Lamtumira e të fundmit futbollist të viteve '30-të Muharrem Rrugia

08/12/2014 - 15:18

Nga BUJAR QESJA

8 dhjetor 2014 -  Teksa 28 nëntori i vitit 2014 shënon orët e parë të lindjes së tij, sos fryma e fundit e Muharrem Rrugisë. Nuk do të donim të shkruanim disa fjalë për Muharrem Rruginë, pas vdekjes pasi meritonte të nderohej së gjalli. Më vjen mirë që me rastin e 80 vjetorit të krijimit të Federatës Shqiptare të futbollit në vjeshtën e viti 2010, kisha këmbëngulur se një përfaqsues i futbollit të atyre viteve është me shëndet të plotë. Kjo gjë bëri përshtypje dhe nxiti autoritetet e larta të futbollit shqiptar, t'i akordonin Muharrem Rrugisë medaljen simbolike “Mirënjohja e Futbollit Shqiptar”. Më kujtohet se kur po tentoja ta mbaja sadopak nga krahët, teksa ngjiste shkallët e teatrit "A. Moisiu" m'u kthye me seriozitet dhe me sens humori: “Nuk jam bërë ende të mbahem nga krahët, aq më shumë në një ditë të veçantë te jetës time”. Viti i lindjes është shënuar 1919, si ditë e arkivuar në dokumenta, por të afërm bëjnë me dije se ai ishte edhe tri vjet më i madh.

Pra, Muharrem Rrugia mbylli sytë në moshën 98 vjeçare. Emri i tij është i njohur në qarqet e sportkëmbës durrsake në fundin e viteve 20-të dhe në fillim të viteve 30-të. Nuk arrita ta “shtrydh”një ditë tërë vëmëndjen e tij, pasi ekrani i kujtesës ishte krisur disi. Por kujtonte me shumë mall Eqerem Arapin, Naxhi Stringën, Milorad Jeremiqin, Anastas Moisiun, Fiqiri Tartarin, Naxhi Stringën, Kol Tiranën, vëllezërit Margariti (Orestin dhe Ritin), armenët e famshëm të Durrësit Ballxhan dhe Bodikian që janë në foton që botojmë. Vështirësia e momentit e reagimit tonë arkivor, nuk na e mundëson zbërthimin e plotë të fotos, por Muharrem Rrugia është i pestë duke nisur nga krahu ku dallon qartë i paharruari portjeri Milorad Jeremiqi. Ndërsa i parafundit është Nako Spiro, intelektuali më në zë në qarqet e rinisë durrsake dhe më gjerë.

Muharrem Rrugia lindi në Shkodër dhe kur ishte fare i njomë familja e tij shpërngulet në Durrës. Sipas miqve të tij që e vizitonin për ditë, nisi punën fare i vogël si marangoz në fabrikën e duhan cigareve. U lidh me lëvizjen kombëtare që luftonte pushtuesit e huaj në vend, derisa rroku armën e ushtroi aktivitetin e tij në zonën Lushnje – Berat. Pas çlirimit kreu disa detyra me rëndësi në organet e drejtësisë së Durrësit. Për më shumë se një dekadë, derisa doli në pension drejtoi Klubin e Gjuetarëve të Durrësit.

Shfrytëzimi në maksimum i ajrit të pastër teksa gjuante vazhdimisht, veçanërisht me tonja, lëvizjet e pandërprera me këmbë edhe në moshën e tanishme, ruajtja e humorit dhe e kënaqësisë kur takonte me miqtë dhe shokët, bisedat e këndshme që zhvillonte, respekti i madh që tregonte edhe ndaj fëmijve e bënë Muharrem Rruginë një figurë shumë të dashur dhe popullore në Durrës. Por futbollin kurrë nuk e harroi. Për të dhe shokët e fëmijërisë kur luajti, mbeten nga detajet më të vyera të tij. Vdekja para 6 muajve e Mentorit, këtij piloti dhe ushtaraku të shkëlqyer ndikoi në moralin e tij, aq sa nuk mungonte të shprehte. Donte t'i thoje se si shkon futbolli durrsak, ashtu si deri pak ditë para se të mbyllte syte, ndiqte me vëmendje klubin që donte aq shumë- Mançester Junajted. Bënte përshtypje shëndeti i tij i fortë. Thonë për të se nuk ka pirë qoftë edhe një aspirinë të vetme. Moto e jetës së tij ishte vetëm lëvizja dhe natyra. Ndoshta janë këta dy faktorë që ndikuan në jetëgjatësinë e tij.

Kujton Vilson Bihiku:

-Shkoja vazhdimisht tek Muharremi. Kishte muhabet të ëmbël dhe ishte shumë optimist. Qëllova edhe atë ditë që ai u godit papritur nga një ishemi cerebrale. Po diskutonim për sportin. Ishte shumë në formë. Ishte 27 nëntori në mesditë. Teksa po flisja sikur vërejta se nuk po më ndiqte me vëmëndje. E po thashë po iki, se mos kërkon të qetësohet. Por Muharrem Rrugia nuk të linte të largoheshe, pa të përcjellur. Ngrihet, por nuk mundi të vazhdonte më të bënte, qoftë edhe një hap të vetëm. Ofrojmë ndihmën mjekësore të specialistëve, të cilët konstatuan se Muharrem Rrugia ishte goditur nga një ishemi cerebrale. Sytë e tij nuk u hapën më, për të dhënë frymën e fundit në mëngjesin e herët të 28 nëntorit, të ditës historike të pavarësisë.

Kështu u largua nga jeta, me një përshtypje jashtëzakonisht dinjitoze, futbollisti i vetëm i gjallë i viteve '20-'30 -të të Teutës, intelektuali i njohur, babai i dy sportistëve kampionë të mundjes durrsake Ilirit dhe Paqësorit, i Mentorit dhe Dikut dhe i vajzës së vetme Mirsijes, me një jetëgjatësi për t'u patur zili, për të mbetur i gjallë në memorien e qytetarisë durrsake, njeriu i mirë dhe fisnik Muharrem Rrugia.

Fotoja: I pesti nga e djathta Muharrem Rrugia. Viti 1936

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: