Familja e Luis Enriques është në zi. Ish-trajneri i Barcelonës dhe Spanjës ka bërë publik lajmin tragjik për ndarjen nga jeta të vajzës së tij 9-vjeçare Ksana. Zbulohet kështu edhe shkaku se përse Luis Enrique dha dorëheqjen nga stoli i Spanjës pak kohë më parë.

Trajneri u largua nga kombëtarja para disa muajsh, për probleme familjare, teksa vajza e tij po luftonte me një sëmundje të rëndë (osteosarkoma – tumor në kockë).

“Vajza jonë ka ndërruar jetë këtë pasdite, në moshën 9-vjeçare, pas 5 muajsh luftë intensive kundër osteosarkomës. Duam të falenderojmë të gjithë për mesazhet që kemi marrë këto muaj dhe i vlerësojmë. Duam të falenderojmë stafin e spitalit “San Joan de Deu and Sant Pau”, për dedikimin e tyre. Do na mungosh shumë, por ne do të kujtojmë çdo ditë të jetës sonë dhe shpresojmë që në të ardhmen të takohemi sërish. Do jesh ylli që drejton familjen tonë. Pusho e qetë Ksanita”, shkruhej në njoftimin e trajnerit spanjoll.

Nga kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez te Barcelona, nga Reali i Madridit te Federata Spanjolle e Futbollit, nga Nadal te Roma janë vetëm disa nga mesazhet solidarizuesë që erdhën në adresë të Enrique për këtë humbje të papritur. “Nuk kam fjalë”, shkruan Sanchez, teksa Sergio Ramos vijon: “Xana do të jetë ylli ynë. Ne bashkohemi me dhimbjen e familjes Martinez Cullell dhe dëshirojmë të ndajmë mirënjohjen tonë për shembullin e tij të paharrueshëm të dashurisë dhe butësisë.”