Një histori e tmerrshme ka bërë xhiron e internetit së fundmi! Bëhet fjalë për ish-futbollistin e njohur të Turqisë, Emre Ashik, i cili ka rrezikuar të vritet për çështje parash. Mediat turke kanë publikuar së fundmi planin djallëzor të gruas së tij për ta hequr qafe.

Ish-futbollisti i Gallatasarit, Fenerbahçes dhe Beshiktashit u martua me bashkëshorten e tij Jagur Ashik në 2012-n, me të cilën nuk janë të divorcuar e kanë tre fëmijë. E megjithatë, gruaja e ish-futbollistit, me mbi 30 prezenca me kombëtaren turke mes viteve 1993 e 2010, akuzohet se ka tentuar ta vrasë të shoqin.

Gruaja është vënë në kontakt me një vrasës me pagesë, të cilit i ka ofruar 10 milionë lira turke (pak më shumë se 1 milion euro) për të vrarë ish-mbrojtësin e për ta varrosur në një vend të sigurt.

Në fund, plani dështoi, sepse vetë vrasësi ka vendosur t’i tregojë ish-futbollistit. Para se t’i drejtohej vrasësit me pagesë, gruaja e Emre i ka kërkuar dashnorit të saj, edhe ai i arrestuar, të vrasë të shoqin. Ai ka treguar disa detaje më shumë mbi atë që ndodhi:

“Kam një lidhje me Jagmur e ajo mendonte vetëm të trashëgonte paratë që do të merrte pas vdekjes së Emre Ashik. Më kërkoi ta vrisja, por unë i thashë jo. Një herë më solli një copë mish, donte ta helmoja. Provova ta bëja, por mbylla sytë e ajo më tha: ‘nuk je në gjendje ta bësh’”. Aty erdhi vendimi për t’iu drejtuar një profesionisti, të cilit gruaja, sipas akuzës, i ka siguruar armën e me të cilin ka kontrolluar zonën rreth qytetit të Duzce për të gjetur vendin për ta varrosur kufomën. Por për fatin e Emre Ashik, vrasësi me pagesë ka patur ndërgjegje dhe tani ai gëzon shëndet të plot.