Nga Gëzim Kabashi

Në fundin e viteve 1970 në Bandën Frymore të Durrësit rreshtoheshin ndër të tjerë, edhe tre anëtarë me të njëjtin mbiemër, Bushi. Nuk ishte hera e parë që në formacionin artistik më popullor të qytetit kontribuonin 2 apo 3 instrumentistë nga e njejta familje.

Kishte ndodhur edhe me artistë nga familjet Quku, Barushi, Driza, Domi, Dervishi apo Vezi, por dy vëllezërit me mbiemrin Bushi, Nikolini dhe Alberti, i pari klarinetist e tjetri trompist, kishin mbërritur në formacion duke ndjekur gjurmët e të jatit instrumentist dhe mësues, Gjergjit.

Gati 40 vjet pas vdekjes, megjithëse thuajse i harruar në dokumentacionet zyrtare, Gjergj Bushi, ka mbetur në memorien e muzikantëve durrsakë si një nga figurat më interesante të sfondit artistik  të qytetit në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

Shkak për këtë shkrim u bënë bisedat e gjata telefonike në ditët e koronavirusit me shokë e miq që jetojnë brenda dhe jashtë vendit. Përkthyesi Pirro Dollani, nga ana tjetër e Atlantikut, në Las Vegas, më përcillte disa nga kujtimet e tij të hershme, kur si violinist  në radhët e Orkestrës Filarmonike të qytetit në kapërcyellin e viteve 1960-1970 ishte njohur dhe kishte interpretuar përkrah Gjergj Bushit.

Emrin e këtij instrumentisti dhe mësuesi të pasionuar e kisha dëgjuar nga trompisti i ndjerë, Jusuf  Xhumrri, autor i “Këngës së Marinarit”, i cili më kishte treguar se mësimet e para të solfezhit i kishte marrë nga Gjergj Bushi.

Figurën e Gjergj Bushit, si njeri, instrumentist dhe formues i dhjetra artistëve të ardhshëm të instrumenteve të tunxhit, siç thirren zakonisht veglat e frymës, e rindërtuam pjesërisht edhe me ndihmën e njërit prej katër fëmijëve të tij, Nikolinit, tashmë 61 vjeç. Megjithëse, si i zënë në faj, ai më përsëriste “I kemi ruajtur shumë pak vlerat e babait”.

Gjergj Bushi u lind në vitin 1922, në Durrës. Një pjesë e familjarëve të tij banojnë ende në Lagjen e Re, atje ku u rrit Gjergji.  Shkollën e mesme e kreu pjesërisht në Greqi, ku vendosi kontaktet e para me instrumentet e frymës dhe për dy vjet radhazi frekuentoi rrethet muzikore të vendit fqinj. Edhe kur shkoi për studime universitare në Romë, u bë pjesë e formacioneve muzikore të të rinjve studentë.

Siç dëshmon Nikolini, djali i tij i madh, Gjergj Bushi i ndërpreu studimet në degën juridike gjatë pushtimit fashist të Shqipërisë dhe u rikthye në atdhe, si shumë bashkëstudentë të tjerë.

Pas disa vitesh punë, jeta normale e djaloshit u komplikua dhe qëndrimi i shtetit komunist ndaj tij u bë mjaft i ashpër. Çfarë kishte ndodhur?

Tre të afërm të tij ishin shpallur armiq, e për këtë arsye edhe emri i tij u vu në rreth.

Në vitin 1951, Prenga, njëri prej vëllezërve të tij arratiset në Jugosllavi, ndërsa një paralajmërim për të qenë i kujdesëshëm, Gjergji e kishte marrë katër vjet më parë.

Djali i xhaxhait, kapterr Vlash Bushi, së bashku me dy shokë të tjerë u vranë në vitin 1947 gjatë një tentative për tu arratisur në Itali me një motovedetë ushtarake. Pak më vonë, kjo ngjarje u bë tema e filmit “Duel i heshtur”.

Një vëlla tjetër i Gjergj Bushit, Pashku, kishte përfunduar studimet teologjike dhe kishte ushtruar për pak kohë detyrën shpirtërore si prift. Edhe jeta e këtij të fundit në Durrës do të shenjohej nga regjimi.

Tashmë Gjergj Bushi fliste shumë pak, ashtu siç e kujtojnë shokët e formacioneve orkestrale. Vishej  shumë thjesht dhe shoqërohej me pak njerëz. Heshtja bëhet natyra e tij e dytë, ndërsa fillon të bisedojë më shumë me librat, që e shoqërojnë edhe gjatë kohës së provave.

Sapo kishte krijuar familjen e tij, kur Gjergj Bushi gjen punë në ndërmarrjen e Cigareve. Ishte viti 1964, dhe deri kur del në pension, ai punon si mekanik në repartin e Harmanit, një nga vendet më të vështira dhe më të ndotura të fabrikës. Por kjo nuk e pengon atë, që çdo pasdite ti përkushtohet mësimit dhe interpretimit.

Në Orkestrën Filarmonike të qytetit të drejtuar nga Ermir Dizdari, e cila në vitin 1967-’68 mblodhi në radhët e saj artistë profesionistë e amatorë jo vetëm nga Durrësi, Gjergj Bushi luan në korno, një instrument jo i lehtë, më të cilin ai ishte ambjentuar prej kohësh.

Muzikantë, këngëtarë dhe instrumentistë i japin jetë operas “Bijtë e Skenderbeuut” me kompozitor Abdulla Grimcin dhe libretist Matish Gjelucin, një nga ndërmarrjet më të mëdha artistike në jetën e qytetit. Në një nga fotot që na vuri në dispozicion Edmond Ziu, një tjetër violinist në formacionin filarmonik, Gjergj Bushi shihet gjatë një koncerti në Shkodër mes dy nxënësve të tij kornistë.

Ndërkaq, ai është anëtar i përhershëm i Bandës Muzikore të Durrësit, një formacion me traditë, që ishte themeluar në vitin 1908. Provat i zhvillojnë në godinën e Xhamisë Fatih, e cila kishte ndryshuar destinacion, më pas në një nga sallat e Shtëpisë së Pionerit.

Por njeriu pasionant nuk ndalet këtu. Çdo pasdite rreth tij mblidhen fëmijë dhe të rinj, të cilët ndjekin kurset e tunxhit, që ai drejton. Brezat e të rinjve, që takohen në një nga sallat e katit të parë të Pallatit të Kulturës “Aleksandër Moisiu” i lenë vendin njeri tjetrit, ndërsa të rriturit zenë vend formacionet orkestrale të qytetit dhe të vendit. Madje më të mirët ndjekin edhe studimet në Institutin e Lartë të Arteve (sot Universiteti I Arteve).

Gjergj Bushi tashmë është një pedagog pa titull, të cilin nuk e shqetëson pagesa e vogël, por njohuritë që marrin të rinjtë. Ai ka vetëm një ditë të lirë në javë, por edhe atë ia kushton përgatitjes së artistëve të ardhshëm në qytetin e Shijakut.

 Jeta e Gjergj Bushit është shumë e ngjeshur, por heshtja e tij gjithnjë e më e thellë. Duket sikur sikur fjalët e munguara, për shkak të persekutimit, ai i zëvëndëson me tingujt e thellë të kornos, që janë të pranishëm në sfondin muzikor të orkestrave ku ai luan.

Lexonte shumë, edhe në gjuhë të huaja, në heshtje, edhe kur orkestrantët e tjerë pushonin. “Nuk kishim bibliotekë, pasi shtëpia ishte shumë e vogël dhe babi librat i ruante në valixhe – tregon për të jatin Nikolini, ndërsa në zërin e tij ndjehet pengu që nuk i kanë ruajtur partiturat dhe librat e shumtë muzikorë dhe jo vetëm.

“Kishte shumë miqësi me profesor Vangjel Toçin, arkeologun e njohur, me të cilin i lidhte edhe një krushqi – tregon djali i tij. Nikolini kujton se i jati, nëpërmjet Vangjelit kishte dhuruar për bibliotekën disa libra historikë në gjuhën italiane.

Me të njejtin pasion, si i vëllai, Pashku,  që kishte luajtur me vite në organon e kishës “Shën Luçia” dhe që ishte një nga mjeshtrat më të mirë në Parkun e Mallrave të Hekurudhës, edhe Gjergji kujdesej, që ti ruante fëmijët nga rreziku që mund të sillnin fjalët e tepërta.

Fatkeqësisht, nuk ia doli plotësisht, edhe pse familja e tij me 6 pjestarë jetoi falë punës së tij.

“Ne ishim 20-vjeçarë. Sapo babi vdiq, në vitin1981, edhe mua, edhe vëllait Albertit, na dërguan fjalë që të dorëzojmë kostumet e fanfarës dhe të mos paraqiteshim më në koncertet e Bandës Muzikore – tregon me dhimbje Nikolini për dramën familjare, që vazhdoi edhe pas vdekjes së Gjergj Bushit, i cili ndërroi jetë në moshën 59-vjeçare. Persekutimi I familjes do të vazhdonte edhe pas vdekjes së tij.

Gjergj Bushi është një nga figurat e harruara në historinë e kulturës muzikore të Durrësit. Sot falë miqve të tij instrumentistë, po sjellim një pjesë të kontributit të tij, si dhe një grup me foto që I ofroi familja.

Jam i sigurtë se ky shkrim do të jetë një nxitje për të hulumtuar më tej  në jetën dhe krijimtarinë e Gjergj Bushit, si pjesë e grupit të artistëve, që i dhanë jetë formacioneve të rëndësishme muzikore të qytetit bregdetar në vitet 1960-1980.

Pirro Dollani, (SHBA), ish-anëtar i Orkestrës Sinfonike Durrës (violinë)

Gjergj Bushi ka bërë kaq shumë për jetën artistike në Durrës dhe qyteti duhet ti jetë borxhli. Për fat kanë mbetur disa muzikantë, të cilët kanë kaluar nëpër “akademinë artistike të Gjergj Bushit”!

Gjergj Bushi punonte në NI Cigare, në sektorin e Harmanit, një nga repartet e “tmerrshëm” të ndërmarrjes; aty ishte e pamundur të kaloje nëpër repart e jo më të punoje 8 orë, pasi të mbyste avulli dhe kutërbimi i duhanit që përpunohej.

Në jetën artistike të Durrësit, Gjergj Bushi ka dhënë një kontribut shumë të madh, dhe ka qenë një njeri tejet modest.

Po, ashtu si pa një mësues të instrumenteve me korda si Stathi Qehaef në vitet 1960-1970, ashtu edhe pa Gjergj Bushin nuk do të kishim grupin e instrumentistëve të frymës në Durrës.

Ermir Dizdari, ish-dirigjent i OSD

Gjergj Bushi, pjestar i Bandës Muzikore të Durrësit në instrumentin e kornos. Ai njëkohësisht ishte prej shumë vitesh drejtues i kursit të veglave të frymës, prej të cilit dolën shumë instrumentistë që plotësonin herë pas here formacionin e Bandës Muzikore, si dhe luajtën apo drejtuan shumë veprimtari muzikore në qytetin e Durrësit. (marrë nga libri “Enver Mara, jeta dhe veprimtaria”)

Edmond Ziu, ish-anëtar i OS, Durrës, (violinë)

“E kam njohur para vitin 1972, kur fillova të luaj si violinist në OS, përkrah Vladimir Cakut dhe Pirro Dollanit.

Gjergj Bushi fliste pak, dhe përpiqej të mos binte në sy, pasi edhe persekutohej. Ishte një njeri tepër korrekt, i urtë dhe kokëulur. Kur dirigjenti punonte me grupin e violinistëve, ai lexonte, duke u përpjekur ti ruante pa u parë librat në gjuhë të huaj.

Mbaj mend se në orkestër qëndronte në mes të dy instrumentistëve të rinj, Fatmir Muzhaqi dhe Dilaver Barushi, të tre kornistë. Edhe në foton që e ruaj nga koncerti i Orkestrave Sinfonike në Shkodër, në vitin 1968, ai qëndron po kështu.

Sandër Bonati, (Itali), ish-dirigjent i Bandës Frymore; ish-anëtar i OSD Durrës (klarinetë)

Gjergj Bushi ishte një njeri i butë e i dashtun, i qetë dhe i edukuar; muzikën e dashuronte, dhe kjo ishte arsyeja që punonte me aq pasion. I binte kornos, por kishte njohuri shumë të mira për tunxhin; pati një kontribut të veçantë në Bandën Frymore të Durrësit.

Në fundin e viteve 1960, kur e drejtoja këtë formacion, kam patur rast të kuptoj më shumë nga natyra e tij e heshtur dhe e pa fjalë. Nuk e di se çfarë arsimimi kishte, por teorinë e solfezhit e njihte vërtet shumë mirë. Kursantët që ndiqnin leksionet e tij në pallatin e kulturës e donin, pasi nuk nevrikosej, ishte i sjellshëm dhe mjaft i kulturuar.

Fatmir Muzhaqi, (Kanada), ish-instrumentist në OSD (korno)

Gjergji, një burrë i mirë  dhe një katolik i devotshëm, që mbajti të gjallë artin e muzikës amatore në qytetin tonë në degën e instrumenteve të frymës.

Nuk mbaj mend se cili ishte personi që na sugjeroi të ndiqnim kurset e instrumenteve të frymës pranë shtëpisë së kulturës. E theksoj këtë moment, sepse ky ishte personi dhe në mënyrë të veçantë profesor Gjergj Bushi, ata që vendosën fatin e të ardhmes sime, edhe pse isha 13 – 14 vjeç. Nuk kam pasur shansin të kem shumë kontakte,  por kujtoj një burrë të urtë, të qeshur, një burrë që të shfaqej si një intelektual. Kam përshtypjen se ai kishte të tilla virtute, pasi ishte shkolluar në kolegjet katolike dhe trasmetonte një edukatë  të tillë të butë dhe shume pritëse.

Gjergj Bushi ishte shumë i apasionuar pas asaj që bënte dhe këtë formë ai e transmetonte. Ishte një burrë që i kushtohej shumë edhe kujdesit familjar.  Nga kujdesi në formimin e kursantëve, orkestra frymore e qytetit pati shumë instrumentistë të dalë nga puna e këtij njeriu të urte e gjithmonë të qeshur. Mbaj mend në këtë formacion,  instrumentistë të brezit tim si vëllezërit Koçi, Rexhep dhe Xhemal,  si dhe kushëriri i tyre Xhaviti; Leonidha Kushi; pak vite më parë ishin edhe Ndue Brozi dhe i vëllai, Ilia Filo, Dylaver Barushi, i biri i Shefqet Barushit, Llazar Prifti, që sot e kësaj dite vazhdon të jetë anetar i këtij formacioni, e të tjerë e të tjerë, para dhe pas brezit tim.

Gjergji kontribuoi gjthashtu edhe në formacionin e orkestres simfonike personalisht, por edhe me nxënësit e tij si Fatmir Muzhaqi (korno), Leonidha Kushi (trombone), e të tjerë.

(Foto: Gjatë një koncerti në Shkodër: Nga e majta në të djathtë: Jusuf Xhumrri (trombë); Dilaver Barushi, Gjergj Bushi, Fatmir Muzhaqi (korno), Muhedin Jaho (bastubo), Ramazan Rexha (pjati), Met Begiçi, Fatmir Selmani (trombon); violina Robert Veveçka, Edmond Ziu)