Dje ishte një ditë e vështirë për të gjithë qytetarët e Durrësit dhe Tiranës, por bluzat e bardha ishin ato që u treguan ndër më të fortët. Ata iu kanë ardhur në ndihmë grave shtatzëna, ku në maternitetin “Koço Gliozheni” raportohen se kanë lindur 15 fëmijë.

Përmes një postimi në Facebook, mjekja Anika Dokle tregon situatën në spitalin në fjalë dhe se si stafi i tij është ende në gatishmëri për lindje të reja.

“Ne jemi tërmeti i tretë… Inkurajojmë nënat e reja në një ditë të vështirë si kjo e sotmja”, shkruan mjekja Anika Dokle në postimin e saj, teksa publikon edhe një video ku shfaqet duke kërcyer me kolegët e saj për të kaluar panikun e krijuar.

“Punë dhe mision.

Pritëm 15 bebusha si drita e yllit gjatë një dite ku përmasa njerëzore u ngrit në tjetër nivel.
I gjithë personeli mjekësor dhe infermieristik në këmbë në mbrojte të jetës, pa lëvizur asnjë minutë nga gratë, nënat dhe bebet.

Krenari dhe mirënjohje!”, shkruan në një status tjetër mjekja, teksa ka marrë me qindra pëlqime.