Skeptikët shprehen se Universiteti Mesjetar i Durrësit ka qenë një keqkuptim termi, por studimet bashkëkohore kanë vërtetuar se emërtimi i përdorur për Universitetin e Durrësit e përcakton atë si të tillë dhe jo thjesht si një shkollë teologjike të krishterë.

Nga Dorian Hatibi

Ai duhet të ishte guri i diamantit në kurorën e historiografisë shqiptare, por rreth ekzistencës së tij ka shumë skepticizëm. Ndjesi të kundërta të krijuara nga arsye objektive apo subjektive. Diku me baza ideologjike dhe diku si pasojë e dyshimit të shëndetshëm shkencor.

Sot as Akademia e Shkencave në Tirane dhe as Akademia e Shkencave në Prishtinë nuk janë shprehur në lidhje me këtë subjekt. Në disa intervista mediatike historian të shquar e kanë mohuar ekzistencën e një Universiteti Mesjetar në Durrës. Diku ai është quajtur një “histori folkloristike” dhe diku tjetër “një gabim në përkthim”.

Puna vështirësohet edhe më shume kur nuk gjenden evidenca arkeologjike të një institucioni të tillë në qytet. Por si qëndron puna me Universitetin Mesjetar të Durrësit?! A ka ekzistuar ai vërtetë? Apo është një mashtrim, një delir… një teprim entuziast dhe i pafajshëm?!

Burimet historiografike

Tek vepra themelore e ilirologjisë dhe e albanologjisë, “Iliricum Sacrum”, dy autorët Danjel Farlati dhe Jakob Koleti fusin të parët në historiografi informacionin mbi ekzistencën e një shkolle në Durrës.

Ata e quajnë “Instituti i Shën Dedës”, pra Instituti i Shën Domenikut. Aty thuhet se ky institut kishte 9 profesor (latinisht “magjistër”) në teologji. Dy autorët e lidhin këtë me ndërtimin e Manastirit të Shën Domenikut, i cili nisi aty nga viti 1224, duke nisur së funksionuari vetëm nga fillimi i viteve 1300.  

Vetë autorët e “Iliricum Sacrum” i referohen disa dokumenteve më të vjetër në fakt, të cilat kanë dalë në dritë së fundmi dhe madje disa prej tyre janë të aksesueshme nga publiku i gjerë. Këto janë: Regjistrat e famshëm të Urdherit Domenikan të përmbledhura në veprat, “Acta Capitulorum generalium Ordinis Praedicatorum”, “Acta Canonizationis S. Dominici” dhe tek “Declerationes et Ordinationes Capitulorum Generalium Scari Ordinis Fratrum Praedicatorum”, ku disa herë përmendet ‘Studium Generale’ i ‘Durachii’-t apo Dyrrhachiumit.

Kërkimet moderne

Duke ju referuar kërkimeve moderne për herë të parë në gjurmët e universitetit në vitet’ 80 bie një historian kroat, Stjepan Krasić. Duke gërmuar në arkivat e Kuvendit Domenikan të Raguzës, ai ndeshi një dokument i cili fliste për një “Studium Generale” në Durrës, në fund të shekullit të XIV.

Pavarësisht staturës së tij të madhe si një historian i shquar dhe i dekoruar madje me “Red Danice Hrvatske (medalje që e mbajnë të gjitha figurat e mëdha të kulturës kroate), ai është pjesë e urdhrit fetar katolik të Domenikanëve dhe kjo ka ngritur disa pikëpyetje.

Mendjet skeptike panë këtu një konflikt interesi, i cili minonte objektivitetin e zbulimit. As fama e historianit dhe as besueshmëria i tij në botën akademike nuk e shuajti zjarrin e dyshimit.

Në fillim të viteve’ 90, ndërkohë që Kosova ndodhej nën represionin e dhunshëm serb, një historian dhe arkeolog pejan, me emrin Jahja Drançolli, i cili më pas do të ishte drejtori i Institutit të Arkeologjisë në Prishtinë, gjatë viteve 2003-2009, publikoi në një artikull shkencor informacionin se kishte rënë në gjurmët e dy dokumenteve mesjetare që flisnin specifikisht për një “Studium Generale” në Durrës. Njëri ruhej në Raguze dhe tjetri në Romë.

Ky qëndrim u mbajt edhe nga disa studiues të tjerë në simpoziumin shkencor të organizuar nga Konferenca Ipeshkvnore e Shqipërisë në vitin 1999, duke u kthyer në një qëndrim gjysëm-zyrtar të Kishës Katolike në Shqipëri.

Në vitin 2003 dy studiues nga Durrësi, profesor Ilir Xaxa dhe profesor Hasan Ulqni arrijnë të gjurmojnë Universitetin Mesjetar të Durrësit në mënyrë te pavarur dhe madje e datojnë atë jo më në fund të shekullit të XIV, por në gjysmën e parë të atij shekulli. Pra edhe më herët akoma.

Së fundmi edhe studiues të tjerë kanë pranuar ekzistencën e universitetit. Ndër këto një kontribut të rëndësishëm ka dhënë edhe profesor Shaban Sinani, i cili në një artikull të revistës kulturore durrsake, “Dyrrah”, jep të gjithë bibliografinë në të cilën mund të gjenden referenca për Universitetin Mesjetar të Durrësit, duke filluar nga aktet e shekujve të XIII, aty nga vitet 1220.

Ashtu siç nga ana tjetër edhe studiuesi Ndriçim Kulla, në studimin e tij të fundit, “Historia e mendimit shqiptar”, i dedikon disa faqe të rëndësishme ekzistencës së këtij institucioni.

Ndërkohë që në ndihmë të studiuesve ka ardhur edhe qëndrimi zyrtar i Universitetit të Zarës në Kroaci. Në historikun e propozuar nga vetë universiteti, shkruhet se:

“Rektori i parë i Universitetit ishte Gjoni i Dyrrachium-it, pasi Universiteti i Përgjithshëm i Zadarit pati sukses me universitetin e themeluar më parë në Dyrrachium, që u zhvendos në Zadar”.

Ky qëndrim konfirmohet edhe nga Universiteti Modern i Durrësit, i cili propozon te njëjtën histori kur shkruan në faqen e tij zyrtare se, ai “në formën e tij moderne është themeluar në vitin 2006, por gjurmët e tij shtrihen në vitin 1380, duke e bërë një nga institucionet më të vjetër në Europë. Universiteti i Studimeve të Durrësit (latinisht: ‘Universitas Studiorum Dyrrhachium’) është krijuar rreth vitit 1380, por për shkak të sulmeve osmane është tërhequr në Zarë [Kroaci] për të themeluar ‘Studium Generale’, ose ‘Universitetin e Zarës’, me Rektor të Parë, Gjon Durrsakun [ose Gjoni nga Durrësi] (1396)”.

Më tej vetë universiteti shkruan se, “Burime që dalin nga arkivat dhe bibliotekat e Kuvendit Françeskan dhe Kuvendit Domenikan në Dubrovnik, përveç njoftimeve të rëndësishme për historinë e moçme, ofrojnë edhe njoftime për të parin universitet në Ballkan, Universitetin e Durrësit, universitet ky i themeluar nga dominikanët durrsakë, që vepronin prej vitit 1224 në Kuvendin e Shën Maurit në Durrës.”

Skeptikët

Megjithatë teksa historianët hidhnin dritë ngadalë-ngadalë mbi këtë institucion mesjetar, një grup tjetër studiuesish skeptik nisën të hedhin dyshime në lidhje me ekzistencën e këtij institucioni. Ato nuk u artikuluan kurrë në një mënyrë të strukturuar shkencore nga askush ne veçanti, por ato mund të përmblidhen në tre pika:

Mungesa e burimeve arkivore: Sot ka shumë pak burime arkivore që e përmendin Universitetin Mesjetar të Durrësit. Ato madje në rastin më të mirë, jo vetëm mund të numërohen me gishtat e njërës dorë, por rreth tyre nuk ka as një literaturë apo një traditë qe t’i mbështesë;

Mungesa e studimeve te paanshme: Në këtë pikë sulmohet përkatësia fetare e atyre që mbrojnë ekzistencën e Universitetit Mesjetar të Durrësit. Ata në fakt janë kryesisht të besimit katolik dhe të gjitha citimet vijnë nga burime kishtare;

Profili fetar: Skeptikët më të moderuar vendosin theksin tek profili i Universitetit. Ata thonë se edhe nëse një i tillë ka ekzistuar ai nuk ka qenë një universitet i mirëfilltë, por një shkollë teologjike.

Domenikanët, Durrësi dhe mësimdhënia

E vërteta e folur përmes dokumenteve ndërkohë duket shumë e qartë. Në dokumentin me numër 555, datë 31 mars 1304, të raportuar në përmbledhjen, “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, na tregohet se si papa Benedikti XI i jep urdhër domenikanëve të Hungarisë të themelojnë në Dalmaci urdhrin e tyre fetar.

Kryeqendra e kësaj province të re ishte Durrësi. Qëllimi i caktuar nga papa ishte zmbrapsja e mësymjes sllave nga brigjet e Ballkanit Perëndimor. Për papatin në fakt ishte bërë shumë shqetësues fakti se popullsitë sllave me besim ortodokse po dyndeshin në bregdetin dalmat dhe në Ultësirën Perëndimore Shqiptare.

Ashtu siç dëshmojnë dokumentet, Papa i kërkoi domenikanëve t’i kundërpërgjigjen kësaj sprove me të gjithë arsenalin e tyre intelektual, social, financiar dhe politik.  Aq e zellshme ishte përgjigja domenikane ndaj thirrjes së papës, sa që në Shqipëri jo vetëm u themeluan kuvende, shkolla, shoqëri apo kisha, por madje nisi edhe Inkuizicioni ndaj sektit gjysmë pagan të “albanensëve”.

Nuk thuhet qartë në dokument nëse domenikanët themeluan në Durrës një “Studium Generale” [universitet mesjetar], por disa elementë e tregojnë këtë.

Vepra “Acta et diplomata res Albaniae mediae aetatis illustrantia”, është e mbushur me raportime priftërinjsh që janë formuar në Durrës. Aq shumë janë ato sa sot mund të bëjmë madje edhe një inventar të priftërinjve, ipeshkëvinjëve apo abatëve katolik domenikan që nga Durrësi u shpërndanë me mision në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

“Acta Albaniae Veneta”, edhe kjo vepër që përmban një përmbledhje tjetër monumentale dokumentesh venedikase me 25 vëllime, na tregon në dhjetëra syresh se Durrësi ishte një qendër shumë e rëndësishme e formimit  fetar për priftërinjtë.

Profesorët dhe intelektualët nga Durrësi që gjejmë nëpër Europë gjatë shekullit XV janë shumë më shumë se sa mund të ishin në kushtet e mungesës së një universiteti. Mjafton të përmendim këtu Ndre Durrsakun dhe Gjon Durrsakun.

Një tjetër e dhënë e rëndësishme është ekzistenca në Arkivën e Venecias e një liste që nuk është asgjë më pak se numri i amzës i studentëve që kanë studiuar në këtë universitet.

Pa përmendur këtu analet e veprave “Acta Capitulorum generalium Ordinis Praedicatorum”, “Acta Canonizationis S. Dominici” dhe “Declerationes et Ordinationes Capitulorum Generalium Scari Ordinis Fratrum Praedicatorum”.

Pra që ka pasur një shkollë për formimin e priftërinjëve katolik në Durrës, kjo është jashtë çdo diskutimi akademik. Ajo që vihet në diskutim nga këtu e tutje është natyra e shkollëa. A ishte ajo shkollë një universitet apo vetëm një klasë e stilit katekistik ku mësohej mbi fenë, pa një metodë shkencore moderne?!

A ishte “Studium Generale” një shkollë fetare?

Çelësi për të zbërthyer këtë enigmë vjen nga një tjetër përmbledhje dokumentesh e cila fatkeqësisht nuk është ende publike. Ose më saktë është pjesërisht publike. Bëhet fjalë për legjendaren, “Acta Capitulorum generalium Ordinis Praedicatorum”, e cila në fund të shekullit të XIX u përmblodh në disa vëllime të njohura, si “Monumenta Ordinis Frairum Praedicatorum Historica”. Nga këto, 11-të vëllime janë bërë publike, ndërsa 19-të vëllimet e tjera jo.

Në vëllimin e 14-të, i cili gjendet në çdo arkiv të Provincave Domenikane, lexojmë një varg emblematik i cili në tekstin origjinal shkruan:

“La provintia di Dalmatia antichamente era numerosa delli conventi et delli frati, et era delle principali provintie della Religione, poiché comprendeva il principato di Albania et il Refo di Bosna, Karvatia et Dalmatia et confinava con la provintia di Hungaria.

Come il principla conveto era il Durazzo, di studio generale et in Antivari, ma essendo all’presente occupari gli sudetti principati dall’conventi numero tredeci tra priorati et vicarati, tutti sotto il dominio della Serenissima Republica di Venetia nelle cittá`maritime et isole. Et se bene questi puochi conventi restarono, alla Religione, tutta via le intrade la maggio parte sono godute dall’ Turco”.

Pra kuvendi domenikan i Durrësit quhet kuvend i studimeve të përgjithshme (“il principla conveto era il Durazzo, di studio generale”). Por çfarë ishte pra kjo “Studio Generale” (latinisht “Studium Generale”)?!

Përgjigja nga vjen nga autoriteti më i zëshem dhe i padiskutueshëm në historinë e universiteteve mesjetare në botë, historiani anglez Hastings Rashdall.

Në kryeveprën e tij me dy vëllime, “The universities of Europe in the middle ages”, botuar në vitin 1895 nga Universiteti i Oxfordit, ai qartëson se në mesjetë “fjala e përdorur për të përcaktuar një institucion akademik ishte “Studium”, më shume se “Universitas”.

Ai madje nuk mjaftohet me kaq, por sqaron edhe diferencën midis fjalës moderne universitet dhe fjalës latine mesjetare universitas. “Termi i cili i korrespondon më së shumti konceptit të vagullt dhe të pa përcaktuar mirë në anglisht, ‘Universitet’, si i dallueshëm nga një shkollë e thjeshtë apo seminar [fetar]… nuk është ‘Universitas’, por ‘Studium Generale’, shpjegon Rashdall.

E thënë thjeshtë ajo që ne sot quajmë “Universitet” nuk mund të shprehej në mesjetë me fjalën latine, “Universitas”, por me togfjalëshin latin “Studium Generale”. Pra nëse do të na duhej ta kërkonim institucion akademik durrsak në dokumentet mesjetare nuk mund ta bënim këtë përmes termit latin, “Universita” thjesht sepse ky term në mesjete nuk ka pasur kuptimin që ka sot.

Kaq e padiskutueshme është kjo sa në botën akademike perëndimore nuk gjen pothuajse asnjë zë kundër këtij përkufizimi. Të gjitha universitetet mesjetare pa përjashtim nuk njihen si “Universitas”, por si “Studium Generale”.

Kjo traditë është ruajtur edhe sot për shembull në Holandë, ku të gjitha universitet e rëndësishme të vendit (Maastricht, Rotterdam, Eindhoven, etj.) quhen “Studium Generale”.

Konkluzioni mbi Universitetin Mesjetar të Durrësit

Në mesjetë kisha katolike kontrollonte çdo aspekt të jetës sociale, politike dhe akademike të kontinentit. Hegjemonia e saj ishte e plotë dhe e pa kundërshtueshme. Të gjitha institucionet, përfshi këtu ato akademike, ishin nën kontrollin e saj të drejtpërdrejtë.

“Studim Generale”-t europiane gjatë shekujve XII-XV  ishin kryesisht institucione ku mësohej teologji, filozofi dhe matematikë dhe kjo nuk i heq atyre asnjë vlerë.

Dihet për shembull se ne Universitetin e Parisit edhe gjatë periudhës më të shkëlqyeshme mesjetare degët më të spikatura ishin ato të teologjisë dhe filozofisë. Por askush nuk e vendos në dyshim ekzistencën e saj.

Që në Durrës ka pasur një “Studium Generale” këtë jo vetëm mund ta deduktojmë tërthorazi nga veprimtaria e ngjeshur kishtare dhe misionare e Kishës Katolike dhe e Urdhrit Domenikan në Shqipëri, Bosnjë, Kroaci dhe Mal të Zi, por edhe nga përqendrimi i lartë i intelektualeve durrsak nëpër universitete të tjera europiane.

Në përfundim mund të themi se sot kemi prova të mjaftueshme për të besuar se gjatë shekullit të VIX në Durrës ka pasur një “Studium Generale”, që sot do të korrespondonte me të njëjtin institucion akademik që ne e quajmë universitet.

Ky ishte institucion akademik që reflektonte frymën teokratike të kohës, ku çdo element i shoqërisë i nënshtrohej fesë së krishterë. Ai kishte një natyrë të spikatur fetare, por ku nuk mungonin hapësira akademike dedikuar fushave të tjera, nga të cilat sot janë konfirmuar ato që kanë lidhje me artin dhe jurisprudencën. Për kohen kjo ishte maksimumi i jetës akademike që ofronte Europa. /Amfora