Dy artiste të reja, nxënëse në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” të Durrësit u prezantuan këto ditë para artdashësve në një koncert të përbashkët.

Motrat instrumentiste Eugenia dhe Alisa Kristani interpretuan në odeonin “Nikolin Xhoja” të qytetit bregdetar me një program të përgatitur me kujdes edhe nga pedagogët respektivë, Roland Xhoxhi  dhe Adriana Frashëri.

Pianistja Alisa Kristani, erdhi mjaft e sigurtë në Suitën Prelud nga kompozitori fracez Claude Debussy (1862 – 1918). Nxënësja maturante, që ka një teknikë mjaft të mirë interpretimi fitoi duartrokitjet e të pranishmëve, të cilët vlerësuan edhe muzikalitetin e lojës së saj në piano.

Eugenia Kristani, megjithëse vetëm 13 vjeç, kishte zgjedhur dy vepra të vështira nga literatura e kompozitorit belg Charles Auguste de Beriot (1802 – 1870).  Nxënësja e klasës së shtatë, e shoqëruar në piano nga mësuesja Kamela Hoxholli i mati fillimisht forcat me koncertin nr 9, op. 104, si dhe pjesë nga skena e baletit op 100 .  Eugenia Kristani shpalosi talentin e saj, si dhe pasionin për të ardhmen në instrumentin e violinës, duke fituar edhe vlerësimin e publikut të pranishëm.

Shkolla artistike “Jan Kukuzeli” në Durrës njihet në shkallë vendi për cilësinë e artistëve që janë përgatitur në bankat e saj që prej 60 vitesh.

G.K.