Promovohet “Krom dhe Luledele”, romani himn për të rinjtë e pas viteve '90

10/11/2019 - 22:27

“Krom dhe luledele” është një roman i cilësuar si himn për të rinjtë e pas viteve 1990. Libri me natyrë autobiografike na rrëfen për dramat e vogla dhe të mëdha familjare e shoqërore të Shqipërisë në vitin e mbrapshtë 1997, kundruar nga sytë e një vajze 6-vjeçare, e cila gjendet mes trysnisë së dhunës, trazirave, dhe që rreket të kapet pas fëminores për t'i dhënë kuptim dhe ngjyra ekzistencës së saj.

Ky është libri i parë letrar, i pedagoges së gjuhës shqipe Elsa Skënderi Rakipllari, i cili u prezantua në ambientet e Tirana International Hotel.

Në këtë ngjarje të veçantë, morën pjesë dhe ndanë përshtypjet e tyre akademikë, studiues e dashamirës të librit dhe studentë. Për kritikun dhe shkrimtarin Agron Tufa, njëherazi edhe recensues i romanit, “Krom dhe luledele” është një prozë me gjuhë plot sharm, ironi, skena e situata të thukëta…; por dhe me letraritet të spikatur, që e lejon autoren të çajë thellë në aventurën e saj të rizbulimit të Kohës dhe Gjuhës…”.Studiuesja e pedagogia e letërsisë moderne shqipe, Viola Isufaj, e vlerësoi romanin për mënyrën sesi trajtohet kujtesa dhe për ndjeshmëritë gjuhësore në përshkrim.

Një fill i romanit është edhe zëshmëria e grave dhe nevojën që ka shoqëria jonë për të folur për mënyrën si trajtohen dhe për kurajon shoqërore që iu duhet përcjellë atyre. Pavarësisht ashpërsisë dhe ftohtësisë së Bulqizës, qyteti ku zhvillohen ngjarjet, “luledelja” e romanit lëviz, vepron, ëndërron dhe beson që mund t’ia dalë. Të gjitha këto në situatë sa përrallore dhe jetësore dhe ku lulimi përcjell ngrohtësinë bashkë me shijen e saj ëndërrprurëse dhe ëndërrbesuese.

I zhvendosur në kohë gjëmimesh e traumash, ky rrëfim i Elsa Skënderi Rakipllarit është gjithashtu një himn për të rinjtë e rritur pas viteve '90, të pështjelluar edhe sot për të ardhmen e tyre dhe rolin që duhet të luajnë në shoqëri. Ndaj, një ndër veçantitë e romanit, me gjasë ardhur në mënyrë krejt të pavetëdijshme, është lidhja e njeriut (e shqiptarit) me tokën ku ka lerë e ku është rritur. Ndofta për ketë arsye “Krom dhe luledele” mbyllet bash me kthimin në vendlindje, që me kujtime të hareshme a të trishta qoftë, i jep frymë dhe vlerë ekzistencës sonë.

Romani “Krom dhe luledele” ka ardhur me logon e “Botimeve Pegi” dhe do të jetë i pranishëm në Panairin e sivjetshëm të Librit, që do të mbahet nga datat 13-17 nëntor.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Është ndarë nga jeta profesor Grigor Zoraqi, bashkëpunëtori dhe anëtari i “Njësisë së Bioteknologjisë dhe Gjenetikës” pranë Akademisë së

Gjovalin Lazri, mjeshtër i madh i violonçelit, është shuar ditën e sotme. Lazri është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare. 

Një varrezë tumulare e periudhës së Bronzit të Vonë, rreth shek. XV-XII para Erës Sonë është zbuluar në Himarë.

Zyra Vendore Arsimore Durrës në bashkëpunim me Aleancën Franceze Durrës dhe Qendrën Kulturore të Fëmijëve kanë organizuar konkursin "Pran

Përditshmëria e saj është një frymëzim i madh për të.

Përmes një deklarate zyrtare të publikuar në faqen e Radio Televizionit Shqiptar, u njoftua se kanë nisur sot (1 korrik) përgatitjet për

Një grup artistësh durrsakë kanë hapur këto ditë një ekspozitë të përbashkët në galerinë e arteve pamore “Nikolet Vasia”.

Ndahet nga jeta "Mjeshtri i valles popullore", Besim Zekthi. Zekthi është ndarë sot nga jeta ditën e sotme, në moshën 84-vjeçare, pas një

Flamur Bala, është një djalë i ri nga Durrësi, që jeta e ka vënë përpara disa vështirësive të forta, por ai e ka gjetur dritën në shpirti