Ditën e sotme, Universiteti i Durrësit, "Aleksandër Moisiu" i ka akorduar Prof. Dr. Francesco Altimarit, profesor i Albanologjisë në Universitetin e Kalabrisë, titullin e nderit "Doctor Honoris Causa", me motivacionin:

"Për kontributin e tij të shquar e shumëdimensional në fushën e albanologjisë, të gjuhësisë shqiptare e ballkanike dhe të letërsisë shqipe; si studiues me interesa të shumanshme kërkimore për letërsinë arbëreshe e shqipe të Rilindjes, për dialektologjinë arbëreshe dhe përgjithësisht për filologjinë shqiptare; si pedagog, koordinator, themelues dhe drejtues i projekteve dhe institucioneve për lëvrimin dhe promovimin e kulturës arbëreshe në Kalabri e në mbarë botën shqiptare; si ambasador i kulturës arbëreshe dhe shqiptare në botë dhe lidhjes së saj me kulturën italiane."

Ceremonia akademike e dhënies së titullit të nderit u zhvillua në Sallën e Konferencave të Kampusit të ri universitar dhe në të morën pjesë personalitete nga fusha arsimit dhe shkencës, përfaqësitë dipomatike, një delegacion nga Italia si dhe shumë të ftuar të tjerë.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Rektorja e Universitetit "Aleksandër Moisiu", Prof. Dr. Kseanela Sotirofski vlerësoi lart figurën dhe kontributet akademike të profesor Francesco Altimarit, si dhe u shpreh e nderuar që tashmë ai është pjesë e familjes së UAMD-së.

I ftuar në këtë ngjarje, Atasheu për Insitucionet Akademike në Ambasadën e Republikës Italiane në Tiranë, Maurizio Polselli, u shpreh i lumtur për nderimin e një figure përbashkuese për kulturat e të dy vendeve, duke e cilësuar profesor Altimarin si një "figurë me cilësi të jashtëzakonshme morale dhe akademike".

Matteo Mandalà, profesor i letërsisë shqipe dhe drejtues i njësisë shkencore të Albanologjisë në Universitetin e Palermos, e cilësoi ceremoninë si tejet domethënëse.  

Në fjalën e tij falenderuese, Prof. Dr. Francesco Altimari u shpreh i ngazëllyer me vlerësimin. "Është një gjest shumë domethënës për mua. Faleminderit senatit akademik për titullin e nderit. Më keni dhënë më shumë merita sesa meritoj. Veprimtarinë time nuk e shoh si diçka të jashtëzakonshme, por si një mision që më është besuar për të edukuar brezat e rinj. Për mua nuk ka detyrë me të rëndësishme se kjo", deklaroi ndër të tjera ai.