-Kujtime, mbresa të jashtëzakonshme nga 16 nëntori i vitit 1990
-Mirënjohje pa cak për Adrian Shimën, këtë durrsak të mrekullueshëm
-Lapsus i gazetës Sporti Shqiptar me firmën time
-Konkurenca dhe truket profesionale në fillimet e tyre

Nga BUJAR QESJA

Jeta e gjatë profesionale, paçka e trajtuar në kushte lokale siç është vendlindja ime- Durrësi, paçka se jo në pak raste jam ndeshur me paragjykime, duke më trajtuar si gazetar rrethi, profesionalizmi, pasioni për zanatin, sakrificat, përkushtimi dhe zelli i skajshëm, i thyejnë këto barriera primitive. Zanatin kam dashur, dua dhe s’do të lëviz deri në fund, ta trajtoj në Durrësin tim. Dhe kjo më ka mjaftuar. Nderi dhe respekti i durrsakëve, më ka dalur dhe tepruar, paçka se miqësia, shoqëria, respekti profesional dhe njerëzor më ka shoqëruar anekënd Shqipërisë. Jam në momentin më të mirë, për t’u çfaqur në publik me tërë akomulimin tim profesional, me atë çka kam mësuar si të dobishme në këtë jetë jo fort të gjatë, për të qenë jo vetëm koherent, por edhe i gatshëm dhe i freskët, për të mos i hequr duart edhe për shumë kohë nga tastiera e kompjuterit.

Fitoret e Francës dhe arratisja e futbollistëve shqiptarë

Në vitin 1992, në Suedi do të organizoheshin finalet e kampionatit europian. Kishin filluar ndeshjet kualifikuese. Shqipëria ishte me një grup me Francën, Spanjën, Islandën dhe Çekosllavakinë. Për herë të parë në historinë e futbollit shqiptar, shorti na vinte me 17 nëntor 1990, përballë ekipit të fortë francez. Por cila ishte Franca e frikshme e vitit 1990? Po ju informoj për përbërjen, për të kujtuar se çfarë personalitetesh të top këmbës, përfshinte ky ekip me kryeqytet Parisin.
Futbollistët francezë që luanin në përfaqësuesen e vitit 1990 dhe që morën pjesë në kampionatin europian organizuar në Suedi të vitit 1992 ishin:
Portjer: Gilles Roshe, Bruno Martini
Mbrojtës: Basile Boli, Manuel Amoros, Eric di Meco, Frank Soze, Frank Silvestre, Bernard Kasoni, Emmanuel Petit.
Mesfushorë: Bernard Pardo, Laurent Blanc, Didier Deshamps, Marçel Dib, Remi Garde, Luis Fernandez, Xhan Filip Durand, Kristian Perez, Xhaklin Angloma.
Sulmues: Erik Kantona, Paskal Vahirua, Zhan Pjer Papen, Filip Tibef, Fabric Divert, David Xhinola. Traner: Mishel Platini.
Franca e mundi përfaqësuese e Shqipërisë, me 17 nëntor 1990 1-0. Goli është shënuar në minutën e 24-të, nga futbollisti nga Bregu i Fildishtë Basile Boli. Në ndeshjen e kthimit zhvilluar në Francë me 30 mars 1991, përfaqësuesja e jonë humbi 5-0. Ndryshimi i sistemit në Shqipëri, po bëhej me shpejtësi marramendëse dhe here herë në forma brengosëse dhe trishtuese. 
Kombëtarja e drejtuar nga Bejkush Birçe, u katandis në formën më të dhimbshme. Përpara ndeshjes me Francën u arratisën Kaçaçi, Ibro dhe Leskaj, ndërsa pas saj edhe katër të tjerë, Kepa, Gjergji, Suka dhe Rudi Vata. Spanja na mundi në Sevilje 9-0 dhe ndeshja e kthimit, për arsyje sigurie nuk u zhvillua në Qemal Stafa.
Pas kualifikimit në fazën finale, kombëtarja e Platinisë nuk e kaloi grupin, ku u rendit pas Suedisë dhe Danimarkës, duke lënë pas vetëm ekipin e Anglisë. 

Cili ishte i intervistuari im i magjishëm

As më shumë dhe as më pak, ai ishte magjistari i topit Mishel Platini. I lindur me 21 qershor 1955. Luajti me ekipin e Nantës kur ishte 17 vjeç. Më pas u aktivizua me Sent Etien. Në periudhën 1982-1987 u aktivizua me Juventus, ku edhe u largua nga futbolli në moshën 32 vjeçare. Luajti 432 ndeshje dhe shënoi 224 gola. Futbollist i kombëtares franceze 1976 – 1987. 33 vjeçar trajner i përfaqësueses franceze, duke e drejtuar atë në periudhën 1988-1992. Është trajneri më i ri në historinë e kësaj përfaqësuese. Nga 26 janari 2007 deri me 21 dhjetor 2015, president i UEFA-s. Zëvëndësoi në këtë post suedezin Lenart Johanson. Me një fjalë, një personalitet rrace i futbollit jo vetëm francez, por edhe atij europian dhe botëror.

Atëherë çfarë ndodhi më 16 nëntor 1990

Kryeredaktori i së përditshmes më të madhe sportive në vënd, Besnik Dizdari kërkoi që në numrin e të nesërmes, të kishte një intervistë me trajnerin e Francës Mishel Platini. Ishte bërë i ditur, se ekipi përfaqësues i Francës, me të zbritur nga Rinasi do ti drejtohej Durrësit, për t’u akomoduar në hotelin luksoz për kohën Adriatiku, që shtrihej në plazhin e këtij qyteti.
-E dua patjetër këtë intervistë, këmbëngulte Dizdari. Është dinjitoze për gazetën. Platini vjen për herë të parë në Shqipëri. Është një kampion i madh dhe ne nuk duhet ta humbim këtë rast. Edhe për ty, është një shans i mirë si profesionist.
M'u shtua bindja, duke vendosur një bast me veten, për ta realizuar me patjetër këtë intervistë, duke çfrytëzuar një rast dhe një çast të pazakontë. Ishte fat ta shikoja nga afër këtë legjendë të futbollit, e jo më të qëndroje me të dhe ta intervistoje.
Kur shkova tek hotel Adriatiku, gjeta me dhjetra e dhjetra gazetarë, fotoreporterë, kameramanë, të cilët po pritnin përfaqësuesen franceze të akomodohej. Por njoftohemi, se Platini dhe djemtë e tij do të vonoheshin. Nga ora 18.00 e mbrëmjes, pritja po çvendosej në një orar krejtësisht të paditur. Intervista në të tilla kushte rrezikohej. Lidhem me Besnik Dizdarin dhe i shpjegoj rrethanat në të cilat ndodhesha dhe dyndjet dhe padurimin e mediave, për të intervistuar atë, të magjishmin, mitikun, teknikun 35 vjeçar francez Mishel Platinin. Dhe përgjigja e Dizdarit ishte, jo pa guxim dhe pse jo edhe me aventurë brenda:
-Nuk do ta mbyllim gazetën Bujar, derisa të bindemi se intervistën nuk e realizojmë dot. Tregou i vendosur maksimalisht.
Sigurisht kjo më dha shumë kurajo. Në masën e gazetarëve, filloi të ndjehej lodhja dhe padurimi. Koha kalonte dhe Platini me djemtë e tij, nuk po dukeshin. Po bëhej e qartë, që lajmi atë mbrëmje do të mungonte, pasi po mbylleshin edicionet informative. Më kurajozët po qendronin, si duket edhe mjaft redaksi kishin urdhëruar, që ti merrej Platinisë një itntervistë. E cili nuk e dëshironte, të kishte të nesërmen në faqen e parë, një lajm të tillë?! 

Në orën 00:10 minuta intervistova Platininë

Ora u fiksua në 23.05. Dhe kur befas grupi i lojtarëve francezë, nën masa të forta sigurie, iu drejtua sallës së ngrënies së hotelit komod Adriatiku. Pa kaluar as 5 minuta, njoftohet se Platini është tejet i lodhur dhe nuk do të ketë kontakte me shtypin. 
Një oh………., e stërzgjatur shoqëroi në mënyrë të beftë, tërë turmën e mbetur të përfaqësuesve të mediave. Gazetarët u shoqëruan në dalje. Së bashku me ta edhe unë. Pasi kryeqytetasit u larguan dhe unë u binda për këtë, “provinciali” dhe gazetari i “rrethit” Bujar Qesja, përdori shkallën e njohjes me të zotët e shtëpisë, ku edhe unë vetë isha një i tillë. 
Edhe njëherë tjetër, pasi u binda që Besnik Dizdari dhe redaksia po pritnin krejt të qetë intervistën, e sigurova për vendosmërinë time, për ta realizuar këtë. Dizdari ishte sigurisht i kënaqur, që të nesërmen Sporti Shqiptar, do të ishte i vetmi organ që botonte për herë të parë, një intervistë nga gjeniu i futbollit Mishel Platini.
Gjatë gjithë kohës, shoqërohesha si u pa vënë re nga Ilir Ngresi dhe disa të tjerë, që punonin në drejtorinë e turizmit, ku qendra ishte hotel Adriatiku i famshëm. Për ta lehtësuar punën me Platininë, gjykova si më të udhës të merrja një përkthyes të gjuhës franceze.
Si dihet mendova, mbase Platini mund të më nxjerrë problem, që nuk kërkon të komunikoj italisht. Prandaj ta kem një alternativë të gatshme. Lajmëruam me shpejtësi, mikun tonë të shkëlqyer, ku do të flas më pas disa rradhë për të, Adrian Shima. Frëngjishtja e tij ishte perfekte. I shoqëruar nga Ilir Ngresi dhe Adriani, pritëm Platininë sa të dilte nga salla e ngrënies, për ti bërë propozimin fatlum të një interviste me të. 
Dhe plani u realizua saktësisht. “Prita” e jonë, funksionoi më së miri. Frëngjishtja e pastër e Adrianit, e befasoi gjigandin e topkëmbës, i cili pranoi pas prezantimit tonë.
-Vetëm me ju kam punë, foli Platini. Të tjerët mos të qendrojnë.
Por ne e siguruam se në këtë orë, asnjë gazetar nuk kishte mbetur. U ulëm në hollin e hotelit. Tek Platini krahas lodhjes, lexohej një hutim, mbase jo saktësisht edhe pak panik. Ngjarjet në Shqipëri, kishin filluar të percepitonin. Po ndjehej era e ndryshimeve, ndonëse ende në miniaturë. Ky problem, u kalua shkarazi me bashkëbiseduesin. Për rreth 20 minuta, qendrova përballë kolosit të futbollit. Shumë i thjeshtë, me një buzëqeshje që tregonte fisnikëri dhe respekt. Ai u përgjigj atyre pyetjeve që kërkuam. Të dyja palët ishim me ngut. Kishte hyrë dita e re, e 17 nëntorit të vitit 1990. Platini ishte me ethet e ndeshjes, ndërsa ne na priste Besnik Dizdari i pagjumë. Secila palë në linjat e veta.
U përshëndetëm me Platininë, duke i uruar gjithçka të mirë këtij francezi të ëmbël dhe të njohur. Pas një pritje rraskapitëse, por edhe të një lehtësie për realizimin e kësaj interviste të veçantë, punuam edhe për pak minuta derisa materiali iu kalua redaksisë. 
Shpejtësia dhe pagjumësia kishin bërë të vetën. Firma poshtë intervistës ishte shkruar: Qujar Besja. Disa miq të mij edhe sot e kësaj dite, më thonë me shaka: E Qujar Besja! Është ky, një nga sukseset e shumta të këtij gazetari “province”.

Lot dhimbje për Adrian Shimën

Sikundër kjo intervistë me Mishelin e njohur, hyri në historinë time personale dhe të shtypit tonë, ashtu edhe përkthyesi i asaj nate i Platinisë Adrian Shima, mbeti pjesë e kësaj ngjarje të paharruar. E folura e tij frënge, me një elekuencë dhe mjeshtri të rrallë komunikuese, befasoi jo vetëm Platininë, por na rriti krenarinë edhe ne miqve dhe shokëve të tij. Të mos harrojmë: ishte viti 1990.
Adriani, djali i gazetarit të njohur durrsak Haxhi Shima, erdhi dhe më kërkoi para tri vitesh. Rrinte në Itali, por edhe në Francë dhe ishte i okupuar me disa projekte të disa organizmave ndërkombëtare. Kishte mbi dy dekada, që jetonte jashtë vendit. Aftësitë dhe cilësitë e tij, ia kishin bërë vendin dhe reputacioni ishte i siguruar. Që nga ajo mbrëmje magjike, e 16-17 nëntorit 1990, nuk u pamë kurrë më me Adrianin, që më dhëmb shpirti kur e kujtoj. Ai nuk e kishte numurin tim të telefonit dhe prania shumë e shkurtër në Durrës, nuk na e mundësoi takimin e pritshëm. Besuam se kjo gjë, do të bëhej në një ditë tjetër. 
Por kjo ditë nuk erdhi kurrë, derisa takimi me të bëhet i pamundur. Vitin e kaluar, krejt rastësisht mësova, se shoku ynë i shtrenjtë Adrian Shima, nuk jetonte më. Një arrest kardiak i menjëhershëm, e ndau Ardianin tonë nga ne. Por kurrë nuk ka për të m'u shkitur nga kujtesa, ndihmesa e çmuar e asaj nate të artë, kur biseduam shtruar me Mishel Platininë, që na e dha i shkëlqyeri, Adriani ynë i paharruar. 
Më vjen keq, që nga ngarkesat e punëve ato ditë, nuk po mundem të gjej foton, ku së bashku me mua dhe Platininë, ishte edhe Adrian Shima. Fati jo gjithmonë, është në favorin tonë.

Këto kujtime i kam mbajtur brenda vetes, plot 28 vite. E çmova, që sot me 16 nëntor 2018, t'i bëja prezente edhe për publikun e gjërë. Janë angazhime te fuqishme profesionale, por edhe kënaqësi, rezultat, afirmim, vlerë dhe ecuri.

Fotoja historike me Mishel Platininë, me 16 nëntor 1990 në hollin e hotel Adriatikut në Durrës. Në këtë ditë Platini, ishte trajner i ekipit përfaqësues të Francës në futboll.

Bujar Qesja
Mjeshtër i Madh
Durrës më: 16 nëntor 2018