"Vezulluese e fisnike, grua e rrallë shqiptare", Rama fjalë të arta për ditëlindjen e Helena Kadaresë: Për Ismailin është dhuratë nga Zoti

21/09/2020 - 12:22

Kryeministri Edi Rama i ka uruar ditëlindjen Helena Kadaresë, shkrimtares dhe bashkëshortes së Ismail Kadaresë.

Përmes një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale, Rama shkruan virtytet e një gruaje që qëndron e pandarë në krah të bashkëshortit të saj, Ismail Kadaresë.

Rama e ka krahasuar Helenën me një ëngjëll, pjesë e pashmangshme e historisë së jetës së Ismail Kadaresë.

Postimi i plotë:

Helena Kadare më kujton gjithnjë atë shprehjen e famshme, një burrë peshohet nga gruaja dhe biblioteka! E mbase gabohem, po pa Helenën biblioteka nuk do të kishte mjaftuar për t'ia mundësuar Ismailit fortesën e blinduar, mu në zemër të tiranisë komuniste, ku morën jetë krijesat e tij të hatashme, që çanë rrethimin tiranik e u ngjitën në majat e letërsisë së botës mbarë.

Më kujtohet vite e vite më parë, kur në netët e vona në bulevardin e zbrazët të Tiranës, Ismaili ecte me hijen e vet vezulluese në krah, Helenën, e cila ja ashtu njësoj si në shëtitjen e mbrëmjes,  përmes boshllëkut që rrethonte qenien e tyre të dyfishtë, e ka shoqëruar Ismailin me vezullimin e përkushtimit të saj, pa e lënë kurrë një ditë të vetme vetëm, qysh nga dita e parë e njehsimit të tyre.

Është pak të thuash se Ismaili nuk hyn te njerëzit e kollajshëm dhe pak është të thuash se Helena nuk hyn tek gratë e zakonshme. E bukur, e mençur, e lexuar, e dalë dhe e admiruar nga larg e nga afër, prej të panjohurve e të njohurve, po njëkohësisht e përulur ndaj fatit që e lidhi përmes një dashurie të zjarrtë me një xhind të fjalës së shkruar, që buzëqeshjet i ka si të dielat në kalendarin e vitit, Helena është një grua e jashtëzakonshme shqiptare.

Shtyllë e fortesës ku xhindi rrotullohet prej 57 vjetësh me daullet e shiut të tij, vatër që ngroh hapësirën ku ngrijnë e shkrijnë prurjet e botës së tij fshehtë, dritë që rri gjithnjë ndezur për t'u kujdesur që ai ta gjejë gjithnjë atë çka i duhet kur i duhet të kthehet nga arratitë në skutat e mendjes, portë që hapet bukur për të mikpritur vizitorë dhe sy që ndjek gjithçka, njësoj siç prej një jete ka ndjekur e sistemuar për botim në makinën daktilografike, çdo rresht të dorëshkrimeve të të shoqit, Helena është për Ismailin një dhuratë po aq bujare e Zotit sa edhe gjenialiteti i tij krijues.

Nëse si rregull gruaja është gjysma më e mirë e burrit, Helena është në atë çift të pandarë e të pandashëm ëngjëlli, që si edhe djalli jetojnë brenda tek i gjalli, e nëse historia do të flasë nesër vetëm për Ismailin, jeta e tij nga dje, sot e deri atëherë mes fantazisë e realitetit, nuk mund të kuptohet asfare pa Helenën.

Duke ia uruar ditëlindjen zonjës së rrallë, uroj që shëndeti, dashuria e gëzimet të mos i mungojnë kurrë, siç kurrë nuk i ka munguar vezullimi qenies së saj fisnike e të urtë.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Ka ndërruar jetë këtë mbrëmje një nga kompozitorët më të njohur shqiptarë të të gjitha kohërave.

“Dritë për nesër” quhet koncerti homazh i organizuar nga Bashkia Tiranë në sheshin përpara Universitetit të Arteve në nder të viktimave t

Dy instrumentistë shqiptarë mbrëmjen e kaluar ishin protagonistë të një koncerti të organizuar në Sanntiago de Compostela (Spanjë).

Si çdo vit do të zhvillohet Festivali i Këngës në Radio Televizionin Shqiptar ku do të marrin pjesë këngëtarë të ndryshëm shqiptarë dhe f

Mjeshtri dhe bilbili i këngës durrsake, Qemal Kërtusha feston sot 89-vjetorin e lindjes së tij.

Presidenti Ilir Meta vlerësoi me anë të një ceremonie solemne të zhvilluar në Universitetin e Arteve, kompozitorin dhe muzikantin e shqua

· Librat e saj, që janë botuar në Itali nga shtëpia prestigjioze “Bonfirraro Editore”, janë bërë pjesë e kurrikulës universitare ital

Çmimi "Ambasador i Gjuhës Italiane në Shqipëri" këtë vit i është akorduar artistit nga Durrësi Helidon Xhixha.

Filmi shqiptar rinis udhëtimin për t'u përhapur në ekranet e huaja edhe në kohë pandemie.

Grupi i valleve në Qendrën Kulturore Durrës ka triumfuar në Festivalin e 18-të Folklorik Ndërkombëtar të Kërcimit "Ylberi i Prishtinës".