Nga Gëzim KABASHI

“Muzika dhe Vena, një harmoni e përkryer” është tema që ka përzgjedhur këtë vit violinisti Florian Vlashi dhe ekipi organizator i Bienales “Netët e Muzikës Klasike 2019”, që do të startojë sot në Durrës dhe do të vijojë deri më 7 gusht. Soprano e mirënjohur Inva Mula, e shoqëruar nga pianisti Genc Tukiçi dhe grupi instrumental “Shekulli i XX” do të hapë edicionin e nëntë të Bienales me pjesë nga Giacomo Puccini, Giuseppe Verdi, Pietro Mascagni dhe Alfredo Catalani.

Aktiviteti që ka nisur në vitin 2003 ka mbërritur në edicionin e nëntë të tij-tha drejtori I përgjithshëm I festivalit Haig Zacharian, duke kujtuar se çdo dy vjet në pikat arkeologjike dhe qendrat historike të qytetit antik janë interpretuar vepra muzikore të autorëve vendas dhe të huaj. Edicioni i këtij viti bashkë me instrumentistët e njohur do të ndalet te harmonia e Muzikës me Venën, siç ka dashur ta quajë Florian Vlashi, jo vetëm për ta veçuar nga stina e nxehtë, por edhe për të ruajtur ngjyrën e dialektit durrsak-shton kompozitori Zacharian.

Zgjedhja, prezantimi dhe degustimi i verërave nga kantinat lokale dhe ato nga Spanja, Italia dhe Gjermania, do të bëhet nga somelierë gjithashtu vendas dhe të huaj si Luis Paadin, Alejandro Paadin, Dashamir Elezi e Jorgji Toska. Një bashkëpunim shumëplanësh dhe një përvojë e re për Bienalen, thotë Haig Zacharian në rolin e drejtorit të festivalit, teksa nënvizon edhe bashkëpunimin me znj Nevila Dudaj dhe stafin e hotel Adriatik.

Duke kërkuar të jetë sa më konçiz në përkufizimin e harmonisë Muzikë-Venë të këtij edicioni, themeluesi I Bienales Florian Vlashi shprehet: Duam të dëshmojmë se vera është kulturë, art dhe histori, si dhe një nga treguesit e mirëfilltë të qytetërimit, sipas Hemingëay-t; degustimi I verërave pas çdo koncerti prezantuar nga ekspertë të njohur si dhe nga artiste; 7 premiera shqiptare drejtuar nga dirigjenti Petrika Afezolli dhe nje spanjolle shkruar enkas për tematikën e festivalit; muzika baroke franceze aq pak e njohur; muzikantë të rinj shqiptarë me karrierë ndërkombëtare si Zamir Kabo, Juliana Laska e Daniel Vlashi; “Sax- Ensambel Madrid” grupi më i njohur në Spanjë ne llojin e tij bashkë me "Grupo Instrumental Siglo XX";  programi "Kryqëzime udhësh" mbi pelegrinazhin Shqipëri-Compostela, program i porositur nga Institucionet Kulturore të Spanjës si kembim ndërmjet dy vendeve; “Katër Stinet” e Vivaldit në Amfiteatrin Romak  me Daniel Vlashin solist, 30 vjet pas premierës shqiptare në të njejtin qytet si dhe mbremja me sopranon e famëshme shqiptare "diamantin e artit shqiptar" Inva Mula e pianistin Genc Tukiçi që është njëherësh dhe hapja e Bienales.

Pa harruar këtu dhe Konkursin e Talenteve të Rinj-e mbyll fjalën e tij shteruese Florian Vlashi, i cili bashkë me stafin ka hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve.