Shqipëria një dhe njëmijë

11/12/2011 - 00:00

Botuar në 1939

“Shqipëria një dhe njëmijë” është libër i një shkrimtari kontrovers, Indro Montanelli zëmadh (1919-2001): gazetar ndër më të zotët, historian ndër më të shquarit jo vetëm italianë, por edhe europianë. Ai është shkrimtar kontrovers posaçërisht në këtë libër: jo vetëm për nga fryma e një propagande të caktuar ideologjike që fryn faqeve të tij, por edhe për nga ato lajthime të tij historike që mund të na ngjajnë neve sot qesharake; për ndonjë, opinionet që formulon lidhur me çështjen e besimeve të shqiptarëve, për shembull për Krishterizmin orthodhoks apo Islamin shqiptar; po ashtu për një përmasë monomaniake kolonializmi ekonomik e kulturor të cilën, me sa kuptohet, në kohën kur shkruante për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk e ka përmbajtur dot. Montanelli ishte “fashist i thekur”, sikurse kolegët e tij e quanin, por padyshim mund të cilësohet si ndër shkrimtarët më realistë sa u përket pikërisht njohjes, studimit dhe përshkrimit të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Kjo atij nuk mund t’i mohohet. Për këtë arsye, me gjithë pasaktësitë e aty-këtushme që ndeshen në këtë libër të tijin, me gjithë bizaritë apo tuhafëritë, librin e tij është më mirë ta njohim sesa t’ia lëmë pluhurit të bibliotekave italiane. Duke e zhveshur prej leckave të ideologjisë së kohës, me siguri mjaft gjëra do të na mbeten prej leximit të tij: do përfundime që qëndrojnë ende në fuqi dhe që dëshmojnë mprehtësinë e vrojtimit, njëherësh të analizës dhe sintezës, të gazetarit shumë të aftë që ai ishte. Rrjedhinë prej tyre edhe një varg të vërtetash gjithnjë të pazvenitura nga kalimi i kohës, që ndodhen në pikëprerjen e asaj çfarë është historike me atë çfarë është e përjetshme tek shqiptarët.

4. Histori dhe politikë e Shqipërisë

(Pjesa e katërt)

PUSHTIMI TURK

Me turqit Shqipëria kishte bërë të njohur, si thamë, më se gjysmë shekulli më parë për shkak të veprimit të padenjë të perandorit Andronik që i kishte marrë me pagëtyrë mes mercenarëve të tij, dhe takimi doemos nuk i pati ngazëlluar shqiptarët. Por më keq qe kur ushtarët e Muhametit dhe, më këmbë të tij, të Muratit II kthyen së rishti në rajon për llogari të tyre për të ndërmarrë aty kolonizimin kuranor. Pengesa në rrugën e tyre nuk gjetën dhe ato që gjetën ishin aq të brishta sa u patën hequr tej si ledhe kartoni. Qysh gjatë mbretërimit të Dushanit Islami kishte mbërritur në Galipojë. Ndërsa mandej, në Ballkan, posaçërisht mbas betejës së Adrianopojës (1375), ai i ra kryq-e-tërthor brendësisë së vendit duke u shtyrë deri në malet e kufirit shqiptar.

Kërcënimi i afërt i shtyu popujt e Gadishullit ballkanik të kërkonin një platformë marrëveshjeje dhe mbi këtë të ndërtonin një front të vetëm qëndrese. Qe ky bashkimi serbo-bullgaro-shqiptar, një marrëveshje luhatëse ushtarake, që më 15 qershor 1389 nuk e mbajti në Kosovë goditjen kundër armikut edhe më nuk u përtëri për t’ia vënë atij në diskutim fitoren. Gadishulli i gjithë ra në pushtet të turqve dhe mbeti në të për më shumë se pesë shekuj.

Pikërisht në këtë çast sipëran Venediku u dha shqiptarëve provën e re të madhështisë së politikës së tij. Ndërsa sundimet e ndryshme të huaja që kishin ndjekur njëri-tjetrin në vend binin nën shtytjen e pushtuesve të rinj, ndërsa shpërbëheshin qeverisjet e vogla krahinore të përftuara aty me nismën e vasalëve më të zotë, Venediku u bënte ballë osmanëve dhe, mbrojtës i krishterë i Shqipërisë së krishterë, ngrinte aty murin e madh të fuqisë së tij adriatike. Pikërisht ai e mblodhi në dorë trashëgiminë e kontëve dhe arhontëve dhe mbretërve dhe despotëve të ndryshëm që ndiqnin njëri-tjetrin në vend; ai, duke luftuar me turqit për çdo pëllëmbë trualli, u lejoi shqiptarëve të organizonin qëndresën. Prej Balshëve, të mundur e të vrarë nga muslimanët (i fundmi, Gjergji, trashëgimtar edhe i Komnenëve nëpërmjet martese, u pat zënë rob) Venediku pati Shkodrën dhe Drishtin; prej Topiave pati Durrësin. Në atë përdegëzim pushtetesh të krijuara, e Shumëkthjellta Republikë qe e vetmja që përballoi përgjegjësitë e çastit duke zëvendësuar zotërithët në shembje e sipër dhe duke mbështetur autonomitë rajonale në të cilat, për t’u mbrojtur më mirë, copëzohej kombi. Në Durrës u tërhoqën disa prej familjeve më bujare shqiptare pikërisht për t’u shpëtuar agresioneve turke duke u strehuar në hijen e flamurit të Shën Markut: Arianitë dhe Shpata, Zaharia dhe Dukagjinë. Një prej këtyre Dukagjinësh, pikërisht, ia lëshoi Lezhën Republikës që emëroi aty një qeveritar të sajin dhe e shndërroi në një fortesë-pritë të vërtetë e të mirëfilltë kundër përparimit osman drejt veriut, ku malësorët mund ta vijonin së rishti të pashqetësuar, ose pak të shqetësuar, misionin e tyre historik prej ruajtësish të autonomisë shqiptare, prej vestalësh të zjarrit kombëtar. Dhe edhe Kruja qe venedikase, në urdhrat e një vasali të Republikës, një Topia, nga familja e zotërve të Durrësit, deri më 1415.

Venediku mbronte, luftonte, punonte. Të tijat janë veprat e fuqishme të rimëkëmbjes së portit të Durrësit të cilit iu shpëtua laguna dhe rindërtua ledhi i pengesës. Deri edhe e veja e Balshës III që, duke ruajtur ende disa zotërime, kishte gjithashtu edhe ambicje, ose më mirë iluzione, dhe mëtonte t’i kundërvihej hegjemonisë vendikase, më së fundi e njohu nevojën e tij dhe atij iu drejtua për mbrojtje. Mandej, ngase masa dilte e pamjaftueshme, mendoi madje t’ia shiste së Shumëkthjelltës Republikë zotërimet e saj ose, së paku, pjesën bregdetare të tyre dhe traktativat e gjata u ndërprenë nga vdekja e mbretëreshës që i ofronte Shën Markut provincat e saj adriatike (Vlorën, Kaninën, Himarën dhe kullën e Pirgut) me çmime përnjëmend falimentimi: për 9000 dukate.
Por ishte tepër vonë. Duke i dalë përpara kalimit të zotërimit nën Venedik, kundërshtar shumë më i fortë për ta shkulur vendit në krahasim me mbasardhësit e Balshëve, turqit e pushtuan trevën dhe, duke i siguruar kështu vetes daljen në Adriatik, e bënë atë bazë të veprimit të madh që tanimë përgatisnin kundër qytetit të lagunave, kundër atij qyteti të pacipë palafitash që guxonte t’i tregonte vendin perandorisë së tyre duke e rrezikuar atë pikërisht në terrenin e vet: në det. Të vendosur në Janinë, si shtinë në dorë Artën prej nga dëbuan zotërit napoletanë Tocco që e panë veten të katandisur në zotërim vetëm të Qerfalonisë dhe të Zantës, duke u hapur dhe duke depërtuar gjithnjë më shumë brenda Shqipërisë me një varg luftrash guerilje më të përgjakshme ndoshta se një luftë e hapur, përgatiteshin për luftën vendimtare kundër Venedikut, zot i trafiqeve dhe mbrojtës i autonomive rajonale të krishtera të këtij populli larë në gjak. Por mbrojtës dhe të mbrojtur u dëftuan të denjë njëri për tjetrin: ndërsa Luani i Shën Markut u zinte osmanëve vendkalimet adriatike dhe u vononte marshimin ngadhënjimtar, shqiptarët organizonin në brendësi të vendit qëndresën.

Të shpëtuar në majat e maleve të tyre të ashpra, rioganizoheshin tani në çeta, teptisnin në veri përtej kufijve dhe ripopullonin treva deri atëherë të mbajtura nga serbët; ndërsa drejt jugut dhe rrafshultës zbrisnin për të bërë luftë guerilje duke riogranizuar bërthama dhe fise kryeneçësisht kundërshtarë të Islamit, duke u prirur gjithnjë më shumë nga Venediku dhe duke ia lehtësuar atij detyrën mbrojtëse; ndërsa popullsitë e Shqipërisë së mesme dhe jugore, më të pambrojtura dhe më pak lufëtare, ndoshta edhe më pak të vendosura në fushë shpirtërore e fetare si rrjedhojë e kolonizimit greko-ortodoks, e pranonin më përunjësisht pushtuesin turk ose mërgonin në territore greke, në Atikën dhe në Argolidën, në Lakoninë dhe në Arkadinë, në Eubenë dhe në Cikladat, ku pranoheshin, shpesh kërkoheshin, nga zotërit vendës, nga Acciaiuolot, qeveritarët vendikas, perandorët bizantinë. Këta mërgimtarë mandej mbetën. Ende sot në ato troje lulëzojnë koloni shqiptare, mbetur të bashkuara dhe mjaft të huaja ndaj vendit që i përbuan, folëse të toskërishtes së tyre, besnike ndaj traditave të tyre, dokeve dhe zakoneve të tyre.

SKËNDERBEU

Në këtë çast sipëran, në të cilin shqiptarët e rraskapitur mend po i shtrohen mundjes, shfaqet heroi i Krishterimit, Skënderbeu, për të ndriçuar me një flakërim të mbramë lavdie perëndimin e Perëndimit në Shqipëri.

Gjergj Kastrioti ishte bir i një zoti të vogël të Matit: një familje jo nga më të famshmet dhe më të fuqishmet, por nga më të lidhurat dhe lufëtaret. Ati i tij Gjon, qytetar nderi i Venedikut, ishte zot i një territori që shtrihej mes Dibre dhe kepit Rodon, vasal i turqve tanimë zotër të krahinës, por vasal i pabindur, i pakthyeshëm në fenë e Muhametit dhe kryeneçësisht kundërshtar i sunduesve të rinj. Ndoshta edhe për ta pasur më mirë në dorë, turqit i morën peng të birin Gjergj, e shpunë në Stamboll, ia ndërruan emrin në Skënder dhe e detyruan të përqafonte besimin islam e të futej në ushtritë e Muhametit.

Ishin ato vitet në të cilat Ladislau Mbret i Hungarisë dhe mëkëmbësi i tij Jan Hunyadi prinin në kryengritje popullsitë e krishtera dhe në Nisë i prisnin udhën Gjysmëhënës duke ia ndjekur hordhitë deri në Bullgari. Kjo fitore kumboi si bori kryengitjeje mes banorëve së Shqipërisë së mesme ende në armë, të përkrahura nga Venediku, kundër turkut. Skënderbeu, që luftonte në ushtritë e Sulltanit, ndjeu thirrjen e atdheut të tij të vërtetë dhe të fesë së tij të vërtetë, iku mes të tijve dhe në Krujë organizoi qëndresën kombëtare kundër pushtuesit.
U mbajt për njëzetekatër vite. Dhe jo të gjitha sipërmarrjet e tij janë historikisht të vërtetueshme, ngase legjenda i ka bërë një pjesë të mirë syresh lëndë këngësh dhe fanatazish. Por është e vërtetueshme dhe e vërtetuar që më 1444 ia doli të formonte “Lidhjen e Shqiptarëve” në Lezhë, duke kryer mrekullinë, deri asihere të pandodhur kurrë, e bashkimit në një front të përbashkët të atij vendi të copëzuar e të përçarë: dhe Dukagjinë dhe Dushmanë dhe Spanë dhe Topia dhe Muzakë harruan mosmarrëveshjet dhe xhelozitë e tyre familjare, duke flijuar interesat e tyre të veçantë për interesat sipërorë të kombit. Dhe Venediku dhe Napoli dhe Papa i Romës njihnin tek ai Prijësin e madh të Perëndimit kundër Lindjes dhe me këtë cilësi i qenë aleatë.

Murati II erdhi ta rrethonte në Krujë dhe, i mundur, atij iu desh të tërhiqej. Gjithë Krishterimi përreth ishte në shpartallim e sipër, Shqipëria mbetej i vetmi ishull i krishterë në Gadishull. Kundër saj u kthye edhe mllefi i Mehmetit II, që nuk qe më fatlumë se i ati: dy rrethime të njëmbasnjëshme të Krujës dështuan, sulltanit iu desh të tërhiqej duke kërkuar paqe. Shpallja e Kryqëzatës nga ana e papës Piu II e gjeti Skënderbeun të gatshëm për t'iu përgjigjur thirrjes. Ai ishte i famshëm në Itali, ku kishte ardhur të luftonte për Ferranten e Napolit dhe i kishte lënë vetes zë të madh. Nga Napoli, nga Venediku, nga Papa, Skënderbeu pati ndihma. Ai e thyente paqen më 1463, vërvitej në Ohri mbi ushtritë e Mehmetit dhe i shpartallonte ato përgjakshën.

Qe i fundmi suksesi i tij, qe i fundmi sukses i madh i Krishterimit. Me vdekjen e Piut II, Kryqëzata dështoi: Venediku dhe Napoli, të rraskapitur prej krizash të brendshme, nuk mundën më ta mbështesnin në mënyrë të fuqishme orvatjen e Prijësit të madh shqiptar për ta shtrirë zotërimin e tij drejt Lindjes. Turqit, që kishin nxjerrë mësime nga ai varg mundjesh, nuk ndoqën më taktikën e agresionit, por u vunë të fortifikonin pozicionet e tyre në Shkumbin të mesëm duke e sflilitur kundërshtarin me një veprim të ngadalshëm, gërryes, anësor, pa beteja vendimtare, pa zbritur në fushë të hapur. Me këtë taktikë e detyruan të dorëzohej Beratin dhe i bllokonin armikut çdo mësymje të mundshme duke ia zënë kalimin me fortesën e Elbasanit.

Vetëm Skënderbeu mbeti, i panënshtruar, në armë kundër Gjysmëhënës, deri në vdekjen e tij. Vdiq në Lezhë, më 1468, prej ethesh.   

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Banda frymore e qytetit të Durrësit ka dhënë mbrëmjen e së premtes një koncert për artdashësit para Qendrës Kulturore “Aleksandër Moisiu”

Autori Vaso Papaj ka prezantuar pasditen e djeshme vëllimin e tretë të titulluar “Gongël”, pjesë e triologjisë

Revista për letërsi dhe kulturë e Universitetit të Oklahomas ka njoftuar mbrëmjen e së mërkurës së shkrimtari shqiptar Ismail Kadare ka f

Violinistët Florian dhe Daniel Vlashi, babë e bir, kanë qenë përkrah njeri-tjetrit në të njejtin pult gjatë koncertit të fundit të Orkest

Ditën e sotme është ndarë çmimi më i madh i fushës së letërsisë, ai "Nobel", ku fitues janë shpallur një austriak dhe një polake.

Në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit gjatë këtij muaji janë programuar disa shfaqje teatrale nga trupa dramatike e qytetit.

Këngëtari i njohur Zija Saraçi, një zë mjaft i dashur për shumë breza durrsakësh ka marrë një vendim drastik.

Amfiteatri antik i Durrësit mikpriti fundjavën e kaluar një ansambël artistik nga Suedia.

Të martën dhe të mërkurën, në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës vjen për publikun tragjedia “Salome”.

Dashamirës të letërsisë të pasionuar pas lojërave të fatit kudo në botë, gëzohuni!!