Pandemia Covid-19 ka kushtëzuar shumë aspekte të jetës së përditshme, por dhe mjaft aktivitete, që prej vitesh ishin kthyer në traditë për qytetin e Durrësit.

“Fest-Loja, luajmë dhe vallëzojmë”, aktiviteti kulturor ndërkombëtar që për shumë vite me rradhë ka mbledhur me qindra fëmijë nga shumë vende të rajonit dhe botës erdhi këtë sezon në një formë të pazakontë.

Edicioni i 23-të po shfaqet online në rrjete sociale, ndërsa organizatori i saj Arian Plaku shprehet mjaft i kënaqur që shumë grupe iu përgjigjën pozitivisht kërkesës së Qendrës Kulturore të Fëmijëve për të mos hequr dorë nga pjesëmarrja, pavarësisht se nuk do të ishin fizikisht në Durrës këtë vit.

“Këtë edicion kemi 23 grupe pjesëmarrëse. Për hir të së vërtetës, disa grupe nuk morën pjesë për shkak se pandemia nuk u mundësoi filmimin e materialit me të cilin do të konkuronin. Por, duke parë kushtet si po zhvillohet edicioni i këtij viti jemi mjaft të kënaqur me pjesëmarrjen. Çdo grup na ka sjellë një material filmik me valle dhe lojëra popullore 5-7 minuta. Të gjitha materialet po shfaqen online dhe kemi shikueshmëri nga shumë vende të botës, pasi grupet kanë bërë shpërndarjet në rrjete sociale. Mund të them se ndoshta po ndiqemi shumë më tepër këtë herë, sesa kur e zhvillonin aktivitetin live në Durrës”,- thotë Plaku për DurrësLajm.

Madje, ndërsa shfaqja rreth 2 orë e gjysëm transmetohej live në rrjete sociale, në telefonin e koreografit Arian Plaku mbërrinin foto dhe video nga artistët e vegjël, disa prej të cilëve kishin vendosur të ndiqnin së bashku të gjithë eventin kulturor.

Fotot që po publikojmë janë realizuar nga grupi nga Kishnica e Kosovës, ku të gjithë së bashku ndiqnin nga ekrani i televizorit performancat e konkurentëve pjesëmarrës.

Pjesa më e madhe e grupeve pjesëmarrëse janë nga Shqipëria dhe vendet e rajonit, por nuk mungojnë edhe performancat nga Tajlanda apo Venezuela e largët. Ndërkohë, grupi nga qyteti Hollola, në Finlandë, merr pjesë për herë të parë në Fest-Lojë.

Performancat e artistëve të vegjël do të vlerësohen nga dy juri. Juria qendrore ka në përbërje të saj tre emra të njohur të artit; koreografi dhe valltari Genc Kastrati, dirigjenti Ermir Dizdari dhe drejtoresha e Muzeut Etnografik dhe galerisë pamore “Nikolet Vasia”, Alketa Tragaj. Ndërsa juria tjetër do të jetë e përbërë nga 23 koreografët e grupeve pjesëmarrëse, të cilët do të vlerësojnë me pikë nga 1 në 23 të gjitha grupet, përveç grupit të tyre. Grupet fituese të edicionit të 23-të pritet të bëhen publike pas dy ditësh.

“Fest Loja – Luajmë dhe Vallëzojmë” filloi rrugëtimin si veprimtari sportivo – artistike në vitin 1998, me pjesëmarrjen modeste të disa grupeve nga vendi. Gjatë viteve, kjo veprimtari pati një shtrirje gjeografike, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në mjaft vende të rajonit e më gjerë si: në Kosovë, Maqedoni, Mali i Zi, Bullgari, Rumani, Ukrainë, Turqi dhe Itali.
“FEST – LOJA” ,për vite me radhë ka luajtur një rol të rëndësishëm e të pazëvendësueshëm në evidentimin e valleve, këngëve e lojrave dhe kostumografisë popullore duke shpalosur kështu nivelin etno-kulturor të çdo qyteti shqiptar e më gjerë. Tipar themelor i aktivitetit mbetet krijimi dhe konsolidimi i miqësisë midis fëmijëve nën moton: “Miqësia e të sotmes, paqja e së nesërmes”.