Një libër me kujtime për inxhinier Fadil Kërtushën

03/09/2018 - 14:14

Nga Gëzim Kabashi

Libri me kujtime për ing. Fadil Kërtushën, i publikuar këto ditë nga shtëpia botuese “Jozef” është një mundësi për të njohur dhe vlerësuar një nga njerëzit që kontribuan në vite për zhvillimin e Durrësit.

Është një libër i thjeshtë, homazh i fëmijëve, të afërmve, por veçanërisht i miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët në çdo fletë kujtojnë bashkëqytetarin, specialistin, drejtuesin teknik, inxhinierin dhe mësuesin Fadil Kërtusha.

Në 145 faqet e librit “Ing. Fadil Kërtusha - Kujtime” kanë zënë vend 22 foto, mjaft projekte dhe 46 dëshmi të shkruara, të cilat rikthejnë vitet kur bashkë me specialistë të tjerë, ai projektonte fabrikën e Çimentos Tiranë, e më pas një sërë projektesh dhe inovacionesh në ish-Uzinën Elektromekanike, dhe ndërmarrje të tjera në Durrës.

Faqet e tekstit janë plotësuar nga fjalët e bashkëpunëtorëve, jo vetëm inxhinjerë, por edhe teknikë e punonjës, që sjellin në kujtesë profesionalizmin dhe qetësinë e specialistit drejtues, por edhe njeriun fjalëpak e punëshumë.

“Inxhinier Fadili guxonte, por edhe e menaxhonte guximin” ka shkruar një prej bashkëpunëtorëve të tij, duke kujtuar vitet e punës në NSHRMN, në UEM, si pedagog në Politeknikumin “7 nëntori”, bashkëpunimet me Universitetin e Tiranës, apo si drejtues në Seksionin tekniko-shkencor. Ndërsa një tjetër nënvizon “Ing. Kërtusha dinte të pyeste, por edhe të dëgjonte”, duke fituar besimin e të gjithë njerëzve pranë tij.

“Një kafe me miqtë e tij të shumtë” e vlerëson librin Qazimi, djali i madh i ing. Kërtushës, i cili është kujdesur për botimin, pa pranuar që libri për të atin të ketë një çmim apo të shitet.

I lindur në Ishëm, në fshatin që i ka dhënë mbiemrin fisit Kërtushaj, Fadili i ri provoi që nuk dorëzohej kollaj. Ai mbaroi studimet e larta në moshën 27 vjeç, jo vetëm falë vullnetit të tij, por edhe mbështetjes së bashkëshortes, Ikbales, e cila po rriste ndërkohë tre nga katër fëmijët e vegjël të çiftit.

Qazimi, skulptor i njohur në shkallë kombëtare, dhe që është kujdesur për të grumbulluar shënimet e të atit, por edhe dëshmitë mbi jetën e tij, kujton se si i ka fituar nocionet e para të mekanikës falë gjuhës së thjeshtë të të atit inxhinier.

Po aq emocionuese edhe kujtimet e Natashës, bijës që ndoqi profesionin e babait, e cila e përkëdhel të atin edhe në faqet e këtij libri, duke e quajtur “Dila i Tashës”. Bashkë me dy fëmijët e vegjël, Ylli dhe Laidi, në libër bëjnë përshtypje fjalët e nipit Jurgen Metalla, që e quan gjyshin e tij “Inxhinieri i jetës”.

Vetë jeta e ing Fadil Kërtushës u ndërpre dhunshëm më 11 janar 1999 nga një aksident rrugor në qendër të qytetit të Durrësit. Prej vitesh, ai i kishte tejkaluar paragjykimet dhe megjithëse po i drejtohej 70 vjetëve në një tezgë të thjeshtë para banesës së tij shiste artikuj kancelerie.

Sapo kishte marrë një furnizim me biçikletën e tij në një pikë kancelerie, kur u godit nga një automjet-kujton Bujar Haznedari, duke shkruar se “ing. Fadili mund të quhet me gojën plot një dëshmor i punës”.

“Ing. Fadil Kërtusha - Kujtime”, me siguri është një kujtesë që nuk i shërben vetëm atyre që e njohën.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ditën e enjte, Dita Ndërkombëtare e Monumenteve në Amfiteatrin e Durrësit u celebrua me Ekspozitën “Shprehem me mozaik”, e cila ishte edh

Lidhja e Shkrimtarëve në bashkëpunim me Shoqatën e Arumunëve Tiranë, Fier dhe Durrës kanë organizuar paraditen e së premtes, në ambientet

Ish-mësuesja Dikter Mustafaraj ka ardhur para publikut me një libër kushtuar shkollës “Jan Kukuzeli” në 60 vjetorin e krijimit të kësaj s

Mbrëmja e së mërkurës që lam pas në “Soiree”, ka qenë e gjitha një puntatë dedikuar artistes së madhe dhe të merituar, Vaçe Zelës.

Mbrëmjen e së dielës u finalizua me sukses edicioni i tretë i konkursit të bukurisë “Miss dhe Mister Shijaku”.

Sektori Shkencor në Qendrën Kulturore të Fëmijëve Durrës, organizon sot fazën e dytë të olimpiadës së matematikës në shkallë rrethi në am