Nga Shpendi TOPOLLAJ

Sapo përfundova librin me poezi dhe proza poetike “Lus Tokën” (2M printing), i cili nis me valë deti e mbyllet me një pus që thahet prej mallit. Është libri i parë i autores Teuta Dhima, e cila ka zgjedhur të kuvendojë në çdo faqe të tij me Natyrën. Nga kjo bibliografe mjaft e edukuar, që me pamjen dhe sjelljen e saj e zbukuron akoma më shumë shtëpinë e librit në Durrës, nga kjo njohëse pasionante e letërsisë, e cila ka punuar plot dashamirësi për propagandimin dhe përhapjen e veprave të shkrimtarëve të ndryshëm, prej kohe e kemi pritur librin e saj.

Por mesa duket, ajo nuk është ngutur, pasi ka kërkuar të paraqitet sa më denjësisht para lexuesve. Dhe e ka realizuar më së miri këtë, duke krijuar edhe përshtypjen se rruga e krijimtarisë për të sapo ka filluar. Gjithmonë kam pasur bindjen se ajo që shkrimtari hedh në letër, më shumë se nga mendja apo dora, del nga shpirti i tij. Ja pse edhe Ralph Waldo Emersoni, filozofi dhe eseisti amerikan, autor i “Natyra” thosh se “Natyra gjithmonë vesh ngjyrat e shpirtit”. Ka një lidhje të përhershme mes tyre, aq sa De Nervali nga ana e tij shprehej se edhe “Çdo lule është një shpirt që shpërthen në natyrë”.

Ja pse dhe Teuta ka zgjedhur t`i drejtohet Natyrës sikur bisedon me një shoqen e saj të dashur. Për të mos u keq kuptuar, më duhet të sqaroj se bisedat e Teutës me Natyrën nuk kanë asnjë lidhje me naturalizmin e predikuar nga Emil Zolai, që deri diku çoi në metodat pozitiviste të paraqitjes së saj me besnikëri skrupuloze. Ca më shumë, në poezitë e saj nuk ka asgjë të ngjashme me Animizmin primitiv apo Antropomorfizmin, ku forcat e natyrës vishen me veti njerëzore.

Ajo, në Natyrë kërkon dhe gjen Muzën e tingujve për simfoninë e saj, aty zbulon krahasimet, metaforat dhe figurat për zbukurimin e fjalëve që artikulon, asaj dhe vetëm asaj mund t`i besojë deri në fund të fshehtat që i mban të kyçura zemra e saj e ndjeshme. Ja pse ajo e quan Hënën, mikja ime e heshtur e pagjumësisë apo siç thotë vetë “në qiellin mbrëmësor… Në paqen mëngjesore… “Çdo grua duhet të jetë zanë në pyll ëndrrash”. Edhe pëllumbat vallëzojnë në shi, pa ju trembur erërave.

Teuta e sheh edhe një luleborë të veshur si vashë e bukur e plot naze dhe këngën kushtuar asaj e konsideron një himn të vërtetë, një këngë pakohësie. Në kohën që jetojmë, pra tani që stinët janë çoroditur dhe nuk përfillin asnjë kalendar, dimri asaj i duket si i vetmi burrë mes tri grash… Pra ajo e sheh Natyrën si Njeri dhe Njeriun si Natyrë. W. S. Gilberti kishte kuptuar më herët se “Unë jam biri i natyrës dhe asaj i ngjaj”. Nga kjo, askush nuk duhet të habitet kur autorja pyet: “A ndien mall mali për gjithë retë që e kanë përqafuar?” dhe mendimet e saj i përqas me “Zogj të përhumbur mbrëmjeve”.

Po kështu, kur i drejtohet Askujt, i thotë: “Lus qiellin të të ngrohë me rreze dielli. Lus tokën të bëhet e begatë nën shkeljen tënde”. Pra nuk uron atë Askushin që të ketë fat të mbarë me miq, punë e para. Dhe lutja e saj kur merr përmasa mistike, u kthehet qirinjve që asaj i ngjasin si selvi degëdrejta që shpojnë qiellin kryelarta dhe vetëm pse nuk flasin, nuk arrijnë të tregojnë mes asaj qetësie të amëshuar, sa lot kanë rënë mbi flakën e tyre. Gjithkujt që lexon poezitë e Teutës, i duket sikur ajo kërkon t`i ikë realitetit që po jetojmë, ku siç thotë te “Veç një lojë”, burrat e kërrusur luajnë bilardo duke thithur thellë duhan, kur fare pranë tyre një djalë u bën reklamë kurorave për udhëtimin e fundit.

Edhe tema e dashurisë, gati mbetet e padukshme, por me pak vëmendje do vësh re se ajo shfaqet me tërë madhështinë e saj në çdo fletë. Është një dashuri e pastër, ku “Unë dhe ti nuk kemi nga një këngë të vetën”, por “Të gjitha këngët janë vetëm për ne”. Por, jeta si jeta; ndodh që gruaja të mbetet labirinteve… se ashtu sikurse nuk e kuptoi kurrë misterin e zbehjes së të kuqes së Onufrit, pasi vesh fustanin e gjelbër të gjetheve në pranverë, mantelin e kuqërremtë në vjeshtë dhe shtrëngon krahët rreth trupit të zhveshur në dimër, kërkon ngjyrën e dashurisë, duke na nxjerrë mallin e Ekos së shkretë të mitologjisë.

Tek lexon “”Lotët e artë” sepse trishtohesh kur sheh se poetje ka zgjedhur Anne Marie Zilberman – in, në portretet e së cilës, jo vetëm te Freyja ka shumë lot grash, deri edhe në flokët edhe veshjet e tyre. Sikurse ka edhe kujtim për puthjen e zjarrtë, nga e cila të gjitha lotojnë ëmbël dhe artë, “sikur dielli të shtrydhet në ata sy”. Nga ana e saj, ajo nuk e sheh të nevojshme ta maskojë shpirtin delikat. E shpërfaq brishtësinë e vet, kur sheh shtratin e zbrazur kur dikur prindërit flinin të përqafuar dhe ajo e vogël, lodronte në mes tyre.

Edhe të shtatë prozat poetike të Teutës, janë vazhdim i delikatesës femërore. Mërzitet kur shpirti del nga jashtë kraharorit, kur mimozat i gënjen janari, kur sheh se nuk shkruhen më kartolina, kur lexon në shtyllë lajmërimet e jetëndërrimeve apo kur pas një muzike të hareshme në oborrin e shtëpisë, nuk u pa as ai djali dhe as ajo vajza që ai përqafonte. Përsa i përket strukturës së poezisë, Teuta Dhima preferon vargun e bardhë, duke u kujdesur për gjymtyrët e tjera të saj, ku vend kryesor zë mendimi i mençur dhe rrjedhshmëria e shprehjes.

Në eufoninë e poezive të saj edhe pse mungon rima dhe aliteracioni, të zgjedhurit e fjalëve është bërë me shumë kujdes, gjë që tregon pse kjo autore del para lexuesve pak e vonuar. E dimë se po kalojmë kohë të vështira, por ndofta si për këdo krijues edhe për të vlejnë fjalët e Ana Andrejevna Gorenkos (Ahmatova), vajzës së një oficeri inxhinieri marine, sikurse babai i Teutës, po oficer marine: “Tani më jo s`do buzëqesh, / Thëllimi buzët m`i venit, / Më pakësohen shpresat shpesh, / Më shtohen këngët për çdo ditë”.