Pasojat që solli tërmeti që goditi Shqipërinë mëngjesin e djeshëm, kishte pasoja fatale për shumë familje, teksa të tjera kanë pësuar dëmtime të mëdha materiale, lëndime e goditje psikologjike. Sakaq, paniku i përhapur te banorët e Durrësit, Thumanës e jo vetëm ka qenë shumë i madh dhe frika vazhdon të jetë e pranishme në çdo familje. Atë natë, në Durrës ka qenë edhe mbrojtësi i Teutës, Rustem Hoxha i cili jeton me familjen. Hoxha ka treguar momentet e tërmetit të frikshëm që goditi vendin duke shtuar se ishte e pamundur të futej më në shtëpi pas asaj nate.

“Ishte një natë e tmerrshme! Tërmetet filluan që në mbrëmje në fakt por ishin të lehtë dhe i pari i fortë ka qenë rreth orës 3. E ndjemë sepse na doli gjumi dhe më pas nuk kemi fjetur më. Rreth orës 4, ishte tërmeti i dytë që kishte pasoja të shumta në Durrës dhe ky tërmet ishte realisht shumë i frikshëm. Nuk di çfarë të them, si ta përshkruaj. Për punë 3 sekondash, kam marrë vajzën në krah dhe kam dalë jashtë por ishte shumë e vështirë të ecje. Shihja tokën që lëkundej shumë dhe nga frika se rrëzohem me vajzën në krah, jam ulur në gjunjë. Ishte e pamundur për ne që të hynim më në shtëpi, ishim të trembur dhe paniku ishte shumë i madh. Unë jetoj në shtëpi përdhese dhe nuk kam pasur probleme dhe për këtë, falënderoj Zotin por ishte e pamundur të hyja më në shtëpi nga paniku. Edhe mbrëmë, kemi qëndruar jashtë. Unë së bashku me vajzën e vogël dhe bashkëshorten kemi fjetur në makinë sepse makthi i pësuar një natë më parë, nuk na lejonte të hynim në shtëpi”, tha Hoxha.

Hoxha nuk lë pa falënderuar njëkohësisht Kosovën për ndihmën e pakushtëzuar që ka dhënë si edhe lutjet e tij shkojnë për të lënduarit dhe viktimat e kësaj tragjedie. “Ishte jashtëzakonisht një lajm i tmerrshëm fakti që shumë persona kanë humbur jetën dhe lutjet tona shkojnë vetëm për to. Uroj që të dëmtuarit të rikthehen sa më shpejt në gjendjen e tyre më të mirë dhe të lënë pas këtë moment të tmerrshëm dhe shpresoj të mos përsëritet më.Një falënderim i veçantë shkon për vëllezërit tonë dardanë. Ndihma e tyre e pakushtëzuar nga Kosova, duhet vlerësuar maksimalisht sepse kanë treguar një shpirt human të jashtëzakonshëm”, u shpreh Hoxha.