Që në fillim të vështrimit tim, lidhur me këtë libër mjaft të rëndësishëm, më duhet të them se autorja Gladiola Jorbus (Busulla) është reale, origjinale, konkrete, me fakte e argumente që s’mund t’i mohosh. Ajo në këtë libër është e qartë, se dëshiron të rindërtojë një shoqëri më të mirë për të gjithë njerëzit dhe për ne shqiptarët, në veçanti.

Këtë aspiratë etike e fillon duke u nisur nga teza e saj themelore namatisja –refleksioni, një tezë filozofike e antropologjike që deskripton, eksplikon fenomene filozofike, etike, soiologjike, pedagogjike, didaktike, edukativo-arsimore dhe më pas i prezanton e i sqaron bukur.

“Namatisja-Refleksione”, si tezë filozofike; në këtë vepër endet aftësia për të pyetur për një dukuri të qartë, për atë çka na pengon ta shohim dhe ta kuptojmë botën në çastin e tanishëm aktual, në atë më të hershëm e të kaluar dhe eventualisht në dimensionin e së ardhmes.

Me dorën në zemër, që s’është një punë krejt e lehtë, Gladiola nga Dyrrahu apo Durrësi i sotëm është fokusuar seriozisht te këto dukuri të një realiteti sa të dukshëm, aq të prekshëm tek të gjithë ne shqiptarët; në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e më gjerë.

Ndërkaq, autorja është përpjekur fort dhe ka dhënë përgjigje shumë të sakta, kreative që lexuesin dhe studiuesin e vëmendshëm nuk e lënë të qetë, që nga fjalia e parë dhe deri tek e fundmja e prozës sociale e filozofike njëherazi “Namatisje – Refleksione”.

Dakordohem plotësisht me komentin e profesorit të nderuar të ekonomisë z. Halit Xhafa, që thotë se: “Brenda këtij botimi mund të gjejë vetveten çdo lexues, pavarësisht nga fusha e studimit të tij, sepse vëzhgon e eksploron vlerat dhe problematikat njerëzore, sociale, morale si: realizmi, meritokracia, dinjiteti, integriteti dhe të tjera cilësi të çmuara që i japin jetës, optimizëm dhe motivim”, përmbyllet citati.

Sipas këndvështrimit tim, më duhet të them se filozofia bashkëkohore ka lënë pas, një nga detyrat e saj themelore: ajo nuk ka arsyetuar, as thellësisht dhe as saktësisht mjaftueshëm, në lidhje me progresin e shkencës dhe të teknikës. Filozofia nuk ka ndihmuar sa duhet që bashkëkohësit e saj të bëhen të ndërgjegjshëm në nivel shpirtëror, kulturor e edukativo-arsimor, me qëllim që të bëjnë transformime në universin e jetës së njeriut në nivel vetanak e shoqëror.

Së fundmi, ne duhet të konstatojmë me të drejtë, se jeta e njeriut është kërcënuar deritash, në mënyra e forma të ndryshme. Shumë bashkëkohës e përjetojnë këtë, pa e njohur traditën filozofike, e cila do t’i ndihmonte për të përballuar kërcënime të ndryshme ndaj njeriut e shoqërisë njerëzore në përgjithësi; pasi duket se mjetet johumane po dominojnë mbi ato humane.

Këtë, aq saktë, konciz dhe bukur, e vëren dhe nuk ngurron ta shprehë autorja e re Gladiola, e cila gjithashtu, po aq bukur dhe saktë e pasqyron në librin e saj.

*Përgatiti: Rrahim Ganiu (gazetar në Radio Shkup, poet, shkrimtar)

Shkup 2018