Leku merr pak veten

28/09/2014 - 20:38

28 shtator 2014 - Kërkesa e lartë nuk po lejon euron të bjerë në tregun e brendshëm, ndonëse në bursat ndërkombëtare ajo ka arritur në nivelin më të ulët në dy vjet ndaj dollarit…

Monedha vendase është mbiçmuar lehtë ndaj të dy valutave kryesore gjatë ditës së sotme.

Një euro u këmbye me 140.05 lekë, 0.01 lekë më pak se një ditë më parë.

Leku ka fituar pikë dhe ndaj dollarit, pas forcimit të ndjeshëm të monedhës amerikane gjatë ditës së djeshme.  Të premten, një dollar këmbehej me 109.86 lekë, 0.15 lekë më pak se një ditë më parë. Të enjten, dollari kërceu në nivelin më të lartë të gati dy viteve, duke i kaluar 110 lekët.

Në tregjet ndërkombëtare, dollari ndryshoi pak në $1.2742 kundrejt monedhës së përbashkët të 18 shteteve, pas u vlerësua në $1.2697 dje, niveli më i lartë që nga nëntori 2012.

Në tregun e brendshëm, zhvillimet ndërkombëtare po reflektohen përes rritjes së fortë të dollarit, ndërkohë që euro ka qenë e qëndrueshme, duke u këmbyer në rreth 140 lekë.

Aktorët e tregut pohojnë se kërkesa për valutën evropiane, që është monedha e huaj që qarkullon më shumë në Shqipëri është relativisht e lartë, një efekt sezonal ky, që konstatohet gjithnjë në shtator  deri në mesin e dhjetorit.

Pikërisht kjo kërkesë e lartë nuk po lejon euron të bjerë në tregun e brendshëm.

Aktorët e tregut presin që euro të vijojë të jetë e qëndrueshme në tregun vendas.

 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: