Shqipëria një dhe njëmijë

04/12/2011 - 00:00

Botuar në 1939

“Shqipëria një dhe njëmijë” është libër i një shkrimtari kontrovers, Indro Montanelli zëmadh (1919-2001): gazetar ndër më të zotët, historian ndër më të shquarit jo vetëm italianë, por edhe europianë. Ai është shkrimtar kontrovers posaçërisht në këtë libër: jo vetëm për nga fryma e një propagande të caktuar ideologjike që fryn faqeve të tij, por edhe për nga ato lajthime të tij historike që mund të na ngjajnë neve sot qesharake; për ndonjë, opinionet që formulon lidhur me çështjen e besimeve të shqiptarëve, për shembull për Krishterizmin orthodhoks apo Islamin shqiptar; po ashtu për një përmasë monomaniake kolonializmi ekonomik e kulturor të cilën, me sa kuptohet, në kohën kur shkruante për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk e ka përmbajtur dot. Montanelli ishte “fashist i thekur”, sikurse kolegët e tij e quanin, por padyshim mund të cilësohet si ndër shkrimtarët më realistë sa u përket pikërisht njohjes, studimit dhe përshkrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo atij nuk mund t’i mohohet. Për këtë arsye, me gjithë pasaktësitë e aty-këtushme që ndeshen në këtë libër të tijin, me gjithë bizaritë apo tuhafëritë, librin e tij është më mirë ta njohim sesa t’ia lëmë pluhurit të bibliotekave italiane. Duke e zhveshur prej leckave të ideologjisë së kohës, me siguri mjaft gjëra do të na mbeten prej leximit të tij: do përfundime që qëndrojnë ende në fuqi dhe që dëshmojnë mprehtësinë e vrojtimit, njëherësh të analizës dhe sintezës, të gazetarit shumë të aftë që ai ishte. Rrjedhinë prej tyre edhe një varg të vërtetash gjithnjë të pazvenitura nga kalimi i kohës, që ndodhen në pikëprerjen e asaj çfarë është historike me atë çfarë është e përjetshme tek shqiptarët.

4. Histori dhe politikë e Shqipërisë

(Pjesa e tretë)

KOMNENËT DHE ANGJEVINËT

 

Mirëpo shqiptarët e shekullit XIII ishin po si shqiptarët e sotëm: jo të vështirë për t’u bërë miq të një të huaji me qëllime të mira, por fort pak të gatshëm për t’iu bërë atij shërbëtorë. Diplomatët napoletanë që ia kishin parapërgatitur aq mirë terrenin Karlit duke i siguruar simpatitë e popullsisë që i njihte të ngjashëm me veten, më shumë të afërt se të huaj, u zëvendësuan prej një kapiteni të përgjithshëm frëng që mëtoi t’i nënshtronte fiset dhe kërkoi për dorëzani dorëzimin e disa anëtarëve të familjeve kryesore vendëse si pengje pranë Oborrit napoletan. Burimet historike janë shumë fjalëpaka për këtë çështje; por, duke pasur parasysh karakterin e shqiptarëve sikurse e njohim, është më së paku e dyshimtë që veprimi t’u ketë pëlqyer atyre malësorëve aq pak të prirur ndaj përdhunës së një mbreti që ata nuk e mbajtën kurrë si mbret sepse të tillë zyrtarisht nuk e shpallën kurrë. Por projektet e politikës lindore të Karlit qenë të gjera dhe më në fund e shqetësuan aq shumë Kostandinopojën sa Paleologët u vendosën për një luftë parandaluese. I mundur në Berat, Karli humbi Krujën dhe praktikisht gjithë brendësinë e vendit; mandej prej perandorit Andronik II iu hoq edhe Vlora. Vetëm Durrësi i mbeti: Durrësi i rrethuar, i çliruar, mandej i marrë nga serbët, mandej së rishti i kthyer angjevinëve.

Sa për shqiptarët, ata u gjendën si thuajse gjithmonë në rrjedhën e historisë së tyre të trazuar: mes kudhrës së shtypësit angjevin dhe çekanit të shtypësit bizantin.
Për më shumë, duke përfituar nga ndarjet e vijueshme dhe nga luftrat e brendshme në të cilat qe kredhur vendi, serbët nga veriu nisën së rishti politikën e tyre ekspansioniste drejt jugut. Por dhe këtyre pushtuesve të rinj-të vjetër shqiptarët u kundërvunë taktikën e tyre të pagabueshme: me të braktisur fushën, kthyen në malësi, te mëma dhe mbrojtësja e madhe e pavarësisë së këtij populli. Të ngujuar mes shkëmbinjve, guximtarë deri në çmenduri, të paepur, i qëndruan pushtuesit duke mbrojtur në autonominë e fiseve të tyre autonominë e tyre të vërtetë dhe të mirëfilltë kombëtare; mandej, të armatosur në çeta të vogla, zbrisnin në lugina duke mbjellë tmerrin mes popullsive të huaja, posaçërisht të Thesalisë, me premtime hakmarrëse. Marin Sanudoja na ka lënë përshkrime shumë të gjalla e ngjyra-ngjyra të këtyre dërgatave ndëshkimore.

Të cilat mbërritën në atë pikë sa perandori Andronik III deshi të hakmerrej ndaj përgjegjësve një herë e mirë dhe në mënyrë shembullore, duke ndërsyer kundër malësorëve sypatrembur forcat ushtarake turke. Qe kjo e para shfaqje muslimane në Shqipëri: dhe fillimi mjafton ai vetëm për të përligjur urrejtjen që do të helmojë për gjashtëqind vjet marrëdhëniet mes dy racave. Për çastin, këtë urrejtje e shtiu në punë me dinakëri mbreti serb Stefan Dushan jo vetëm për të përforcuar sundimin e tij mbi tokët shqiptare (Shkodër) tanimë në zotërim të tij, por për ta shtrirë pak-nga-pak në të gjithë Shqipërinë. Bizantinët afërmendsh që nuk mund t’i kundërviheshin këtij komandanti energjik dhe të shkathët; do të kishin mundur ta bënin këtë po të kishin pasur me vete shqiptarët. Por shqiptarët nuk donin të jepnin e merrnin më me një Bizant që përdorte forca ushtarake turke. Edhe serbët ishin të huaj dhe pushtues, por më lehtë faleshin këto cene sesa mercenarët muslimanë të Andronikut, shkatërrues fshatrash dhe hajdutë bagëtish. Stefan Dushani, zot me virtyte të mëdha civile e ushtarake, e kishte në anë të tij popullsinë e cila ishte e vetmja që mund t’i kundërvihej fuqishëm pushtimit të tij, për sa kohë që Bizanti, i përçarë mbas vdekjes së Andronikut nga luftrat partiake mes Paleologësh dhe Kantakuzenësh, ishte i shtrënguar të tkurej çdo ditë më shumë duke i lënë pa mbrojtje provincat e tij të periferisë.

Në pak vite Stefan Dushani pati Krujën, Beratin dhe Vlorën, ndërsa më 1346, në përfundim të këtyre arritjeve, u kurorëzua në Shkup “car i serbëve, i grekëve dhe i shqiptarëve”. Mandej, me trupa kryesisht shqiptare, vijoi marshimin e tij pushtimtar drejt jug-lindjes, duke nënshtruar Epirin dhe Thesalinë, ku shumë bujarë shqiptarë që kishin shërbyer si komandantë në ushtrinë e tij morën emërime dhe privilegje në vend të arhondëve grekë që fushonin aty më parë nën shënjesën bizantine dhe që popullsitë vendëse i kishin vështruar me urrejtje legjitime.

Kështu Shqipëria pësoi një të kushedisatën rindarje: Durrës, Butrint dhe Lepant u mbetën angjevinëve, ose më mirë me thënë familjeve shqiptare të lidhura ngushtë me angjevinët, si ajo e Tanush Topisë, por të kufizuara në qytetet; Shkodër dhe Celisë iu kthyen nga Stefan Dushani venedikasve që, duke ndjekur sjelljen e tyre tradicionale të mosndërhyrjes, nuk ishin lidhur asnjëherë me Bizantin në orvatjet për shkombëtarizim të vendit dhe për shkelje të së drejtave të tij për vetëvendosje. Gjithë pjesa tjetër, nën sovranitetin emëror të Stefan Dushanit, qe në të vërtetë e pavarur nën krerë vendës që në emër të tij administronin. Qe kjo në të vërtetë një epokë lulëzimi relativ: bujqësi, kulturë e drithrave dhe kulturë e ullirit u zhvilluan në atë shkallë sa, me gjithë latifondizmin mbizotërues që e poshtëronte katundarin në nivelin e bujkrobit, përpos se t’u mjaftonin nevojave të vendit, përbënë edhe mall eksportimi duke ushqyer trafiqet që venedikasit vinin duke i zhvilluar e përkryer mes njërit dhe tjetrit prej porteve të ndryshme shqiptare dhe mes këtyreve dhe botës së jashtme, veçanërisht Italisë.

Pikërisht në këtë periudhë tregtarët e së Shumëkthjelltës Republikë, duke përshkuar trevën, fusin aty kulturën e krimbit të mëndafshit dhe themelojnë zyra për blerje dhe tregtim lëndësh drusore, lëkurnash, krype të detit, sere. Qe kjo stina e madhe e Vlorës, që lëvonte prej galerash venedikase dhe raguzane. Ngase Durrësi, i goditur prej tërmetit dhe i kërcënuar prej mbathjes me rërë, rrezikonte të përfundonte si Apolonia. Por kudo që një lumë të gërryente në bregdet një zgavër a një grykajë, venedikasit bënin stacion dhe përcillnin mallra; Shën Shirgji, për shembull, te gryka e Bunës, i shërbente si port Shkodrës. ku lulëzonte tregtia e ngjalave dhe e saragave. Anijet mbërrinin me ngarkesa armësh dhe vozgash vere dalmate; niseshin së rishti me lëkura të punuara dhe mishra gjedhi. Mandej karvane mallrash të bartura me mushka kryqëzoheshin përgjatë luginave të lumenjve të mëdhenj duke i bërë të vijueshme marrëdhëniet mes Perëndimit dhe popullsive edhe të brendësisë së vendit që, ndonëse duke u qëndruar besnike dokeve dhe zakoneve të tyre të lashta, ndienin ndikimin sidomos venedikas, posaçërisht disa familje bujare që me të Shumëkthjelltën Republikë kishin ruajtur lidhje të drejtpërdrejta. Të shihen, për shembull, kishat e hapërdara mes maleve: stili i tyre është gotiku dhe romaniku i filtruar nëpërmes shijes së arkitektëve të Republikës.

Por epoka e mbrothësisë qe e shkurtër. Me vdekjen e Stefan Dushanit, që ndodhi më 1356, pushteti qendror që, në duart e këtij mbreti me dorë të fuqishme, pati qenë gjithnjë i qëndrueshëm pa u bërë tiranik, u shprish duke e fikur atë vezullim të parë njësie që nën mbretin serb kishte filluar të nëpërdukej përtej terreve mesjetare. Me vdekjen e tij, ambicje autonomiste shpërbërëse, rivalitete familjare, luftra të brendshme guerilje u përgatisin truallin pushtimesh të reja të huaja, kësaj here edhe më fillzeza se të mëparshmet për jetën shqiptare. Në veri qenë Balshët, trashëgimtarë të një qeverisësi të Stefan Dushanit me preardhje me gjasë rumune që, duke përfituar nga dobësia e mbasardhësit Urosh, prenë për vete një rriskë territori mes Shkodre dhe Prizreni me kryeqytet Shkodrën, dhe u bënë zotër të saj.

Mandej, si u përforcuan, u vunë në marshim pushtimtar nëpër rrugën klasike të të gjitha pushtimeve: nga veriu në jug, nga Shkodra në Berat, në Vlorë, në Gjirokastër, duke u bërë aleatë me Dukagjinët, tjetër dinasti e vogël që nis e ngrihet mbi gërmadhat e mbretërisë serbe, zotër të Lezhës. Por edhe Muzakët rriten për nga pasuria dhe autoriteti në trevën që mban emrin e tyre, ndërsa në Durrës Topiat vasalë të Napolit; mandej Dushmanët, Spanët, Kamonat. Në veri, gjendje e njëjtë: në Ohrí Gropat, Shpatat në Artë, Toccot në Epir. Copëzimi është i plotë, çbashkimi në kulm. Procesi unitar që nën mbretërimin e Stefan Dushanit kishte nisur të skicohej dhe që do të kishte mundur të përbënte një garanci kombëtare kundër të huajit, ndërpritet në mënyrë të beftë. Çdo fis është një krye, çdo krye është një despot, çdo despot është në luftë kundër despotëve të tjerë. Interesi i individit flijohet për interesin e fisit, por ai i fisit nuk flijohet për interesin e kombit. Gjithçka është me “kthina” të veçuara mirë, përfshi gjeografinë dhe organizimin social: çdo klasë është një kastë; çdo kastë është e mbyllur në vetvete, pa mundësi osmoze me të tjerat në interesin sipëror të vendit.

Pikërisht në këtë çast, që përkon me fundin e shek. XV jo më pak se me atë të Bizantit, pikërisht në këtë çast nga Lindja çfaqen turqit.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Në këto ditë të vështira për secilin prej banorëve të Durrësit, e sidomos për fëmijët, të cilëve mungesa e shkollës nuk u jep mundësi tan

Në galerinë e arteve pamore "Nikolet Vasia" të Durrësit është çelur një ekspozitë me piktura me rastin e 28 dhe 29 Nëntorit.

Shirli Valentina është kthyer në Durrës, në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, aty ku mori jetë dy vjet më parë.

Një takim për promovimin e tri librave të autores Gladiola Busulla Jorbus, që mblodhi njerëzit e kulturës dhe të apasionuarit e librit në

Pasi u shpall “Aktorja më e mirë” në Festivalin Ndërkombëtar të Teatrit "Othello", që u zhvillua në Gostivar të Maqedonisë së Veriut, Olt

Biblioteka publike e Durrësit organizoi këtë të hënë ekspozitën tematike “Lufta e Dytë Botërore në Shqipëri”, në kuadrin e 75-vjetorit të

Libri “Koha për politikë”, i ish-deputetes së PD-së, Grida Duma është një nga të shumtët që është prezantuar në panairin e librave dhe ka

Panairi i Librit 2019, një ndër aktivitet më të rëndësishëm të autorëve, botuesve, përkthyesve etj, me pjesëmarrje të 100 shtëpive botues

Çmimet e Panairit të Librit “Tirana 2019” u ndan sot në Pallatin e Kongreseve.