Nga Gertjana Daçi

Futbollistët e Teutës jemi mësuar t’i shohim gjithmonë në fushë ose i kemi dëgjuar të flasin vetëm rreth sportit dhe shumë pak dimë për anën tjetër të tyre.

Duke qenë se futbolli kërkon impenjim të madh fizik, pak kush e mendon që “Djemtë e Detit” mbajnë agjërim në muajin e shenjtë të Ramazanit..

Një prej tyre është zv.trajneri Bledar Hodo, i cili është praktikant i fesë myslimane dhe nga lindja e deri në perëndim të diellit privohet nga ushqimi dhe uji për orë me radhë ndonëse i duhet të stërvisë një skuadër.

Besimin islam e ka përqafuar edhe Renato Arapi, i cili mban shiritin e kapitenit të Teutës në krah.

Në një intervistë për “DurrësLajm”, djemtë e Teutës tregojnë lidhjen dhe ndikimin e fesë myslimane, vështirësitë e agjërimit kur duhet të stërvitesh apo stërvisësh një skuadër e shumë të tjera.

Ky është viti i katërt për Hodon dhe i treti për Arapin që agjëron gjithë muajin e Ramazanit

Ashtu si për Hodon edhe për Arapin, pozitiviteti që karakterizonte shokët besimtarë të skuadrës i ka shtyrë ata drejt këtij besimi.

Nëse në familjen e zv.trajnerit mbetet vetëm i ati që ende nuk agjeron, në familjen e kapitenit ai është i vetmi dhe ky fakt ishte surprizë edhe për ta.

Për të dy, besimi në islam ka sjellë shumë ndryshim në jetën e tyre. E sigurisht që ky ndryshim është pozitiv.

“Sigurisht. Jo vetëm ndryshim por më ka plotësuar si njeri, si familjar mbi të gjitha. Dhe për gjendjen shpirtërorë që unë ndihem jam shumë Ok.” shprehet Hodo.

Ndërsa për Arapin “ndryshon edhe mënyrën e jetesës dhe besimi në islam ka ndikuar pozitivisht”.

Tashmë temperatura në qytetin bregdetar sa vjen e rritet dhe ekipi i Teutës i është rikthyer fushës.

Por gjatë këtij muaji zv.trajneri Hodo përgatit një program të posaçëm stërvitor për futbollistët që mbajnë Ramazan pasi siç thotë edhe Arapi të bësh aktivitet fizik teksa agjëron nuk është e thjeshtë.

34-vjeçari Hodo prej vitesh fal 5 vaktet e namazit dhe kjo nuk e ka penguar aspak të bëjë jetën që do, madje ai thekson se e ka plotësuar si njeri.

Hapja e xhamive sipas tij është një hap i mirë që njerëzit të ndjejnë më shumë atmosferën e Ramazanit.                         

Në fund të intervistës, djemtë kanë një urim drejtuar jo vetëm besimtarëve myslimanë.

Por, Bledar Hodo dhe Renato Arapi nuk janë të vetmit që agjërojnë në ekipin e Teutës.

Edhe Dejvi Kapllani, Ledio Beqaj, Bledjan Rizvani (trajner i portierëve) mbajnë Ramazan përgjatë gjithë mujit të shenjtë ndërsa Rustem Hoxha, Arbër Çyrbja, Fabjo Beqaj, Albano Aleksi, Lorenc Vila dhe Emiljano Vila pjesërisht, kryesisht 10 ditët e fundit.