Erjon Beu është nga ata durrsakë që kur dëgjon për arritjet dhe sukseset e tyre jashtë vendit, bën të ndjehet krenar çdo bashkatdhetar. Sportisti durrsak, ose siç e njohin ndryshe të gjithë në Maltë, ku jeton prej 10 vitesh, si EB7, është nderuar së fundmi duke marrë titullin "Qytetar Nderi" nga kryetari i komunës në Maltë, për arritjen e numrit të 100 golave në skuadrën ku ai luan.

28-vjeçari nga Durrësi përjetoi emocione të mëdha këtë të shtunë, teksa mori lëvdatat nga federata malteze, nga klubi i tij, si dhe çmimi më i bukur si "Qytetar Nderi" nga kryetari i komunës, të cilat dëshironte t'i ndante edhe me lexuesit e "DurrësLajm". Beu aktivizohet prej 8 vitesh në skuadrën malteze Lija Athletic, duke arritur edhe numrin e 100 golave të shënuar për të. 

Por kush është Erjon Beu dhe si u aktivizua ai në futboll që në adoleshencë në Durrës…

Skuadra e parë me të cilën Beu u aktivizua në fillimet e tij në Maltë ishte Attard Fc dhe ndeshja e tij e parë zyrtare ishte më 9 janar 2011, kur shënoi një dygolësh që në debutim në moshën 19-vjeçare. Ai shënoi 7 gola në 11 ndeshje, duke u klasifikuar kështu si një talent i ri dhe premtues në futbollin maltez.

Hapat e tij të parë në futboll, Erjoni i ka nisur në atdhe, ku ka nisur të aktivizohet që në moshën 10-vjeçare. Më pas, në moshën 14-vjeçare, Beu nisu studimet pranë shkollës "Mjeshtëria Sportive" në Durrës, ku ai kaloi 4 vite, duke u aktivizuar në skuadrën e të rinjve U17 dhe U19, në rolin e kapitenit të skuadrës. Ai ra në sy të skuadrës së Teutës dhe u bë pjesë e klubit në moshën 18-vjeçare, ku luajti një gjysmë sezoni në skuadrën U19. Përpara se të transferohej në Maltë, Beu luajti pjesën tjetër të sezonit me skuadrën e kategorisë së dytë të kampionatit Shqiptar KF Sukthi.

Pas 4 muajve me skuadrën e Attard, emri i sulmuesit të shpejtë dhe këmbëndriturit filloj të përflitej në ishullin maltez dhe ishte skuadra e Lija Athletic, që nuk hezitoi të nënshkruante në formën e huazimit me lojtarin. Marrëveshja u shty dhe për sezonin 2012-2013. Sezon pas të cilit Beu u bashkua me skuadrën e Balzan FC, në Premier Ligën malteze me të cilët bëri vetëm 7 prezenca për shkak të një dëmtimi që do t'i kushtonte pjesën tjetër të sezonit.

Lija Athletic sërish i ofroi një kontratë afatgjatë në 2014-ën. Është e qartë që ai po e shpaguan besimin që skuadra pati për të, pasi është duke realizuar një performancë të shkëlqyer për ta. Ka fituar shumë tituj, duke përfshirë kampionatin e kategorisë së parë në 2017-n dhe futbollisti më i mirë i huaj i kampionatit. Këtë vit ai ka shënuar 5 gola në 4 ndeshje.

Aktualisht është golashënuesi më i mirë i kampionatit si dhe golashënuesi më i mirë i gjitha kohërave për Lija Athletic me 101 gola.

S.L.