*Për të gjithë të apasionuarit e librit, "Durrës Lajm" sjell titujt e rinj që mund të gjeni në libraritë e qytetit.

Fëmijët e dashurisë dhe urrejtjes- Dasa Drndic

Romani i shkrimtares kroate Daša Drndić nuk është vetëm një libër mbi Holokaustin (i krahasueshëm për nga rëndësia me kryeveprat e Primo Levit apo me Nekropolin e Boris Pahor). Ai është gjithashtu një roman i madh i letërsisë bashkëkohore, i aftë për të lidhur përmes regjistrave të ndryshëm gjuhësorë një tregim polifonik, magmatik, gjithëpërfshirës, imponues mbi pushtimin nazist të Italisë veriore dhe më gjerë.

Është një vepër që rri mirë pranë kryeveprave të De Lillo – s, Mailer – it, Sebald – it. Një libër tek i cili viktimat gjejnë përmendoren e vet. Një patchwork, ku ekzekutorët dhe soditësist e verbër janë të ngjashëm, ku vargjet e poetëve të mëdhenj dhe fletët me nota muzikore kthehen në kujtesë tronditëse, ku kriminelët, depozitimet, fotografitë dhe hartat gjenealogjike e risjellin, për të mos e harruar kurrë, atë urrejtje, atë dhunë dhe dashuri.

Përmes një rrëfimi që trajton në mënyrë të pamëshirshme masakrën ndaj hebrenjve italianë në kampet e përqendrimit të Triestes, Haya reflekton mbi përvojën e saj dhe të familjes së saj hebreje, konvertuar në katolikë.

Kërkimet e Haya Tedeschinit e sjellin historinë e romanit edhe në Vlorë, Sarandë, Tiranë, në Hotel Dajti, në zemër të kryeqytetit shqiptar. Kërkimet e ngulmëta për djalin, sjellin në duart e Haya – s fotografi, harta dhe fragmente poezish, të dëshmive nga gjyqet e Nurembergut.

Këtu janë edhe intervistat me hebrenjtë e brezit të dytë, fakte nga dëshmitarët okularë të mizorive që ndodhën në dyert e kampeve. Prej këtij kolazhi të gjerë materialesh dhe kujtimesh lind kronika tronditëse e pushtimit nazist në Italinë veriore. Fjalët e pashlyeshme nga kujtesa janë: Dashuri dhe urrejtje.

“Virgjëresha holandeze”- Marente de Moor

Ky roman mistik në raportin e dashurisë së Janës me mikun e ngushtë të të atit, e vendos këtë roman në një raport përvojash kontradiktore dhe çoroditëse. Mjeshtria e rrëfimit, sidomos në këtë vepër, e çon autoren Marente de Moor në majat më të larta të letërsisë holandeze dhe në vitin 2014 mori çmimin europian për letërsinë. Kjo vepër është përkthyer në 11 gjuhë.

“Kronikat e Fortsajtëve, shoqëruesja”- John Galsworthy

“Shoqëruesja” është romani i shtatë i serisë “Kronikat e Forsajtëve”, e cila përbëhet nga tri trilogji mbi Forsajtët dhe familjet e lidhura me ta. Trilogjia e tretë, “Kapitulli i fundmë”, ndjek familjen Çerëll dhe “Shoqëruesja” është romani i parë i kësaj trilogjie. Në qendër të librit është një vajzë e re, Dini, rreth së cilës, përveç frymës së një moderniteti të ri dhe gjithëpërfshirës, vërtiten histori dashurie. Përqendrimi te familja Çerëll ka sjellë një frymëmarrje të re dhe freski, një ritëm të ri, aq sa trilogjia është tejet e këndshme. Vijojnë të spikasin karakteret e femrave të forta, të mprehta e gjuhëshkathëta, por edhe stili ironik i autorit nobelist anglez, që jo rrallë të bën të vësh buzën në gaz, edhe kur nuk do.  Në vitin 1932, çmimi Nobel për Letërsinë iu dha John Galsworthy-t “për madhështinë e artit të tij të rrëfimit, i cili arrin formën më të dëlirë në Sagën e Forsajtëve”.