Nga "peshku komunist" tek John Lennon; skulpturat e parkut në Durrës kyçen në magazinë

13/05/2020 - 20:02

Në vitin 2017, nga sheshi para portit të Durrësit u larguan shtatë skulptura parku, të cilat i hapën rrugë zbatimit të projektit që morri emrin “Veliera”.

Figurat në bronz të këngëtarëve John Lenon, Bob Dilan, Tina Turner dhe Mick Jagger, të cilat simbolizonin etjen për liri të rinisë shqiptare në vitet 1960-1980 e zbukuruan për disa vite lulishten përballë Torrës mesjetare dhe u kthyen në pikë referimi turistike në qytet.

Ato “u sakrifikuan” së bashku me rrënojat arkeologjike shumëshekullore, që u zbuluan gjatë punimeve për ngritjen e mbikalimit të “Velierës”.

Bashkia premtoi se skulpturat do të instaloheshin shumë shpejt në lulishte apo në sheshe të tjerë të qytetit.

Por megjithëse kanë kaluar tre vjet, monumentet e këngëtarëve të huaj, që u bënë shumë të dashur për qytetarët dhe turistët, vazhdojnë të qëndrojnë të braktisur në oborrin e një ndërmarrjeje publike.

Idriz Balani, një nga skulptorët e njohur në Durrës, tha për BIRN se “për të rikthyer atmosferën e muzikantëve të ‘rockut’, një grup artistësh durrsakë propozuan kohët e fundit transferimin e përbashkët të katër monumenteve në një tjetër shesh të qytetit.

“Por, drejtuesit e bashkisë e kanë bërë veshin e shurdhër,” thotë Balani.

I njëjti qëndrim është mbajtur nga bashkia edhe për monumentin e Dom Nikoll Kaçorrit dhe bustin e Kolonelit holandez Tompson, dy figura historike të qytetit bregdetar në fillim-shekullin e kaluar, të cilat nga lulishtja pranë Torrës mesjetare i larguan pa adresë. Ashtu siç u sakrifikua edhe shatërvani 80-vjeçar, që nga sheshi “Lirija” para bashkisë së qytetit përfundoi në një magazinë të hapur.

Investimet e reja në infrastrukturë nuk parashikojnë veprat e parkut

Ky nuk është i vetmi rast, kur për veprat e parkut në Durrës nuk tregohet asnjë interes nga ana e pushtetit vendor. Aktualisht në zonën pranë portit, po realizohet projekti i shëtitores bregdetare, një investim me vlerë 2.8 milion euro.

Në fillimet e saj, gati një gjysmë shekulli më parë, kjo shëtitore ishte konceptuar si një park i gjelbëruar me amfora, kapitele dhe kolona, pasi ndodhej në krah të Muzeut arkeologjik të qytetit dhe nënvizonte pikërisht vlerat historike mijëra vjeçare të tij.

Por, me gjithë ndryshimet e vazhdueshme, veprat e ekspozuara në mjediset e saj janë përzgjedhur krejt rastësisht dhe kanë shumë pak lidhje me njëra-tjetrën.

Njëlloj, si në projektet që janë realizuar në rrugën hyrëse të Durrësit apo që po zbatohen aktualisht në shëtitoren bregdetare nuk është parashikuar asnjë platformë për skulpturat apo veprat e artit në përgjithësi.

Disa vite më parë, një skulptor nga Durrësi që ushtron profesionin e tij në zonën mes Brescias dhe Bergamos paraqiti projekt-idenë e tij mbi veprat e parkut, që mund të zbukuronin territorin nga hyrja e portit deri në Currila.

Alfred Kedhi, i cili ka përfunduar studimet në Akademinë e Breras, kujton mospërfilljen me të cilën e kanë pritur në bashkinë e qytetit bregdetar, ndërsa dosjen me materialet e përgatitura e kanë ironizuar si “shumë serioze” për kërkesat e tyre.

Kedhi thotë se faza studimore për zgjidhjet artistike dhe shlodhëse në shëtitoren bregdetare duhet të përgatitej paralelisht me projektin e infrastrukturës.

“Studimi im për skulpturat në shëtitore synonte bashkërendimin e punës me projektuesit dhe konstruktorët, por mesa duket  në Durrës gjërat nuk i mendojnë kështu” – shprehet skulptori Alfred Kedhi.

Nga parqet në magazina

Megjithëse më i përmbajtur në arsyetimin e tij, edhe skulptori Qazim Kërtusha, autor i më shumë se 15 veprave në Durrës, mendon se “ai i përket brezit të artistëve figurativë që me punën e tyre dhanë leksionet e para për edukimin e shikuesve”.

Kërtusha, shumë i lidhur me qytetin e tij të lindjes, mund të konsiderohet “humbësi i madh” i veprave të realizuara prej tij në vite.

Veprat e fundit të këtij artisti, që u hoqën nga lulishtet dhe vazhdojnë të jenë magazinuara, janë monumentet për Dom Nikollë Kaçorrin dhe ajo për këngëtarin britanik John Lenon. Më parë ishin larguar nga sheshet edhe një shatërvan me mozaik dhe një gardh dekorativ, punuar me kolegen Liliana Çika.

“Shatërvani u shkatërrua me matrapik para 10 vitesh, pasi në mbledhjen e këshillit bashkiak u konsiderua si një “peshk komunist”, kujton Kërtusha, sipas të cilit mentaliteti i atyre që e drejtojnë qytetin ka mbetur prapa.

Bashkë me disa kolegë të tjerë Kërtusha ka përgatitur pasaportat e monumenteve të vendosura në një hapësirë të gjerë, ku përfshihen edhe Durrësi e Kruja.

“Por, nuk di nëse pas kësaj skulpturat e parkut dhe monumentet e instaluara në natyrë të jenë marrë në dorëzim si inventar i bashkive përkatëse", dëshmon skulptori i njohur durrsak.

Projekte infrastrukture lodhëse pa platforma artistike

Edhe projekte të tjerë, të realizuar në qytet nuk e kanë marrë parasysh komponentin artistik dhe shlodhës. Hyrja e qytetit është një hapësirë e madhe në formë kuadratike, ku përveç mungesës së plotë të gjelbërimit, bie në sy edhe thatësira vizuale pa vepra parku.

Një ekspozitë e përgatitur disa vjet më parë nga studentët e degës monumentale në Universitetin e Arteve sugjeronte vendosjen e disa monumenteve, që evokojnë figura historike të Durrësit në periudhat e antikitetit dhe mesjetës.

Por të gjitha bocetet e tyre kanë mbetur në sallonet e Bashkisë dhe ende nuk janë materializuar me vepra pranë mureve mesjetare të qytetit, siç këshillonin pedagogët.

Aktualisht aty gjen disa vepra të tjera, nga busti i një heroi të luftës, e deri te monumenti kushtuar anijes së mbytur të marinës austro hungareze pranë Durrësit një shekull më parë.

Skulptori Idriz Balani e quan veten me fat, që pesë vepra të tij vijojnë të jenë të palëvizura nga vendet ku janë instaluar vite më parë. Ai aktualisht po punon për një vepër monumentale që do të vendoset në Prishtinë. 15 vepra të tjera të përmasave të mëdha, që ai ka punuar në vite tashmë zenë vend në qytete të ndryshme të Kosovës.

Balani thotë se vlerëson seriozitetin me të cilin organizohen konkurset për veprat e artit në Kosovë, si dhe bashkëpunimin me arkitektët dhe ndërtuesit. Gjë që sipas tij nuk ndodh prej kohësh me konkurset artistike në Durrës.

“Ndjehem mirë me projektet që realizoj në Kosovë,” shprehet Balani duke shtuar se punon “në sintoni të plotë me kolegët dhe puna e përbashkët më jep shumë kënaqësi profesionale”. /BIRN

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Vazhdon puna për zbatimin e projektit për restaurimin e pjesëve të dëmtuara të murit të kalasë së Durrësit.

Aktorja e mirënjohur durrsake, Aishe Stari feston sot ditëlindjen e saj.

Artisja e njohur shkodrane Rita Ndoci cila jeton prej vitesh në emigracion, ka reaguar përmes një postimi në “Facebook” për shembjen e Te

Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore del në mbrojtje të Teatrit Kombëtar, duke u shprehur se mund të restaurohet me sukses.

Ka nisur puna për pastrimin e pjesëve të murit të Kalasë së Durrësit që u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ashtu si çdo gjë po ndodh online kohët e fundit për shkak të koronavirusit, e njëjta ka ndodhur edhe me Eurovizionin.

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore ka shpallur banesën e Maks Velos monument kulture.

Me ide kreative siç karakterizohet gjithnjë puna e saj, që përqafohen menjëherë nga publiku, regjisorja Driada Dervishi nuk qëndroi pushi

Aktorja e trupës së teatrit të Durrësit, Sanie Hoti feston sot 65-vjetorin e lindjes.

Në periudhën e izolimit për shkak të pandemisë së Covid-19, fëmijët janë ata që iu është dashur të qëndrojnë më shumë të mbyllur në banes