Letër-porosia nga Gjermania: Raporti i mjekëve, i pakuptueshëm

12/12/2012 - 08:46

TIRANE-Ndonëse ka kaluar më shumë se një vit nga ngjarja e ndodhur në Kodër-Currila në Durrës ku u gjet i djegur trupi i pajetë i ish-oficerit të SHISH-it, Isa Çopa, policia dhe prokuroria e këtij rrethi ende nuk kanë dalë në një konkluzion konkret, nëse 49-vjeçari u vetëvra apo u vra. Hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi gjithë opinionin publik u janë besuar dy prokurorëve: Enkelejda Xhengo dhe Sokol Nishani.     

Në lidhje me ecurinë e hetimeve për zbardhjen e misterit të ngjarjes së ndodhur më 13 tetor të vitit të kaluar, prokurorja e çështjes, Xhengo, dje deklaroi për “Gazeta Shqiptare” se ekspertët gjermanë, të cilëve iu është kërkuar ndihmë nga autoritetet shqiptare për të përcaktuar shkakun e vdekjes së Isa Çopës, kanë kërkuar përkthimin në gjermanisht dhe në latinisht të raportit të akt-ekspertizës që iu është dërguar kohë më parë. Në letër-porosinë dërguar Ministrisë së Drejtësisë dhe Prokurorisë së Përgjithshme, ekspertët gjermanë citojnë se “akt-ekspertiza e trupit të Isa Çopës e kryer nga specialistët e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë, nuk mund të kuptohet prej tyre”. 

Burimet zyrtare nga prokuroria e Durrësit sqarojnë se termat shkencorë të përdorur nga specialistët shqiptarë në akt-ekspertizën e Çopës nuk merren përsipër të përkthehen nga pala gjermane, shkruan sot e perditshmja "Gazeta Shqiptare". Kjo, për faktin se ka mjaft terma ligjorë dhe shkencorë që janë përdorur gjatë këqyrjes së kufomës, provave të grumbulluara, vendit të ngjarjes, dhe hartimit të akt-ekspertizës nga mjekët që kanë përgatitur raportin mjeko-ligjor. 

Ekspertiza mjeko-ligjore, Çopa u godit me mjete të forta pas koke 

Më 25 tetor të vitit 2011, në vendin e quajtur ish- Reparti Ushtarak në Currila, u gjet i djegur ish-oficeri i SHISH-it, Isa Çopa. Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, policia e Durrësit deklaroi se 49-vjeçari ishte vetëvrarë. Sipas policisë lokale, mjeti ishte i djegur tërësisht dhe se brenda tij u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një pistoletë tip “Makarov” që rezultoi të jetë arma e tij, si dhe një gëzhojë. Por ekspertiza mjeko-ligjore në atë kohë nxori në dritë fakte të reja, se ish-oficeri i SHISH-it ishte qëlluar në kokë me mjete të forta. 

Ekspertët mjeko-ligjorë pranuan se viktima ishte i dëmtuar në pjesën e kokës, dhe se ky dëmtim nuk ka ardhur nga e shtëna me armë zjarri, por nga mjete të forta. Me gjithë hetimet e bëra, grupi hetimor nuk doli me një konkluzion të saktë, nëse ishte vetëvrasje apo vrasje.

Ndërkaq, prokurorja thotë se nga hetimet e bëra nuk rezulton në asnjë prej provave të grumbulluara, që dosja “Çopa” të ketë lidhje me zhdukjen e 10-vjeçarit Julian Çela, 12 ditë më parë. Gjithashtu, nuk ka asnjë dyshim, që dosja “Çopa” të ketë lidhje edhe me plagosjen e ish-shefit të SHISH-it, Eduard Daka, ngjarje kjo e ndodhur disa muaj më parë. Kjo, për më tepër që Daka u plagos dy herë në këmbë.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: