimit Kadare” për vitin 2019.

*Pas 18 vitesh punë, duke inventarizuar dhe restauruar mbi 6 ton terakota, monedha dhe enë qeramike të zbuluara në Durrës në

Mjeshtri i madh i skenës, një prej themeluesve të teatrit “Aleksandër Moisiu”, Lutfi Hoxha, ka mbushur 85 vjeç.