Sa lexojnë durrsakët? Aktivitetet e Bibliotekës së Durrësit për përthithjen e lexuesve të rinj

23/10/2019 - 12:39

Me qëllimin primar për të afruar brezin e ri drejt librit e për t’i tërhequr të rinjtë e të rejat drejt tempullit të dijes, Biblioteka Publike Durrës iu është bashkuar si çdo vit nismave kulturore të ndërmarra në kuadër të fushatës kombëtare të leximit: “Tetori-muaji i leximit”.

Megjithëkëtë, duhet theksuar se libri është gjithnjë në shtëpinë e tij dhe aktivitete letrare e kulturore nuk mugojnë për gjatë gjithë vitit në Durrës, ndërsa tetori spikatet për nga denduria e veprimtarive të tilla.

Duke nisur nga vizitat dhe takimet sensibilizuese e informuese me nxënësit e shkollave 9-vjeçare e të mesme të qytetit (publike e private) në bibliotekë; promovime librash; takimet sensibilizuese me të rinjtë për librin etj, janë disa ndër aktivitetet që ka ndërmarrë këtë muaj Biblioteka Publike Durrës nën drejtimin e Mirela Yllit.

Që nga fillimi i tetorit janë zhvilluar disa vizita të organizuara nga shkollat “Bedrie Bebeziqi”, “Leonik Tomeu”, Medreseja e Kavajës etj, qëllimi i të cilave është për t’i njohur grupet e të rinjve me pasuritë e librave, shërbimet që ofron biblioteka e Durrësit, njëkohësisht edhe për informimin e tyre në lidhje me përdorimin e katalogëve manualë edhe elektronikë, apo gjithashtu edhe faqes online zyrtare “bibliotekadurres.al”, ku azhornohen veprimtaritë dhe projektet që organizohen.

Sakaq, një tjetër takim informues është planifikuar për gjatë ditëve në vazhdim, teksa do të ketë një vizitë nga një grup nxënësish të shkollës “14 Nëntori”, ndërsa pak ditë më parë nën organizimin e BPD-së u promovua edhe libri i fundit i autorit Vaso Papaj, vëllimi i tretë i titulluar “Gongël”, pjesë e triologjisë “Dritë në Humbëtirë”.

(Drejtoresha Mirela Ylli)

Në një komunikim për “DurrësLajm”, drejtoresha Ylli, ka edhe një thirrje për çdokënd, shkollë e institucion, që është i mirëpritur për të organizuar takime frytdhënëse në Bibliotekën e Durrësit, ku specialistët e saj, me dashamirësinë që i karakterizon të gjithë si staf, janë të gatshëm për zhvillimin e këtyre takimeve, sa të ngrohta, po aq edhe të vlefshme për dijen e gjithësecilit.

Por sa lexojnë durrsakët dhe si ka ndryshuar trendi i lexuesve përgjatë viteve të fundit?

Teuta Dhima, bibliografe pranë Bibliotekës Publike Durrës, na tregon se në total janë 3000 lexues aktivë gjatë gjithë vitit, ndërsa sa i takon ndarjes gjinore, femrat janë ato më aktivet. Përgjithësisht trendi i lexuesve është në të njëjtat ritme çdo vit, me një rritje të numrit të lexuesve nga viti në vit, megjithëse jo shumë e lartë.

(Bibliografja Teuta Dhima)

“Kryesisht lexuesit më aktivë janë ata të moshës mbi 35 vjeç, ndërsa ne përpiqemi sa më shumë që të përthithim moshat më të reja. Vlen për t’u përgëzuar puna e mësuesve të Letërsisë që i drejtojnë nxënësit për të marrë titujt e letërsisë së detyruar, dhe nga ana tjetër kur ata vijnë këtu, tërheqin edhe një libër artistik për ta lexuar në kohën e lirë pas studimeve”, thotë Dhima për “DurrësLajm”.

Po ashtu, aktivë janë edhe studentët në universitet, të cilët sipas profileve përkatëse, tërheqin libra apo materiale të ndryshme që iu shërbejnë për studimet e tyre, si studentët e zhanerit të Letërsisë, ata të Historisë, Albanologjisë etj.

Autorët e preferuar kryesojnë po të njëjtët: Modinjani, Danielle Steel, Nicholas Sparks. Nga letërsia greke bashkëkohore Lena Manta; dhe ajo turke Elif Shafak.

Çfarë duhet të dini mbi Bibliotekën e Durrësit...

Pasuria librore e Bibliotekës Durrës është ndër më të pasurat në vend, e cila pasurohet gjatë vitit 3 herë në sektorin shqip dhe nga 1 herë në 3 sektorët e tjerë: ai i Albanologjisë, i Fëmijëve dhe i Gjuhëve të Huaja.

Ndërkohë që çdo ditë në Bibliotekë janë prezentë 13 tituj gazetash; 2 revista mujore të blera, 3 revista mujore të dhuruara, si edhe Fletorja Zyrtare.
Të gjithë autorët nga Durrësi, priren që krijimet e reja letrare që botojnë, t’ia dhurojnë kopjet e para Bibliotekës së Durrësit. Edhe Instituti i Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit nën drejtimin e Agron Tufës është dhurues aktiv për BPD-në.

Që prej fundit të vitit 2014, Biblioteka Durrës është anëtare e Cobiss-it – Biblioteka Virtuale e Shqipërisë. Cobbis është një platformë online, që përfaqëson një model organizativ të lidhjes së bibliotekave në sistemin kombëtar të informacionit bibliotekar me katalogim të përbashkët, me bazën bibliografike (katalogun) të përbashkët të të dhënave.

*Studimi i fundit: Njerëzit që lexojnë, jetojnë më gjatë!

Një studim i ri ka zbuluar se ata që lexojnë të paktën 30 minuta çdo ditë, kanë më shumë gjasa për të gëzuar një jetë më të gjatë. Bazuar në një studim që përfshiu 3.635 njerëz të moshës 50-vjeçare apo më të vjetër, ata që kalojnë kohë të zhytur në një libër, mbijetojnë mesatarisht gati 2 vjet më gjatë se sa ata që nuk e bëjnë këtë. Për ta thënë në një mënyrë tjetër, lexuesit kishte një “përparësi mbijetese prej 23 muajsh”, shkruajnë studiuesit. Gjetjet, të raportuara nga një ekip nga Shkolla e Shëndetit Publik në Universitetin e Jeilit në SHBA, treguan se sa më shumë që njerëzit të lexojnë, aq më tepër ka të ngjarë që ata të jetojnë më gjatë, dhe vetëm 3.5 orë në javë qenë të mjaftueshme për të bërë diferencën. Studimi tregon gjithashtu se leximi ndihmon për të mbajtur mendjen aktive dhe të shëndetshme.

Ndërsa do të nevojiten më shumë hulumtime para se ne mund të konkludojmë që është dashuria jonë për librat ajo që në fakt e nxit jetëgjatësinë, nuk ka asgjë të keqe të filloni të lexoni romanin më të parë që keni mundësi të gjeni. Të kalosh kohë mbi librin, është kohë e vyer. Ndaj, shfrytëzojeni jo vetëm në tetor, por gjatë gjithë vitit!

S.L.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Rivendoset kapaku i ri prej xhami në pusin shekullor te sheshi “Liria” në Durrës.

“Krom dhe luledele” është një roman i cilësuar si himn për të rinjtë e pas viteve 1990.

Prej mëse një viti në protestë kundër shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar, aktori i njohur Neritan Liçaj, shprehet besimplotë se godi

Jeta kulturore në Durrës nisi në muajin nëntor me një shfaqje që u prit mjaft mirë nga publiku, saqë do të vijë edhe këtë fundjavë për pu

Pasditen e së enjtes, në orën 18.00, në sallën e teatrit “Aleksandër Moisiu” në Durrës do të shfaqet filmi dokumentar “Rikthim në Lajpcig

Diana Ziu dhe bashkëshorti i saj, artisti Vangjel Toçe nuk i kanë kursyer fjalët dhe kritikat kundrejt mënyrës se si Vera Grabocka po tra

Është ndarë nga jeta aktori i teatrit të Durrësit, Josif Koci.

100 artistë nga 60 shtete kanë sjellë krijimet e tyre në një ekspozitë “Vetëpeizazh” në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” në Durrës.

Komedia "Nuk dëgjoj, nuk shikoj, nuk flas!" është pritur mjaft mirë në Durrës.

Një fundjavë plot të qeshura premtohet në Durrës pasi në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu” do të vihet komedia “Nuk dëgjoj, nuk shikoj