Për vite me radhë ishte ndër protagonistët më spektakolarë të Serisë A, tani Alvaro Recoba nis një aventurë krejt të re, shumë larg nga bota e futbollit. “Chino”, në të vërtetë, do të jetë ndër konkurrentët e radhës të “Celebrity Masterchef Uruguay”.

Programi i famshëm televiziv, që vë pjesëmarrësit në garën e kuzhinës, do të bëjë të mundur praninë në shtëpi të ish-lojtarit të Interit dhe Venecias.

Pasi “vari këpucët në gozhdë” në vitin 2015, në moshën 39-vjeçare, Recoba mori disa vite pushim. Tani erdhi vendimi për t’u bërë protagonist në TV me një rol krejtësisht të ri.

Njoftimi u bë drejtpërdrejt nga vetë programi televiziv. Dikur ai ndezi “San Siron” me të majtën e tij simpatike, tani “Chino” do të duhet të tregojë talentin e tij në kuzhinë me specialitete të vendit të tij dhe më gjerë.