Në ambientet e Muzeut Arkeologjik të Durrësit është zvhilluar takimi me temë “Muzeu dhe interesi i tij publik”. Ky takim bëri bashkë studentë të ndryshëm të universitetit “Aleksandër Moisiu”, miq të muzeut si dhe pjestarë të interesuar të komunitetit si dhe përfaqësues të pushtetit vendor të Durrësit.

Ky takim erdhi në sajë të bashkëpunimit mes Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Durrës me Departamentin e Turizmit të UAMD, me synimin që të çojë përpara marrëveshjen ekzistuese dypalëshe midis dy institucioneve.

I konceptuar si një bashkëbisedim i lirë midis studentëve dhe muzeut, ky takim iu dha mundësinë edhe të pranishmëve të tjerë të bëheshin pjesë e këtij diskutimi.

Sipas Antigoni Gjergjit, specialiste e edukimit përmes kulturës në DRKK, ky takim shërbeu për të vjelë ide dhe identifikuar bashkëpunime të vlefshme, të cilat do të ngrenë në një shkallë më të lartë performancën e Muzeut në lidhje me vlerën e tij socio-ekonomike.

Në vijim të takimit u hartua edhe një  plan veprimi i përbashkët, që do të pasurojë marrëveshjen e mëparshme midis DRKK Durrës dhe UAMD dhe do të rrisë impaktin e muzeut në përfshirjen më të gjërë të publikut në njohjen ndërvepruese, bashkëpunuese dhe shumëdisiplinare të Trashëgimisë Kulturore Arkeologjike të Durrësit.