Edicioni i shtatë i Festivalit Ndërkombëtar “Albania dance meeting” ngriti siparin e tij mbrëmjen e së dielës. Aktiviteti kulturor ku marrin pjesë gjashtë trupa nga vende të ndryshme të Europës këtë herë nuk do ta ndalë hapin vetëm në Durrës, por stacione të tij do të jenë edhe qytetet e Tiranës dhe Korçës.

Trupat pjesëmarrëse nga Italia, Norvegjia, Maqedonia, Kosova, Gjermania dhe trupa shqiptare e kompanisë “Albanian dance theatre company” është parashikuar të japin 10 shfaqje në teatrot e këtyre tre qyteteve. “Festivali ka krijuar një traditë të përvitshme dhe synon të bëhet arenë e shprehjes së aspiratave krijuese të artistëve nga vende të ndryshme”,- tha drejtori artistik i tij, koreografi i njohur Gjergj Prevazi.

Trupa shqiptare ishte planifikuar të performonte e para. Pjesëtarët e saj sollën në skenën e pallatit të kulturës “Aleksandër Moisiu” veprën “Dasma”. Krahas performancave të grupeve pjesëmarrëse, gjatë ditëve të festivalit do të ketë edhe performanca solo nga artisti kosovar Labinot Rexhepi, ai shqiptar Ardit Logu si dhe kërcimtari maqedonas Kire Miladinovski.

Premierë botërore për edicionin e sivjetshëm do të jetë spektakli “Ndeshje kulturash”, i cili do të realizohet përmes bashkëpunimit të artistes gjermane Katharina Machenka Horn me koreografin Gjergj Prevazi. Interesante priten të jenë edhe dy premierat e trupës italiane nga Verona “Ersilia danza”, që do të sjellë për publikun shqiptar veprën “Kësulëkuqja”. Festivali i sivjetshëm do të ulë siparin e tij në datë 15 tetor.