Shqipëria, e përfaqësuar nga një djalë i ri nga Durrësi, ka arritur të rrëmbejë medalje bronxi në Kampionatin Evropian të sportit të Footvolley-t, duke u pozicionuar në vendin e tretë gjatë fazës italiane.

Isli Bejtaga është 20-vjeçari durrsak, i cili së bashku me shokun e tij italian Antonio Minghetti, përfaqësuan Shqipërinë duke u ndeshur me ekipe nga Italia, Zvicra, Spanja, Kroacia etj.

Në Kampionatin Europian të këtij viti morën pjesë 17 çifte konkurrentësh, të cilët dhuruan emocione të shumta dhe njëkohësisht edhe rivalitet, gjatë ndeshjes së luajtur në Cesena, nën organizimin e qendrës sportive “Spiaggia23”. Vitet e shkuara ka pasur pjesëmarrje të gjerë edhe nga Austria, Franca e Hollanda. 

Isli është bërë pjesë e këtij sporti interesant prej gati 6 vitesh, që në moshën 14-vjeçare. Megjithëse është shpërngulur që fëmijë me familjen e tij në shtetin italian, ai gjithnjë ka zgjedhur që të çojë lart emrin e vendit të tij amë. Ne i urojmë suksese të mëtejshme durrsakut tonë!

*Çfarë është Footvolley, një sport jo fort i përqafuar në Shqipëri

Footvolley është një sport që kombinon aspektet e volejbollit të plazhit me ato të një loje futbolli. Footvolley u krijua nga Octavio de Moraes në vitin 1965 në Brazil në plazhin e famshëm Copacabana. Footvolley në thelb është si loja e volejbollit të plazhit, përveçse lojtarët nuk lejohen të përdorin duart e tyre.

S.L.