Pas 18 muajsh ndërprerje, nën magjinë e yjeve në amfiteatrin romak të Durrësit, “Martesa” e dramaturgut rus, Anton Çehov çeli sezonin turistik kulturor për qytetin bregdetar.

Premiera u pëlqye dhe u duartrokit gjatë nga publiku, i cili më në fund pati mundësinë që të shikojë një komedi e një lojë aktoriale nga trupa e përzgjedhur prej regjisores durrsake, Driada Dervishi.

Dervishi thotë se luajtja e komedisë në ambient të hapur është menduar për shkak të pandemisë që ka prekur botën mbarë prej më shumë se një viti, por edhe për vlerat e paçmuara që ka amfiteatri. Sipas saj, Durrësi ka shumë ambiente të tilla që deri më sot nuk janë përdorur mjaftueshmëm për të bërë teatër.

“Për mua kjo është premiera e tretë që vendos në amfiteatër mbas Shekspirit dhe Plautit. Dhe mendoj se një Çehov që është në lartësinë e Shekspirit ishte i denjë për ta sjellë.”

Teksa flet për rikthimin, Dervishi shprehet se komedia “Martesa” u zgjodh pasi deri më tani nuk ishte shfrytëzuar sa duhej. Duke u ndalur te kasta e aktorëve të shfaqjes së një nate më parë, regjisorja thotë se teatri i Durrësit ka tashmë një trupë të konsoliduar e të formuar dhe se ajo është e kënaqur për këtë fakt, me gjithë ndryshimet e pashmangshme.