Spirancat detare janë një simbol i hershëm i qytetit të Durrësit. Anijet tregtare, motopeshkatoret, ato ushtarake, e më vonë edhe tragetet e jahtet që lundrojnë në ujërat pranë qytetit bregdetar, e kanë spirancën jo vetëm mjet të rëndësishëm në veprimtarinë e tyre, por edhe një simbol të detarëve që punojnë në to.

Në thellësi të ndryshme ujore pranë Durrësit, peshkatarët gjejnë ende spiranca të përmasave të ndryshme, të periudhave antike e mesjetare, por edhe moderne. 

Ja kuptimi i kësaj fjale në Fjalorin e Gjuhës së shqipe të vitit 2006: Spiránc/ë,-a f. sh. -a(t) det. hekur i rëndë me ganxha që lëshohet në fund të ujit me litar a me zinxhir për të mbajtur anijen në një vend; çengel: spirancë me dy (me katër) veshë; lëshoj (ngre) spirancat. 

Edhe sot spirancat zbukurojnë hyrjen e institucioneve apo bizneseve private në Durrës, si te Kapitaneria e porteve dhe fasada e ish-klubit të Portit, apo disa të tjera që i gjejmë pranë lokaleve të ndryshme në rrugën “Egnatia” dhe në rrugën “Taulantia”, pranë Currilave.