Poezi që ndjek ritmin e jetës

12/01/2012 - 00:00

Libri me poezi i Vaso Papaj
<p>Libri me poezi i Vaso Papaj</p>

 

Analizë e vëllimit poetik "Një tjetër diell" të poetit dhe shkrimtarit durrsak Vaso Papaj

 

1.

”Një tjetër diell” është vëllimi i dytë me poezi i poetit Vaso Papaj. Në shqyrtimin e vëmendshëm të bije në sy prirja e autorit për të kapur e trajtuar me realizëm e ngjyrime poetike temën aktuale. Janë pamjet e skenat e përditshme që na shfaqen para syve, dhe që vëzhgimi i mprehtë e i vetëdijshëm i artistit duhet t’u kushtojë vëmendjen e duhur, për t’u dhënë jetë në veprat e veta.

Poeti na jep tablo tronditëse të mjerimit, na skicon personazhet e dramës së dhimbshme, që i përngjet realitetit të kohës së Migjenit. Ai nuk qëndron në cektësirën e ngjarjeve, nuk mbetet në një skicim të fluturimtë e të pathelluar në psikologjinë e të cilit, duhej të mbetej personazheve, nuk qëndron në pozicionin e një poeti që vetëm vëren e konstaton, por e ve gishtin mbi plagët e qelbëzuara:

Lirinë gabele me ngjyra - ngjyra.

A ka vallë liri me xhepa bosh?!...

Lirinë që paska aq shumë fytyra,

Lirinë që qenka veç për kodosh.

Zemra e poetit nuk mund të jetë e qetë, kur njerëzve të qytetit e të Atdheut iu mungon e qeshura. Kur mjerimi iu rëndon mbi shpirtin e mbi jetën, kur djemtë si Olsi shohin, tek shërbejnë për një copë bukë nëpër motele, sesi vajzat e njoma nga varfëria e gjendja e vështirë ekonomike e familjes së tyre e shesin trupin për para, kur sanitarja Bedrie, që iu shërben me aq kujdes të sëmurëve në spital, ka mbetur fare pa përkrahje, me djalin të vetëvarur e nusen pa punë, kur fëmijë të varfër shesin çikërrima nëpër semaforë apo kur ndonjë i pa punë rrëmon nëpër kazanët e plehrave.

Dhe kur marrin udhën e mërgimit, tej detit, kur punojnë në vend të huaj, në më të shumtën e rasteve si punëtorë apo shërbëtorë, kërcënohen nga papunësia, nga mjerimi, nga pasiguria, nga ngarkesa e punëve prej skllavi.

Fati dhe jeta e këtyre mërgimtarëve të një kohe moderne është po kaq tragjik e pa shpresë, si dhe i mijëra shqiptarëve të mjerë e të këputur që mërguan nëpër Europë e nëpër botë gjatë gjithë shekujve.

Poezitë e ndjera të Vaso Papajt e ngenë zërin dhe na bëjnë të mendohemi, të jetojmë me kohën e me shqetësimet e saj e ta ndjejmë si të vetes sonë dramën e mërgimtarëve tanë në dhè të huaj:

Si urithi në metro, në tren, që në mëngjes,

Mes turmës që më shtyn me sy edhe me duar

Tërë ditën restoranteve laj pjata i pashpresë,

Aromë e trupit tim, erë gjelle të thartuar.

Imazhin tënd në mendje kam mes erës në Milot,

Po edhe këtu, ta dish’, nuk është se nuk bën ftohtë.

(Letër nga larg)

Poeti nuk e idealizon realitetin në vendet perëndimore, nuk e humb qartësinë e vështrimit, i mahnitur e i shushatur nga pallatet, nga parqet, nga sheshet plot shtatore e pllaka mermeri. Kjo është ana më e bukur e mahnitëse e qyteteve europiane, plot muzeume e biblioteka, me libra nga të gjitha gjuhët, e vendeve ku ritmi dhe ecja e qytetërimit është më e vrullshme, por ku nuk mungojnë plagët, humnerat e problemet e shumta, të mbetura endè pa zgjidhje.

Me këtë vështrim realist e të kthjellët është trajtuar tema e mërgimit, fati i djemve e vajzave të reja, e familjeve të rrënuara që morën udhën e mërgimit, për t’i shpëtuar papunësisë e varfërisë:

Ikën djem, u kthyen pleq,

I kish lodhur udhë e gjatë

Sapo mbërritën te përroi,

U bënë gurë e mbenë në paqë.

(Gurët)

2.

Vaso Papaj i kushton vëmendje dhe motivit të dashurisë. Dashuria për poetin nuk është një rendje hamshori i hazdisur pas gjahut të epshit, po një ndjenjë fisnike e tepër njerëzore që e mban të gjallë flakën e jetës dhe i jep kuptim asaj.

Prandaj, kur ndodhet larg së dashurës, dita i duket pa shkëlqim dhe shurdhake, e gjithçka i duket e akullt e pa jetë. Dashuria do të humbte çdo kuptim dhe vlerë po të vështrohej e trajtohej nga një prizëm tjetër shikimi. Ajo nuk mund të jetë kurrsesi mall tregu dhe as ndjellëse e pa ngopur e dëshirave çmendurake për epsh e për aventura ashikësh zemërzbrazur e cinikë. Në poezinë e letërsinë së sotme, si dhe në emisionet televizive, nëpër shfaqet e dramave e emisionet humoristike, ndodh jo rrallë, që, duke përfituar nga liria e mendimit dhe e fjalës, spekulohet e njolloset dashuria, paraqitet e deformuar dhe e pushtuar nga epshet shtazarake. Këtu nuk është fjala për purizëm mesjetar e prapanik, por për një vështrim më të kthjellët e më njerëzor ndaj moralit e fisnikërisë e forcës përtëritëse e përlindëse të dashurisë.

Me ndjenjë të ngrohtë e konkretësi poeti na e përshkruan poetikën e kësaj ndjenje mjaft njerëzore:

Më mungon,

Kur terri shuan gjurmët nëpër gurë,

Kur dielli valët detit ia përkëdhel,

Si hije më gjurmon, s’më ndahesh kurrë

Dhe lodhja brenda vetes nuk më del.

(Më mungon)

Mikja e zemrës nga poeti na paraqitet përmes përjetimesh konkrete, si një njeri i afërt, me të cilën ndan gjithçka, mendimet dhe ndjenjat, si një krijesë e dashur që të jep forca, për të përballuar pengesat e detyrat e përditshme, si një krijesë njerëzore pa të cilën bota dhe jeta do të na dukej pa ngjyrë e pa dritën e mjaftueshme, por dhe si një bashkëshorte, me të cilën krijohet familja dhe lindin fëmijët, që do të rriten në një kohë më të lumtur e me mundësi më të mëdha.

Ëndërro djalosh, ëndërro kohëra magjike

Se ditëve që do t’vijnë, do t’vijë dhe dashuria

Po netëve ndalu pak, urrejtjen për rreth fike

Njerì do të jesh atëherë në poezitë e mia.

(Shkule trenin tënd)

3.

Poezitë qytetëse të këtij vëllimi janë më të mirat poezi të shkruara nga Vaso Papaj dhe natyrisht që Durrësit, ku kaloi fëmijërinë dhe djalërinë dhe tani jeton vitet e moshës se thyer, i është kushtuar pjesa më e madhe e më e ndjerë e tyre.

Këto poezi janë të arrira, sepse nuk janë trajtuar në modelin e etydeve e të tablove a boceteve me akuarel, poeti gërmon e vëzhgon në nënshtresat e jetës. Kërkon të gjejë hallkat që lidhin periudhat historike me kohën moderne. Syri i mprehtë i poetit zbulon nyjet që i lidhin njerëzit me të kaluarën e me të sotmen, na përshkruan me ngrohtësi emocionale veprimtarinë, përpjekjet për hapësira te reja, përsiatjet, dashuritë, dhimbjet, ëndrrat dhe dëshirat, që mbajnë të gjallë shpresën e besimin tek e ardhmja, shpirtin e pamposhtur të një populli që përballoi me guxim dallgët e çmendura të kohërave barbare dhe egërsinë e ushtrive që iu sulën për ta pushtuar e nënshtruar.

Në qendër të këtyre poezive, si dhe të poezive të cikleve të tjera, është njeriu me botën, ëndrrat e përpjekjet e tij. Dhe natyrisht, në këtë kuadër, nuk kishte si të mos kërkonte pishtarin më të ndritur të Rilindjes sonë Kombëtare, Naim Frashëri, kur ndodhet për një vizitë në Stamboll:

E shkela me këmbë Stambollin e vjetër,

Kalldrëme, hotele dhe prapë s’po të gjej.

Ky vend ka parë sulltanër dhe mbretër

Po unë veç një mbret dua, ty Naim bej.

(Më kot në mesnatë)

Dhe pse në dukje poezi përkushtimi e malli për një qytet të madh e me bukuri të mahnitshme si Stambolli në breg të detit Marmara, me pallate, xhami e muzeume madhështorë, Vaso Papajit i kujtohet Naimi, autori i vjershës mjaft të njohur “Fjalët e qiririt”, që u bë simboli i vetëmohimit e flijimit për çështjen e shenjtë të Atdheut e të përparimit. Pikërisht drita e idealeve të Rilindjes Kombëtare i duhet Shqipërisë së shekullit XXI për të ecur drejt përparimit e për të rimëkëmbur veten. Pa këtë shpirt prej Prometheu, pa këtë ndjenjë gatishmërie e përkushtimi, ndaj idealeve të lirisë e të përparimit, çdo përpjekje, sado e madhe, do të dështonte. Këto veti të larta e fisnike nuk i kanë munguar kurrë popullit tonë, por ato duhen nxitur e vënë në veprim, sepse është koha kur na troket ora e Rilindjes dhe e fuqizimit të Shqipërisë.

Si poet Vaso Papaj di të zgjedhë ato ngjyrime e detaje, për të na krijuar fizionominë e vërtetë e autoktone të qyteteve, atmosferën e dekorin e tyre, duke arritur të kapë ato veçanti që janë të qenësishme dhe thelbësore. Dhe kur mbizotërojnë ngjyra të ftohta e të murrme dhe një frymë trishtimi e pakënaqësie për punët që nuk shkojnë ashtu si duhet, për mospajtimin me korrupsionin e administratës shtetërore, për papunësinë e për varfërinë e përgjithshme të jetës, mesazhi që përcillet prej tyre është mesazhi i shpresës dhe i besimit:

Në shpirt ke dashuri pafund, s’mbaron këtu beteja,...

Idetë e tua s’janë flakë kashte, nga ato lindin të reja.

(Ej,plako...)

Dashuria është forca që do të përtërijë botën, dashuria do të rilind idealet e Rilindjes Kombëtare dhe tek ne shqiptarët, duke na bërë të kuptojmë qartë se kuptimi i jetës njerëzore duhet kërkuar tek lufta dhe përpjekjet viganore për begatinë dhe lumturinë e kombit e të botës.

Kjo dashuri për jetën dhe për njeriun ndihet nëpër të gjitha faqet e librit, dhe në ato që kanë tone ironike e sarkastike dhe fshikullojnë dukuri të shëmtuara të realitetit të sotëm. Dhe kur fshikullon, dhe kur kritikon, dhe kur zemërohet e shpërthen në gjëma dhe anatema, poeti niset vetëm nga dashuria, nga nderimi për atë që është sublime dhe njerëzore. Këtyre idealeve, që ia kanë mbajtur shpirtin të ndezur dhe kanë mundur të ruajnë në të vrullet dhe forcën shpirtërore të rinisë, poeti i ka qëndruar besnik gjatë gjithë jetës, për hir të tyre ka ndjerë shtypjen, mënjanimin, dhe vështrimin me sy armiqësor të shtetit autokrat dhe të lakenjve të tij.

4.

Në shpirtin e Vaso Papajit ka nisur të flas poeti, i cili nuk qorollepset pas temave libreske e romantizante, duke u strukur e mbyllur në vetvete në zhguallin e papërshkueshëm të një gjallese egocentrike. Përkundrazi ai merr guxim të përballet me jetën e të bëhet zëri i udhëkryqeve, enigmave, plagëve e dramave të jetës shqiptare e ballkanike, që vazhdon dhe në agimin e një shekulli të ri, të jetë e mbingarkuar me retë e zymta e shkreptima vetëtimash e lëvizje e flakërim rrufesh. Kjo situatë e mbingarkuar, e acartë dhe plot kurthe e prapaskena bizantine, vazhdon të mbizotërojë në të gjithë letërsinë e vendeve ballkanike, e cila vuan dhe gjendjen e vështirë ekonomike, pasigurinë e jetës e të punës dhe tragjedinë e mijëra familjeve që kanë marrë udhën e mërgimit në Europë e nëpër botë.

Pyetjes që ndodh t’i bëhet Vaso Papajit, se pse u kujtua të merret me poezi tani, kur s’është më i ri, ai i përgjigjet në mënyrë mjaft të hapur. “Nuk shkruajta më parë, sepse nuk më pëlqente të gënjeja. Gënjeshtrën dhe hipokrizinë nuk i pranon karakteri, kodi im moral, të cilit jam munduar t’i qëndroj besnik gjer në fund. Të shkruaja duke iu nënshkruan kërkesave të realizmit socialist do të ishte sikur të pikturoja me bojëra të ndezura dhe të zbukuroja atë që ishte e shëmtuar dhe e përbindshme. Këtë nuk do ta pranoja me çfarëdo lloj shpërblimi e pozite. Këtë e tregon më së miri jeta ime.

Tani, pas ndryshimeve të mëdha në të gjithë Europën Lindore, tani, kur autokracia dhe shteti totalitar e anakronik nuk sundon më mbi popujt e vendeve ish socialiste, unë e ndjejë veten të lirë. Nuk kam më mbi krye e në shpirt atë pllakë plumbi të rëndë. Tani po përjetoj rininë e pajetuar e po përpiqem t’i krijoj hapësira fluturimi ëndrrës sime të kahershme, për t’u marrë me letërsi. Vepra ime e parë letrare, që e kam shkruar shumë vite më parë është romani im ”Një Dimër mes Dimrash” i botuar dhe i ribotuar vetëm në vitet e demokracisë. Lexonjësi e ka pritur mirë, kritika letrare e vlerësoi për tematikën dhe arritjen e tij, por ja që erdhën momentet e poezisë. Ajo i ngjau një teshtime që siç thoshte Tolstoj, kur të vjen nuk mund ta mbash dot.

A do të vazhdoj në të ardhmen me poezinë apo do të kthehem prapë te romani? Koha do ta tregojë. Një gjë mund të them: e ndjej se nuk do të mund të hesht..”

Vaso Papaj u bë më i njohur si poet sesa si romancier e tregimtar. Dhe po të shkruaj në prozë, proza e Vaso Papajit do të ketë dhe nënshtresat e tiparet më të çmuara të poezisë së tij. Ajo do të jetë më lakonike, më sintetike, më e ngjeshur sesa veprat e shkrimtarëve , që janë marrë gjithmonë me prozën e gjatë a të shkurtër.

5.

Vaso Papaj ka kodin e vet estetik. Ai është autor që nuk joshet pas zhurmës, reklamave, pozave letrareske e manisë për t’u shtirë si filozof e njeri, që e shqetësojnë temat e mëdha e universale. Universalen dhe fillin mbarënjerëzor ai e gjen dhe në trajtimin e temave të jetës së përditshme, në atë kronikë e vërshim ngjarjesh të larmishme e më të shumtën e rasteve dramatike e tronditëse ku na shpërfaq realiteti ynë ballkanik.

Për t’iu dhënë jetë artistike të gjitha këtyre ngjarjeve, dramave e veprimeve sublime, njerëzore, i duhet të zgjedhë mjetet shprehëse e të përcaktojë ligjet e estetikës së vet, e cila duhet t’u përmbahet parimeve themelore të realizmit e të modernizmit, pa iu larguar veçorive të stilit e të natyrës së tij artistike.

Vaso Papaj nuk është poet përshkronjës, poet i çikërrimave e i pikturave me akuarel. Ai s’të befason me ngjyrimet marramendëse, me harmoninë apo kapriçot e vargut, por me begatinë e lëndës jetësore, me forcën e përjetimit të realitetit, me guximin për të prekur e zbuluar plagët, dramat e problemet e ngërthyera e të pazgjidhura ende në realitetin bashkëkohës.

Moderniteti e fryma e kohës ndërfutet në poezinë e Vaso Papajit në mënyrë të natyrshme, të çlirët, pa pompozitet e maniera për të habitur lexonjësin me frazeologjira filozofike e vezullime figurash të zhurmshme dhe abstrakte.

Për të është më rëndësishme shtjellimi dramatik e me detaje konkrete e domethënëse i jetës, ndriçimi e vënia në pah i atyre anëve e tipareve, që e ndihmojnë në paraqitjen e pikturës së tablosë, me dritë hijet e saj, me zbulimin e ndërthurjes së atyre fijeve dhe elementëve, që shërbejnë për të krijuar atmosferën e duhur e për të pasqyruar me vërtetësi e realizëm jetën e fizionominë e kohës e të realitetit. Këtu përqendrohet vëmendja e autorit, i cili mundohet të kap thelbin e nënteksin e ngjarjeve të shumta, të zhbirojë në jetën dhe në biografinë e atyre personazheve, që mbartin e mëshirojnë fatin e mijëra njerëzve, që përfaqësojnë jetën e shoqërinë tonë, e cila përpiqet me të gjitha forcat e energjitë për një jetë më të begatë, më njerëzore e më demokratike, për të mundur të jetojmë si të gjithë popujt e Europës së qytetëruar e demokratike

Fjala dhe vargu artikulohen me kujdes, duke iu përshtatur intonacionit ideoemocional, idesë themelore mbi të cilën ngrihet ngrehina e vargjeve, që shpesh janë në strukturën e vargut me ritëm e me rimë, por pa atë rregullsi të rreptë të poezisë klasike.

Poezia e Vaso Papajit nuk është në frymën e në formën e poezisë klasike. Ai është poet bashkëkohor e modern, por me arsenalin e tij figurativ, frazeologjik, gjuhësor e metrik, atij i shkon më për shtat vargu me ritëm e me rimë, me muzikalitet e harmoni, por që vjen i strukturuar në mënyrë moderne e me problematikën e shqetësimet e kohës që jetojmë.

Në këtë mënyrë do të zgjonte vëmendjen e shoqërisë, për të ndjerë përgjegjësinë qytetare para problemeve të cilat rëndojnë mbi kurrizin e shpirtin tonë, duke na e bërë jetesën më të vështirë e me më pak hapësira dhe me më pak ajër dhe dritë.

Bie nata mbi çatitë e qytetit dhe gëlltitet,

(Nata me çatitë sikur ka rënë në dashuri)

Puthet, jargavitet, ngjitet dhe nuk shqitet,

Ndër kohë një qen rrugaç te plehrat po skërmitet

Dhe ditë e re po ngjizet në qetësi.

(I njëjti qiell)

Në këtë tablo të natës së një qyteti nuk ka asgjë farfuritëse e marramendëse. Estetika e poezisë së Vaso Papajit s’i ka për zemër figurat estravagante e plot përçudnime. Për atë kryesore është atmosfera dramatike, që rreket të na e pikturojë me realizëm e plot ngjyrime poetike e sarkastike.

Elementët e objektet që vihen në veprim, na japin më së miri atë që kërkon të na e paraqesë me besnikëri dhe me dhimbje të një shpirti, që nuk është as edhe një herë i qetë e shpërfillës ndaj dramave të jetës njerëzore, dhe të prapaskenave e lojës makabre që lozin mbi fatin e shoqërisë dordolecët e aventurierët e politikës së mbrapshtë, që s’po del ende nga ngërçi e nga kolapsi.

6.

Poezia e Vaso Papajt është poezi me hapësira të mëdha. Ai nuk është poet egocentrik e as poet i kullës së fildishtë, as poet që shtegton nëpër kthina e umbella larg realitetit.

Duke qenë njeri i shqetësuar për fatin e njeriut e problemet e ëndrrat, që trazojnë shpirtin e mendjen e tij, poeti nuk kishte sesi të mos i kushtonte vëmendje jetës e ngjarjeve të përditshme të qytetit mijëra vjeçar të Dyrrahut, Durrësit të sotëm, ku ka lindur e jeton, megjithëse viset e rivierës së jugut, nga e ka prejardhjen familja e tij e shtyjnë të shkruaj edhe për to: për detarët e mërgimtarët, që morën udhën e përtej detit, e që mbetën të përjetshëm në kujtesën e njerëzve si gurë mijëravjeçarë, që zbardhin ngado nëpër anë zalli, rrugëve e pjerrësive të maleve të Vetëtimës e të Çikës, siç thotë dhe shkrimtari i madh Petro Marko në veprën “Retë dhe Gurët”.

Poezitë e Vaso Papajt për Durrësin janë poezi të ndjera, janë konkrete e me mbresa jetësore. Kanë shtresimet e ngjyrimet e kohës e të realitetit të ditëve që jetojmë. Në to ndërthuren shtresimet intime me ato të përgjithshme e të gjithëherëshme, përfytyrimet e pamjet e antikitetit me fizionominë e një qyteti modern.

Poezia e Vaso Papajt është e pasur me lëndë jetësore, me mbresa, përshtypje, përfytyrime e vëzhgime të mprehta e të vëmendshme. Ajo është poezi e një njeriu që nuk është shpërfillës ndaj njerëzve e jetës, nuk është i ftohtë e nuk i largohet me dashje e i frikësuar laqeve të dramave e hulumtimit të biografisë e psikologjise së njerëzve, me të cilët e përplas dhe e njeh jeta e ngjarjet e saj të vrullshme për ditë.

Në këtë vëllim te ri, që vjen me një tematikë më të pasur e me një ngulmim më të ndërgjegjshëm, për të hulumtuar e vëzhguar në dramat e psikologjinë e njerëzve bashkohëtarë, tonet realiste të poezisë së Vaso Papajt marrin një kumbim më të fuqishëm e më gjithëpërfshirës.

Këto tone dramatike e epike, harmonizohen me tonet e buta e lirike të poezive erotike e të peizazhit, apo me sarkazmin e ironie therëse të poezive që fshikullojnë dukuri e qëndrime të shëmtuara e meskine ndaj shoqërisë e kohës që jetojmë, e cila gjithsesi premton për mundësi të reja zhvillimi dhe ecje të mëtejshme.

Nga pikëpamja e strukturës së vargut e të sistemit të figuracionit, Vaso Papaj synon të jetë poet modern, t’i japë gjerësi e hapësira vargut, të jetë poet sa dhe qytetar, të pikturojë e të analizojë, të skicojë tipa njerëzish e të nxjerrë përgjithësime të rëndësishme. Poezia e tij synon gjithnjë e më tepër të kapërcejë sinoret e ligjësive estetike të poezisë klasike, të jetë më e çlirët, më e guximshme e novatore në trajtimin e temave e në përdorimin me zgjuarsi e shkathtësi të ngjyrimeve emocionale e të figuracionit, i cili , përgjithësisht, është i natyrshëm, logjik e me një fizionomi origjinale dhe moderne.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Nën tingujt e këngëve franceze, mbrëmjen e 23 qershorit është zhvilluar koncerti "Festa e Muzikës" në Durrës.

Regjisori italian Franco Zeffirelli është ndarë nga jeta në moshën 96 vjeçare.

Hapësira nënujore e bregdetit shqiptar ka një trashëgimi kulturore nënujore shumë të pasur, e cila nëse do të dokumentohej, certifikohej

Violinisti i madh durrsak Florian Vlashi njofton në faqen e vet në FB se, së bashku me kompozitorin e shquar durrsak Haig Zacharian, do t

Qemal Vrioni është një figurë interesante intelektuale e Durrësit.

Një thesar me monedha argjendi i zbuluar në Durrës [në vitin 2006?].

Durrsaku Loer Kume është shpallur fituesi i madh i “Çmimit Kadare” për vitin 2019.

*Pas 18 vitesh punë, duke inventarizuar dhe restauruar mbi 6 ton terakota, monedha dhe enë qeramike të zbuluara në Durrës në

Mjeshtri i madh i skenës, një prej themeluesve të teatrit “Aleksandër Moisiu”, Lutfi Hoxha, ka mbushur 85 vjeç.