Skulptori i njohur durrsak Idriz Balani ka realizuar një tjetër skulpturë në Kosovë. Një ditë më parë, në fshatin Irzniq të Deçanit, Kosovë është bërë përurimi i bustit të dëshmorit. Maxhun Çekaj. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast merrte pjesë edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj.

Busti i realizuar nga Idriz Balani u vendos në lulishten para shkollës, që mban emrin e dëshmorit. Maxhun Çekaj ka qenë nxënës dhe më pas mësues i kësaj shkolle. Ai humbi jetën në vitin 1998, ndërsa ishte në rradhët e UÇK-së dhe luftonte për lirinë e Kosovës.

Skulptori i njohur durrsak, Idriz Balani ka një bashkëpunim mjaft të ngushtë me autoritetet në Kosovë dhe ka realizuar një sërë skulpturash për heronjtë e UÇK-së që humbën jetën në luftë me trupat serbe.

Ndërkohë, në Itali, në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar, u përurua një tjetër skulpturë e Balanit.

Busti i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu u vendos në parkun “Eunice Kennedy” në qytetin e Parmës, Itali, më 8 dhjetor 2019. Qyteti i Parmës u bë kështu i pari qytet në veriun e Italisë, që promovoi një iniciativë të tillë.