Kur politika bëhet lojë e rrezikshme

15/04/2013 - 16:07

Nga Ilir Yzeiri

Kjo është një metaforë që përdoret dendur në ligjërimin politik dhe shenjon lojën politike si një ndeshje formale që ka në themel besimin te rregullat abstrakte të një ndeshjeje, e cila po ta vështrosh më hollë është njësoj si ajo loja që bëjnë fëmijët. Ndryshimi është në një gjë themelore. Fëmijët besojnë te loja që bëjnë. Politikanët jo.

Kini bërë provë t’ia prishni ndonjë fëmije kështjellën prej rëre që ai ndërton në breg të detit? Ai do të fillojë të qajë e të mërzitet seriozisht, sepse beson se ajo që bën është e vërtetë. Politikanët jo.

Këtu nuk ka asnjë gjë të keqe, sepse ata janë njerëz seriozë dhe dinë ta pranojnë edhe humbjen ashtu siç dinë ta kuptojnë drejt edhe fitoren. Ashtu si fëmijët, politikanët seriozë besojnë te rregullat e lojës.

Pra, thënë më shkoqur, lufta politike që bëjnë partitë në një sistem demokratik mbështetet në rregulla të shkruara e të pranuara që më parë. Ashtu si në lojën e fëmijëve, rregullat janë të shenjta, në kuptimin që ato janë dhënë që më parë dhe nuk mund të ndryshohen.

Roland Bart, semiologu i famshëm francez është marrë shumë me mitologjitë moderne të kohës sonë dhe në vijim të teorisë së tij, mund të shtojmë se sot futbolli është bërë një mit i kohës sonë. Mitet thotë ai janë rrëfime, janë një mesazh, janë një sistem komunikimi. Mendoni se çfarë do të ndodhte sikur futbollistët në fushë të mendonin për një çast që të mos respektonin asnjë rregull prej atyre që mbajnë gjallë një ndeshje futbolli? Në vend që ta gjuanin topin me këmbë, ta rrëmbenin me dorë, në vend që të përplaseshin me trup, të qëlloheshin me grushte, në vend që të kërkonin të gjithë topin, t’u turreshin arbitrit dhe anësorëve dhe t’i qëllonin me grushte e me shqelma. Pas gjithë kësaj a do të shkonin më njerëzit në një stadium për të parë një ndeshje? Natyrisht e kam fjalën për ndeshje futbolli në stadiumin e Barcelonës apo të Bajernit të Mynihut dhe jo për ndeshjet që zhvillohen në fushën e Peqinit apo të Laçit ose të Tepelenës. Paralelizmi në këtë rast shkon.

Te ne, po ta kini vënë re edhe kampionati i futbollit i të tria ligave shpesh nuk u përmbahet rregullave të futbollit dhe sporti ndryshon drejtim. Stadiumet janë bosh dhe kampionatet shqiptare nuk po arrijnë as në nivelin e viteve që nuk mbahen mend. E njëjta gjë reflektohet edhe në politikë.

Qeveria në Shqipëri konceptohet si një bandë që mund të bëjë çfarë të dojë. Ajo i ndryshon rregullat e lojës sa herë që të dojë dhe kur të dojë. Ajo nuk e pranon sinqeritetin e fëmijës në konsakrimin e rregullave të lojës. Qeveria sillet me kundërshtarët e saj ashtu siç sillen të fortët e lagjes me më të dobëtit. Loja që ajo ndërton konceptohet në mënyrë të tillë që ndeshjen ta fitojë vetëm qeveria.

Një nga krimet më të mëdha që po bëhet në këta njëzetë e ca vjet demokraci është ngulitja e mosbesimit te rregullat e lojës. Teoricienët e komunikimit vërejnë se gjithë jeta shoqërore ndërtohet si një lojë. Njerëzit pranojnë me vetëdije që ta vënë veten në lojë dhe të shtiren sikur do të jetojnë gjithë jetën, megjithëse e dinë shumë mirë se janë të përkohshëm. Institucione të tilla si besimi religjioz, filozofia apo forma të tjera të refleksionit e kanë bërë jetën që të perceptohet më shumë si një lojë e gëzuar sesa si një lojë agresive. Ndërsa zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare dhe kërcënimet e diktatorit riosh të Koresë së Veriut për luftë bërthamore po e çojnë deri në ekstrem politikën e konceptuar si një lojë të rrezikshme.

Ndërsa në Shqipëri, Sali Berisha është kampion i shkatërrimit të rregullave të demokracisë. Ai po bën ç’është e mundur që të shkatërrojë sistemin e gjykimit dhe të vlerësimit të zgjedhjeve dhe do t’ia arrijë.

Pas 23 qershorit edhe sikur opozita e bashkuar t’i fitojë zgjedhjet, ai nuk do ta pranojë rezultatin, por do të prishë përsëri rregullat e lojës dhe do ta marrë fitoren në tavolinë. Problemi është se si do të sillet opozita. A do të pranojë ajo të hyjë në një ndeshje pa rregulla ose me rregulla që mund të ndërrohen pa fund?

Iluzioni se këtë radhë do të na mbrojnë miqtë tanë të mëdhenj është i gënjeshtërt. Opozita duhet të bashkohet fort dhe t’i tregojë Berishës se 21 janari nuk ishte një shaka, por një e vërtetë dhe se, në qoftë se ai do t’i prishë rregullat e lojës pafundësisht, opozita ka të drejtë që ta përmbysë me forcë një regjim antipopullor e antidemokratik që nuk respekton rregullat e lojës.

A ka menduar opozita për këtë? Nga kjo që duket deri tani jo.

http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/04/15/kur-politika-behet-loje-e-rrezikshme/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: