Një klub austriak ka ngritur një debat të ashpër në vend pasi i ka ofruar tifozëve kuponë për të hyrë në një shtëpi publike. SV Gossendorf, një skuadër e kategorive të ulëta, e festoi fitoren kundër skuadrës AK Graz me një ofertë të çuditshme.

Ata i premtuan tifozëve mbi 19 vjeç pije dhe kupona për t’u futur në një shtëpi publike lokale që është edhe sponsori i klubit, bar “Inkognito”. Por premtimi, i publikuar në faqen e klubit në Facebook, inatosi shumë tifozë dhe më pas klubi vendosi të ndryshonte qëndrim.

Postimi në rrjetet sociale u fshi, por gjithsesi oferta për kuponat mbetet ende si mundësi, me një zyrtar të klubit që tha për mediat: "Oferta është duke u diskutuar".

Ndërsa Presidenti i klubit, Andreas Waltenstorfer shtoi: "Nuk kemi ofenduar asnjëherë njeri me fushatat tona të marketingut. Fakti që kemi një shtëpi publike si sponsorin tonë kryesor nuk i ka pëlqyer edhe autoriteteve, por mendoj që ka gjëra shumë më të këqija për të shpenzuar paratë se sa mbështetja për një klub në të cilin luanë 150 fëmijë dhe të rinj. Edhe dy vjet më parë bëmë një ofertë të ngjashme kur luajtëm me AK Graz, por atëherë nuk u bë kaq shumë rrëmujë".