Violinistët Florian dhe Daniel Vlashi, babë e bir, kanë qenë përkrah njeri-tjetrit në të njejtin pult gjatë koncertit të fundit të Orkestrës Sinfonike të Galicisë në La Korunja (Spanjë). Dy instrumentistët kanë luajtur nën drejtimin e dirigjentit Dima Slobodeniouk në koncertin e përjavshëm të OSG, e cila konsiderohet si një nga orkestrat më të mira në Spanjë.

Floriani dhe i biri kanë marrë veç të tjerash edhe përgëzimet e kritikut të njohur muzikor, Julio Andrade.

Djaloshi 22-vjeçar Daniel Vlashi, i cili sapo ka filluar specializimin master në Shkollën Superiore të Muzikës “Hans Eisler” në Berlin, ftohet herë pas herë në Orkestrën Sinfonike të Galicisë për shkak të cilësive profesionale të tij.

Danieli dhe i ati 55-vjeçar, Florian Vlashi, kishin interpretuar së bashku për herë të fundit gjatë edicionit të 9-të të Bienales “Netët e Muzikës Klasike” që zhvillohet çdo dy vjet në Durrës.

Familja Vlashi jeton dhe punon në Spanjë që nga viti 1992, kur Floriani u bë pjesë e OSG-së.

G.K.