Një volejbolliste thotë se ka pasur lidhje sekrete me futbollistin e ndjerë Emiliano Sala, i cili humbi jetën në një aksident ajror. Luiza Ungerer 31 vjeç nga Brazili ka zbuluar se ajo komunikonte me 28-vjeçarin pak orë përpara se avioni ku udhëtonte futbollisti, të rrëzohej në det.

Ajo pretendon se ishte takuar me Sala një javë përpara aksidentit tragjik, kur futbollisti kishte ditëlindjen. Luiza thotë se të dy e mbanin lidhje të fshehtë dhe ishin njohur në Francë kur luanin aty me ekipet përkatëse.

“Do të të dua përgjithmonë”, ka shkruar në internet 31-vjeçarja pasi lexoi në lajme se trupi i gjetur në fund të detit i përket futbollistit Emiliano Sala. Luiza ka treguar se me Emiliano Sala nisi të fliste në rrjetet sociale në Shtator 2017. Futbollisti i kishte shprehur 31-vjeçares se ëndrra e tij ishte të luante në “Premier League”, në kampionatin anglez. Ajo thotë se 28-vjeçari ishte një person i thjeshtë dhe me zemër të mirë.

Trupi i Emiliano Sala u identifikua përmes shenjave të gishtave. Ekspertiza provoi se futbollisti kishte humbur jetën nga dëmtimet e rënda që kishte pësuar në kraharor dhe në kokë nga përplasja e aeroplanit në det. Ndërkohë, trupi i pilotit të avionit nuk është gjetur ende. Aeroplani i vogël tip Piper Malibu u rrëzua në det pranë brigjeve franceze më 21 Janar gjatë udhëtimit ngs Franca në Uells.