Trupa e Durrësit, çmime në Gjilan

27/01/2012 - 00:00

Ceremonia e ndarjes së çmimeve
<p>Ceremonia e ndarjes së çmimeve</p>

 

Autori dhe regjisori Haxhi Rama mori çmimin “Drama më e mirë origjinale”, ndërsa aktori Ervin Doko u nderua me çmimin “Aktori më i mirë”. Teatri i Durrësit u përfaqësua në këtë eveniment artistik mbarëshqiptar me komedinë e Ramës “Dashuri e dytë në moshë të tretë”.

 

Trupa teatrore e Durrësit është vlerësuar shumë pozitivisht në Festivalin e Dramës Shqipe, “Talia e flakës”, i mbajtur në qytetin e Gjilanit në datat 19-23 janar. Teatri i Durrësit mori pjesë në këtë aktivitet me komedinë e autorit dhe regjisorit Haxhi Rama, “Dashuri e dytë në moshë të tretë”. Në përfundim të këtij aktiviteti, Haxhi Rama u nderua me çmimin “Drama më e mirë origjinale”, ndërsa aktori Ervin Doko rrëmbeu trofeun “Aktori më i mirë”. Komedia e regjisorit të njohur durrsak, Haxhi Rama u prit mjaft mirë nga publiku i Gjilanit dhe korri duartrokitje të shumta. Kjo komedi u shfaq si premierë në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit në muajin nëntor dhe arriti një sukses të padiskutueshëm, duke shënuar kështu një pritje mjaft të veçantë për regjisorin Rama që i mungonte skenës së teatrit të qytetit të tij prej disa vitesh. Ashtu si çdo vit tjetër, qyteti i Gjilanit mirëpriti trupat teatrore të viseve mbarëshqiptare, në kuadër të manifestimit kulturor “Flaka e janarit 2012”.

Në këtë eveniment, përveç Festivalit të Dramës Shqipe, përfshihen dhe shumë aktivitete të tjera artistike si promovime librash, ekspozita, kumtesa shkencore në lidhje me artin etj. Kriteri bazë për të marrë pjesë në Festivalin e Dramës Shqipe, “Talia e flakës”, është paraqitja me një pjesë teatrale të shkruar në gjuhën shqipe. Ky aktivitet teatror mbarëkombëtar mbart një rëndësi të veçantë për vetë faktin se trupat pjesëmarrëse konkurrojnë me pjesë të shkuara në shqip, duke dhënë kështu një kontribut të vyer për evidentimin dhe promovimin e pjesëve teatrore edhe përtej kufijve kombëtarë. Në këtë eveniment mbarëkombëtar, vlen për t’u përmendur fakti se trupa e teatrit të Durrësit krahas nderimit me çmime u vlerësua mjaft nga publiku dhe kritika profesionale, jo vetëm për interpretimin e arrirë të të gjithë aktorëve, por edhe për shumë komponentë të tjerë artistikë, që dëshmojnë nivelin e lartë dhe impenjimin maksimal të të gjithë stafit. Në festivalin e sivjetshëm, që shënoi edicionin e 21-të të tij, u prezantuan pesë trupa shqiptare; teatri i Pejës, i Gjilanit, i Shkupit, i Prishtinës dhe ai i Durrësit. Shfaqja e parë që u vu në skenë, në datë 19 janar, ishte ajo e trupës së Gjilanit, “Mon Liku” i autorit Anton Ndreca, në regji të Ilir Bokshit. Natën e dytë u prezantua Teatri i Shkupit, me shfaqjen  "Net shqiptare", sipas teksteve të Kutelit, Konicës e Çetës, në regji të Anton Kacës.

Teatri Kombëtar i Kosovës u prezantua me shfaqjen "Cubi i Kukurrecit" i autorit Rushit Ramabaja dhe regji nga Iliriana Arifi, ndërsa natën e katërt, para publikut u prezantua shfaqja e teatrit të Pejës, "Kur loti ngrinë në qepallë", sipas motiveve të Ismail Kadaresë dhe Jusuf Gërvallës, në regji të Jahi Jahiut. Natën e fundit, që përkonte dhe me natën e ndarjes së çmimeve, u ngjit në skenë trupa e teatrit të Durrësit, me komedinë e Haxhi Ramës. Komedia e regjisorit Rama trajton me humor, një problematikë sociale, të konstatuar ditët e sotme tek mosha e tretë. Personazhi kryesor i komedisë, i interpretuar nga aktori dhe humoristi i njohur, Muharrem Hoxha, i mbetur tashmë i ve, gjendet para dilemës së të mbeturit vetëm, pasi vajza e tij kërkon të martohet. Për të mos u përballur me vetminë, babai i thotë vajzës se nuk do t’i japë leje të martohet, përsa kohë nuk i gjen atij një grua, me të cilën do të martohet. Përmes situatash të ndryshme komike, ku të gjithë angazhohen të gjejnë një nuse për babain, ai rigjen dashurinë në krahët e asaj që kishte dashur në rininë e tij.

Në komedinë e Haxhi Ramës, që u rikthye para publikut durrsak pas një mungese të gjatë, krahas aktorëve tashmë të mirënjohur si Muharrem Hoxha, Aishe Stari e Roland Koça, interpretuan me mjeshtëri emra të rinj si Ervin Doko, Andia Xhunga, Xheni Fama etj, duke realizuar kështu një ndërthurje të suksesshme mes brezit të atyre që hodhën themelet e teatrit durrsak dhe atyre që përfaqësojnë perspektivën e ardhshme të tij.

 

 

Haxhi Rama: Më ngeli peng për çmimin e parë

 

Zoti Rama, si e pritët vlerësimin që morët në festivalin e Gjilanit, ku komedia juaj “Dashuri e dytë në moshë të tretë” u nderua me çmimin “Drama më e mirë origjinale”?

Pa diskutim që kur nderohesh me çmim është një gjë e gëzueshme, është kënaqësi, pasi vlerësohesh për punën që ke bërë. Gjithsesi, unë kam një peng të vogël nga ky festival, pasi çmimi më duket se na erdhi me një skonto të vogël. E them këtë për një arsye. Ne arritëm të shihnim interpretimin e vetëm një prej teatrove pjesëmarrës në këtë aktivitet kulturor, por nga ajo që dëgjuam nga publiku dhe kritikët atje, shfaqja jonë u konsiderua nga të gjithë si më e mira. Prandaj ndoshta na e hëngrën pak hakun, pasi them se mund të kishim merituar çmimin e parë dhe në këtë mënyrë do të vlerësohej e gjitha trupa, për punën shumë të mirë që ka bërë. Më vjen mirë që dhe një nga aktorët e trupës, Ervin Doko, u nderua me çmimin e aktorit më të mirë. Mund të them se kemi marrë ato fryte që kemi mbjellë.

Komedia juaj “Dashuri e dytë në moshë të tretë” erdhi në një moment, kur ju kishit vite që i mungonit skenës së Durrësit. E keni ndjerë mungesën e skenës?

Unë desha të sqaroj faktin se megjithëse nuk kam vënë në skenën e Durrësit pjesë teatrale, unë nuk jam tërhequr aspak nga puna. Vërtet e kam spostuar disi vëmendjen nga Durrësi, por kam punuar në teatrin e Korçës, atë të Elbasanit etj. Gjithashtu gjatë këtyre viteve përveç faktit që kam ushtruar profesionin e regjisorit, unë i kam dhënë një përparësi të madhe edhe krijimit, shkrimit të pjesëve të reja. Nga ana tjetër dua të theksoj faktin se në Durrës ka një numër të konsiderueshëm regjisorësh të rinj e të talentuar. Për këtë arsye, tërheqja ime ka qenë edhe në këtë drejtim; për t’i lënë hapësira regjisorëve të rinj të vënë në skenë pjesët e tyre, të realizojnë projektet e tyre. Unë do të vë në skenë pjesët e mia teatrore në ato raste, kur të gjej hapësira të lira, si dhe kur projektet e mia të miratohen nga bashkia apo pallati i kulturës.

Meqë po flasim për projektet. Keni aktualisht diçka në dorë? Kur do t’ju shohim në skenë me ndonjë vepër të re?

Unë do ta konsideroja veten një “pensionist”. Por, megjithëse kam dalë në pension pak a shumë si regjisor, unë nuk kam dalë në pension përsa i përket krijimtarisë. Komedinë e fundit që vura në skenë e që u prit mirë nga publiku e kisha shkruar 2-3 vite më parë, po pavarësisht dëshirës për të vënë veprat në skenë, jo gjithmonë është e mundur kjo gjë. Kjo lidhet edhe me aspektin financiar. Mund t’ju them se për të vënë në skenë “Dashuri e dytë në moshë të tretë” e kam vënë dorën pak në xhep, pasi nuk kishte fonde të mjaftueshme. Gjithsesi, suksesi i pjesës e justifikoi gjestin tim. Aktualisht unë kam në dorë një triptik komedi, ose më mirë tre komedi me nga një akt, të cilat lidhen përmes tyre me një temë aktuale, siç është ajo e korrupsionit. Gjithashtu jam në diskutime me përkthyes për një komedi franceze dhe dy angleze, që dua t’i vë në skenë. Gjithsesi, siç e theksova edhe më sipër, unë në radhë të parë do t’ia lë vendin regjisorëve të rinj, pasi ata janë e ardhmja e teatrit të Durrësit.  

 

 

Ervin Doko: Çmimi nënkupton më shumë përgjegjësi

 

Aktori i ri durrsak, në një intervistë për gazetën “Dyrrah” zbardh emocionet e marrjes së çmimit të parë në karrierë. Emocionet shtohen për vetë faktin se këtë çmim e merr në një festival mbarëkombëtar, si ai i Gjilanit. Sipas tij, të interpretosh përkrah emrave të njohur të skenës durrsake është një bazament i mirë për t'i dhënë seriozitet profesionit të aktorit. Gjithashtu gjatë bisedës ai zbardh dhe projektin më të ri që do ta ngjisë në skenën e teatrit “Aleksandër Moisiu”, një tjetër komedi e regjisorit të njohur Haxhi Rama

Ervin, në festivalin teatror të Gjilanit ju u nderuat me çmimin “Aktori më i mirë”. Si u ndjetë në momentin, kur dëgjuat të thirrej emri juaj?

Sigurisht që është një emocion i veçantë dhe të them të drejtën çmimin edhe e prisja, sidomos kjo bindje m'u forcua pasi mora dhe duartrokitjet e shumta të publikut gjilanas. Është fakt që komedia është mirëpritur shumë mirë që nga shfaqja e parë në Durrës e ndjekur më pas nga shumë të tjera. Kësaj kënaqësie ju bashkangjitën edhe shumë duartrokitje dhe vlerësime në teatrin e Gjilanit.

Si ju priti publiku dhe cilat ishin vlerësimet që iu bëri juria dhe kritikët e artit atje?

Komedia në Gjilan ju nënshtrua gjykimit të kritikës së specializuar dhe kolegëve nga teatrot që i përkisnin të gjithë trevave ku banojnë shqiptarët. Ka dy gjëra të rëndësishme në vlerësimet që mori kjo shfaqje: e para është se nga 7 çmime shfaqja "Dashuri e dytë në moshë të tretë" mori dy nga çmimet kryesore dhe së dyti këto çmime u morën në Festivalin e Dramaturgjisë Kombëtare, ku kërkohet krijimtari origjinale dhe si rrjedhojë edhe interpretimi aktorial mbart më shumë vlera krijuese. Është shumë e rëndësishme që edhe ne aktorët të kontribuojmë ndjeshëm në promovimin e vlerave të mirëfillta kombëtare.

Po t’i bënit një vlerësim personal interpretimeve të aktorëve të trupave të tjera të pranishme, në ç’nivel është interpretimi aktorial në trevat shqiptare jashtë kufijve tanë?

Në fakt, për mënyrën se si organizohen festivalet, ne nuk i ndjekim dot të gjitha shfaqjet në ditët e festivalit, por ne përpiqemi të jemi në kontakt me njeri-tjetrin edhe përtej kuadrit të një festivali. Interpretimi ynë është më pranë realizmit, ndërsa interpretimi përtej kufijve është më konvencional. Sigurisht këto përballje teatrore në festivale vlejnë edhe për të ofruar vlera reciproke dhe për t'i unifikuar ato. Festivali i Gjilanit, që ka në qendër dramaturgjinë kombëtare është i rëndësishëm edhe në ravijëzimin e identitetit kombëtar në interpretim,  nëpërmjet këndvështrimeve të ndryshme skenike.

Çmimet shoqërohen gjithmonë edhe me obligime, pasi ndihet detyrimi që në të ardhmen aktori të paraqitet gjithnjë e më mirë. Çdo të thotë ky çmim për karrierën tuaj artistike?

Është një çmim i rëndësishëm, sepse merret në një festival të rëndësishëm. Në itinerarin tim artistik është çmimi i parë dhe kjo nënkupton më shumë përgjegjësi. Por përveçse përgjegjësi, kjo tregon më shumë për dramën shqipe, e cila ofron rëndësi reale për ta vlerësuar realisht aktorin, pa reminishenca të të tjerëve, d.m.th. të jesh sa më i vërtetë e origjinal.

Aktualisht me çfarë po merreni? Cili do të jetë projekti i ardhshëm me të cilin do t’ju shohim në skenë?

Jam në pritje të premierës së radhës, përsëri me regjisorin e mirënjohur Haxhi Rama, me të cilin ndamë dhe të njëjtin emocion çmimesh në Gjilan.

Ç'do të thotë të luash në krah të aktorëve të njohur të teatrit “Aleksandër Moisiu” dhe si aktor i ri sa hapësira keni gjetur?

Teatri "Aleksandër Moisiu" është një teatër me përvojë dhe vitin tjetër ne festojmë 60 vjetorin e krijimit të tij. Në këto 60 vjet, kanë kaluar breza aktorësh, që kanë krijuar shkollën e teatrit shqiptar. Ky është një bazament i mirë për t'i dhënë seriozitet profesionit të aktorit në këtë institucion. Në teatrin tonë, ne kemi kombinime brezash. Është kënaqësi të punosh me aktorë të njohur si Aishe Stari, Muharrem Hoxha, Roland Koça, Hysen Bashhysa, Gjergj Doçi, Sanie Hoti, por dhe me aktorët e rinj Mimoza Marjanaku, Andia Xhunga, Xheni Fama, Era Çaushi. Po ashtu është kënaqësi të punosh dhe me regjisorë si Haxhi Rama, Hervin Çuli, Driada Dervishi.

Përsa i përket hapësirave që gjejmë në këtë teatër, dua të nënvizoj klimën e re që është krijuar me emërimin e Bashkim Hoxhës, drejtor i këtij institucioni, i cili është një dramaturg i mirënjohur. Tashmë nën drejtimin e tij, jemi angazhuar në një projekt madhor: rikthimin e teatrit në lartësitë që ka njohur në vite. Një element i rëndësishëm i këtij projekti janë dhe hapësirat e krijuara për të gjithë ne. Kjo gjë u vlerësua edhe nga kritika profesioniste në Gjilan.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

17-vjeçarja Hajrie Dedej, ka prezantuar gjatë këtyre ditëve, ekspozitën e saj të parë.

Mbrëmjen e kësaj të premteje në Durrës do të organizohet një koncert me muzikë tradicionale Bretone.

Ismail Kadare, shkrimtari i mirënjohur shqiptar ka fituar çmimin "Pak Kyongni" për vitin 2019.

Nga Gëzim Kabashi

Liliana Çika është rikthyer këto ditë në Durrës me një ekspozitë të pazakontë.

Aktori Hysen Bashhysa feston sot 72-vjetorin e lindjes. Ceni, siç e thërrasin thuajse të gjithë lindi më 16 shtator 1947 në Durrës.

Atmosferë festive të jashtëzakonshme ka krijuar në amfiteatrin e Durrësit aktiviteti muzikor Karaoke i organizuar nga Bashkia e qytetit d

Më 12 shtator 2019, në Muzeun Arkeologjik të Durrësit u hap ekspozita “Art 2019” e piktores, skulptores dhe restaurueses së njohur Lilian

Mbrëmjen e kaluar në prani të mjaft artdashësve të kinemasë, në arenën e Amfiteatrit antik të Durrësit u shfaq filmi italian “Un paese qu

Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare Durrës njofton se mbrëmjen e sotme, 11 shtator 2019, është nata e fundit e projektit të përbashkë