Atmosferë festive të jashtëzakonshme ka krijuar në amfiteatrin e Durrësit aktiviteti muzikor Karaoke i organizuar nga Bashkia e qytetit dhe të rinjtë durrsakë. Qindra fëmijë e të rinj kanë kënduar e festuar në një mbrëmje magjike plot ngjyra duke u argëtuar si asnjëherë tjetër në një amfiteatër “të ndezur” nga energjia rinore.

Pjesëmarrësit janë ngjitur në skenë sipas dëshirës me këngë shqiptare e të huaja në një karaoke gjigande në arenën e amfiteatrit. Në këtë aktivitet ka përshëndetur pjesëmarrësit kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako e cila garantoi mbështetjen për talentet e reja, por edhe për të organizuar më shumë evente rinore artistike dhe kulturore që gjallërojnë rininë durrsake dhe i japin energji pozitive qytetit.

“Falenderoj të gjithë pjesëmarrësit në një mbrëmje kaq të veçantë. Jo vetëm që ishin spontanë por na treguan se janë talente të vërteta. Një aktivitet mjaft i bukur që zhvillohet në amfiteatër, një nga monumentet më të rralla të Ballkanit, i cili na krijon mundësinë për evente të tilla të mëdha, por me kosto zero. Durrësi ka shumë talente të cilat ne do t’i mbështesim në rrugën e tyre të vështirë e të bukur të artit. Gjithashtu do të nxisim dhe përkrahim më shumë organizime të tilla rinore për të cilat keni nevojë jo vetëm ju, por i gjithë qyteti.” – tha Sako.

Rinia durrsake që mbushte amfiteatrin në këtë mbrëmje muzikore Karaoke ka vijuar të argëtohet për disa orë me rradhë, ndërkohë që kërkesa e tyre ndaj kryebashkiakes Sako ishte shtimi i eventeve të tilla kulturore.