Lorin Gudman, modelja e njohur britanike, që një javë më parë lëshoi bombën duke thënë se ishte shtatzënë me një yll të Premier Ligës, e ka identifikuar futbollistin në fjalë.

Ai është mbrojtësi i Mançester Sitit dhe Anglisë, Kajl Uoker, i cili do të bëhet baba për herë të katërt së shpejti. Por problemi është se Uoker është me frekuentuar 29-vjeçaren verën e shkuar, kur ai ishte ende i martuar me Eni Kilner.

“Dua ta bëj njëherë e mirë të qartë, sepse po mbytem me mesazhe që më pyesin se kush është babai. Jam stresuar shumë gjatë tremujorit të tretë të shtatzënisë sime dhe kanë nisur spekulime të cilave unë dua t’u jap fund. Kajl Uoker dhe unë po presim një fëmijë në prill, i cili është ngjizur gjatë periudhës kur ne ishim të ndarë nga ish-partnerët tanë. Kjo do jetë hera e parë dhe e fundit që unë do të komentoj në lidhje me këtë çështje”, tha Gudman për “The Sun”.

Por Uoker jetonte ende me ish-bashkëshorten e tij Eni Kilner verën e shkuar, pavarësisht se marrëdhënia e tyre ishte në krizë. Shkaku i krizës së atëhershme ishte pasi modelja Laura Braun zbuloi për “The Sun” se ajo kishte qenë në shtrat me mbrojtësin e djathtë të “Tre Luanëve”.

Prillin e shkuar, Laura i dërgoi një mesazh gruas së futbollistit për t’i thënë se ajo dhe ai kishin fjetur së bashku disa herë pasi ishin takuar në një klub nate në Mançester në shtatorin e 2018-ës.

Në atë kohë ai u largua nga shtëpia për të jetuar në një apartament me qira dhe pas pajtimit u rikthye në vilën 3.5 milionë paundëshe ku jetonte Eni së bashku me tre fëmijët e tyre. Por pasi ai pranoi se do të bëhet sërish baba me Lorin, Uoker u zhvendos sërish në një apartament në qendër të Mançesterit dhe prej atëherë ata nuk janë më bashkë.