Një 59-vjeçar në Zvicër është dënuar me gjobë pasi në mënyrë të paligjshme, largoi folenë e sorrave nga një pemë pa u konsultuar me zyrën përkatëse në komunën e Bernës.

Gjykata rajonale e Bern-Mittelland, e ka dënuar pasi në muajin mars të vitit të kaluar, në mënyrë të paligjshme e ka hequr nga pema folenë e sorrave. Pas dëgjimit të vendimit, i gjobituri ka deklaruar se rastin do ta dërgojë në Gjykatën e Lartë: “Kjo është një qind për qind e sigurt”, përcjell albinfo.ch.

Paraprakisht, gjykatësja Andrea Gysi personin e kishte dënuar me një gjobë të kushtëzuar prej 20 normave ditore me nga 100 franga. Ajo kishte ardhur në përfundim se personi e kishte hequr folenë pa kontaktuar zyrën përkatëse komunale.

Sikurse i akuzuari, po ashtu edhe dëshmitari kanë thënë se atë ditë, në fole nuk ka pasur sorra apo vezë dhe se i pandehuri e kishte hequr folenë e zbrazët nga viti i kaluar, përcjell albinfo.ch. Foletë e reja që kanë qenë në ndërtim e sipër, ai nuk i ka prekur. Pra, nuk mund të bëhet fjalë se ai i ka penguar në ndonjë mënyrë sorrat.