Nga Gëzim Kabashi

Libri “Shtatë Mbretërit Taulantë” trajton historinë dhe jetën politike, sociale dhe ekonomike të qytetit të Durrësit që nga themelimi deri në fillim të erës së re dhe synon të lidhë krijimin e qytetit me ilirët taulantë, banorët e parë të qytetit antik.

Vepra historike është shkruar nga Prof. as. Dr. Hava Hidri e cila ka një përvojë afro 40-vjeçare në fushën e arkeologjisë dhe është publikuar nga shtëpia botuese “Globus R.”.

Duke u mbështetur në burimet antike dhe botimet e deritanishme, autorja u jep një vlerësim dhe lexim të ri historik gjetjeve arkeologjike në Durrës dhe në rrethinat e tij. Sipas autores Hidri, historia e qytetit lidhet që në fillimet e tij me ilirët taulantë dhe jo me kolonizimin nga helenët.

Bashkë me legjendat për themelimin e qytetit, që vijnë nga thellësia e shekujve, si dhe interpretimet e reja të fakteve historike që lidhen me historinë e qytetit me të kaluar të lavdishme prof. Hava Hidri ka rindërtuar në 105 faqet e librit dinastitë e mbretërve ilirë që udhëhoqën Durrësin për afro 7 shekuj radhazi.

Duke iu referuar shprehjes së historianit të shquar mesjetar Marin Barleti se “Durrësi është një qytet me fytyra mbretërish dhe perandorësh”, autorja Hidri rendit bashkë me emrat e mbretërve themelues të qytetit Dyrrahut dhe Epidamnit edhe pesë mbretërit e tjerë ilirë: Galaurin, Grabo i Parë, Glauku, Monuni dhe Mytili. Libri është një udhëtim i këndshëm 7-shekullor në historinë e qytetit me një jetë intensive 3000-vjeçare.

Ai jep të dhëna të vlefshme për zhvillimin e vrullshëm të qytetit në kontekstin Mesdhetar. Shkëmbimet tregtare, organizimi politik, të dhënat demografike dhe topografike, roli i gruas në shoqërinë ilire dhe vlerësimi shkencor i materialit qeramike të zbuluar gjatë ekspeditave dhe zbulimeve të shekullit të kaluar janë disa nga trajtesat interesante të prof. Hava Hidri në një nga përpjekjet e para shkencore të këtij lloji për të rindërtuar historinë e qytetit që vazhdon të mbijetojë pavarësisht nga tërmetet dhe luftërat shkatërrimtare.

“Shtatë mbretërit taulantë” ka një bibliografi shumë të pasur dhe, përveç një përmbledhjeje të shkurtër në gjuhën angleze, është i pajisur me afro 40 foto dhe skica të zbulimeve. Hava Hidri është autore e gjashtë librave me temë nga historia e qytetit antik të Durrësit.