Nga data 1 deri më 8 gusht, në Durrës do të mbahet edicioni VIII i Bienales “Netët e Muzikës Klasike” (2003 – 2017).

Bienalja “Netët e Muzikës Klasike” lindi në vitin 2003 në Durrës në një formë krejt të natyrshme, në momentin dhe vendin e duhur. 

Festivali është i ndërtuar mbi një strukturë të mirëfilltë: janë shtatë net të dedikuara një tematike dhe një periudhe muzikore: Nata e Muzikës Baroke, Klasike, Romantike, Moderne, Shqiptare, Konkursi “Yjet e Rinj” dhe Carte Blanche. Çdo koncert shfaqet në ambiente të ndryshme të qytetit si Katedralja Shën Luçia, Muzeu Arkeologjik, Jozef Galery, Teatri “Aleksandër Moisiu”, Shkolla e muzikës “Jan Kukuzeli” e deri te një fabrikë e braktisur në rrethinat e qytetit.

Janë luajtur vepra madhore të historisë së muzikës, disa prej të cilave vinin për herë të parë në Shqipëri si “Arti i Fugës” i Bahut apo “Historia e ushtarit” e Stravinskit. Për çdo edicion porositet një vepër premierë, ndërsa fituesi i konkursit të të rinjve ftohet nga familja e instrumentistëve Vlashi dhe Grupi Instrumental “Siglo XX” për koncerte në Spanjë. Po ashtu edhe “Siglo XX” luan rregullisht në Bienale. Kështu është krijuar një “urë tingujsh” ndërmjet dy vendeve.

Projekti i Bienales muzikore të Durrësit është një projekt “familjar”, intim. Drejtuesi artistik Florian Vlashi thotë:

“Mblidhemi mes miqsh për të bërë muzikë bashkë e për të luajtur për një publik ku njihemi të gjithë. Në fund të fundit, kjo është esenca e muzikës së dhomës. Mbi këtë natyrshmëri është ngritur edhe ngrehina e Bienales.

Durrësi, Amfiteatri, Torra Veneciane, Kukuzeli, konti Durazzo, instrumentistë durrsake, violina të 1700 … krijojnë një kuadër ëe bukur, një “kolazh” emocionues.

E gjitha kjo është një rikthim; një rikthim në qytetin tonë, në fëmijërinë tonë dhe, në të njëjtën kohë, është një mbyllje e “rrethit” ku çdo gjë merr kuptim.

Kjo nostalgji e bën më prekëse muzikën”.

Në materialin e mëposhtëm, kalendari i 7 netëve që do të mbushin Durrësin me art dhe kulturë: