Është ndarë nga jeta në moshën 86-vjeçare regjisori i mirënjohur shqiptar, Fehmi Hoshafi. Lajmin e hidhur e ka dhënë Qendra Kombëtare e Kinematografisë, duke shprehur edhe ngushëllimet për familjen e regjisorit të ndjerë.

Hoshafi ka qenë regjisori i disa prej filmave më të bukur të kinematografisë shqiptare, si ‘Kapedani’, ‘Shoku ynë Tili’, ‘Zëvëndësi i grave’, etj.

Fehmi Hoshafi lindi në Tiranë më 28 shtator 1934. Filloi të punojë në kinematografi si asistent i regjisorëve veteranë Hakani dhe Kristaq Dhamo, në filmat e tyre Toka jonë, (1964) ; Vitet e para, (1965); Oshëtimë në bregdet, (1967); Gjurma, (1970). Në vitin 1968 realizoi vetë spektaklin “Estrada në Ekran”, i cili u xhirua nga Kinostudio në formën e një filmi artistik.

Prej suksesit që pati ky film, i’u besua më vonë, në vitin 1972, regjia për kinokomedinë aq të dashur Kapedani, të cilin e realizoi së bashku me regjisorin Muharrem Fejzo. Ky film shënon lindjen e kinokomedisë në kinematografinë shqiptare e që u pasua më vonë me kinokomedi të tjera po aq të dashura nga regjisori Hoshafi: Ëndërr për një karrige, (1984) dhe Zëvendësi i grave, (1987).

Në periudhën 1976 – 1990 realizon edhe filma të tjerë artistikë dhe dokumentarë, ndër të cilët, filmi “Shoku ynë Tili”, i cili nderohet me çmim në Festivalin Ndërkombëtar për Fëmijë e të Rinj, Giffoni, në Salerno, Itali. Redaksia e rtsh.al shpreh ngushëllime për këtë humbje të madhe për familjen dhe artin kinematografik shqiptar.