Prokuroria e Napolit ka nisur hetimet rreth financimit për ndërtimin e statujës në kujtim të Diego Armando Maradonës. Mediat italiane raportojnë sot se organi i akuzës i ka kërkuar Bashkisë së Napolit të paraqesë dokumentet rreth proçesit të shpalljes së fituesve të garës për ndërtimin e monumentit në nder të “Djalit të Artë”.

Dyshohet se titullarët e Bashkisë së Napolit kanë përkrahur disa ultras të Napolit, të cilët dyshohen se kanë lidhje me organizatën mafioze “Kamorra”.

Sipas indicieve të para, duke ditur faktin se ekstremistë të djathtë napolitanë dhe pjesëtarë të organizatës mafioze “Kamorra” kanë lidhje me ultrasit e Napolit, vendimi që disa përkrahës fanatikë të klubit bardhekaltër fituan garën për të mundësuar financimin për statujën e Diegos, ka ngjallur dyshime të mëdha te Prokuroria e Napolit. Në ditët e ardhshme, pritet të thirren në pyetje këshilltarët bashkiakë të Napolit, Eleonora De Majo dhe Çiro Borrielo.