Ne galerinë e arteve pamore të qytetit të Durrësit “Nikolet Vasia” është çelur ekspozita personale e piktorit të njohur në Kosovë, Xhevdet Spahija.

Kjo ekspozitë ka tërhequr vemendjen e mjaft qytetarëve durrsakë të cilët kanë shijuar portretet e sjella me aq mjeshtëri nga artisti i pikturës nga Kosova. Qëllimi i tij është njohja me botën artistike të artistëve kosovarë, kjo e derdhur nga peneli i tij, si dhe paraqitja e traditave kosovare në jetën e tyre si para luftës dhe tashmë në qëllimin e bashkimit të trojeve entike shqiptare. 

Artistë të shumtë, dashamirës të pikturës e të artit kanë qenë pjesmarrës në ceremoninë e çeljes së ekspozitës.Në fjalën e rastit, Nikolla Spathari, kryetari i Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Durrësit ka vlerësuar punimet dhe mesazhet që përcjellin punimet e Spahisë.

Artisti i njohur në hapësirat mbarëshqiptare ka hapur disa ekspozita në Kosovë dhe në vendin tonë. Ai është piktor modernist me preferencë të simbolizmit dhe të ekspresionizmit. Spahija ka realizuar mjaft vepra të arrira artistikisht dhe kryesisht me format te madh. Një vend të rëndësishëm në tablote e tij zënë edhe pikturat ku ai artin e përfaqësimit të femrës e ka kthyer në një simbolikë të veçantë.

Çeljen e ekspozitës e ka përshëndetur edhe Dashamir Uruçi, kryetar i Unionit Shqiptar të Shoqërisë Civile, i cili ka përcjellë te pjesëmarrësit vlerat e këtij piktori të talentuar.

Piktori Xhevdet Spahija është një artist që pasionin e tij për këtë art të veçantë e ka lëvruar ndër vite. Ai ruan një koleksion te madh pikturash të tijat, ndërkohë rreth 100 vepra arti ekspozuar në muzetë dhe koleksionet private të vendeve të ndryshme të botës.

K.H.