Edhe Lori Hoxha ka rrëfyer betejën e saj me sulmet e panikut dhe ankthit. Pas motrës së saj, Sarës e cila foli hapur për depresionin para lindjes, Lori ka treguar rrugën e vështirë të kësaj gjendjeje mendore, e cila të paralizon përditshmërinë dhe të bën të mendosh gjërat më të këqija.

Nëpërmjet “Ask Me” në Instagram, ajo ka vendosur që t’u përgjigjet të gjitha pyetjeve lidhur me periudhën më të errët të jetës së saj, atë kur çdo ditë kalonte kriza ankthi dhe paniku. Lori rrëfen se gjithçka nisi në vitin 2012, kur ajo ishte në një sallon bukurie dhe papritur iu duk se po pësonte një sulm në zemër.

“Në vitin 2012 isha tek parukierja dhe mendova se po pësoja një sulm në zemër dhe shkova menjëherë në spital. Akush nuk më tha që kisha thjesht një sulm paniku, por pas shumë muajsh vizitash për 8 muaj të mirë, ku mezi dilja nga shtëpia, lashë shkollën, besoja se kisha ndonjë sëmundje të rrallë të cilën mjekët nuk po e gjenin dot. Derisa një ditë duke kërkuar në Google për disa nga simptomat e mia, gjeta forume për ankthin dhe panikun dhe pashë veten time. Pas asaj të paktën e di çfarë kam dhe kam pasur periudha të herëpashershme kur ankthi ikën e vjen”, shkruan Lori.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të ndjekësve të saj, Lori tregoi se përveç gjendjes së shkatërruar emocionale, ajo kishte edhe dhimbje të vërteta fizike. Madje simpomat që i shfaqeshin çdo ditë, e kishin bërë të mendonte se vuante nga kanceri apo tumori në tru.

“Po çmendesha. Më dukej e pabesueshme se si ankthi mund të më shkaktonte dhimbje të tilla. Sa herë që më shfaqej një simptomë e re, mendoja se çështja ime ishte më serioze se kaq. Kisha probleme me frymëmarrjen, dridhje, shikim të turbull, dhimbje koke, marrje mendsh, kisha shumë ftohtë ose tepër vapë, dhe 100 simptoma të tjera, të cilat arritën në një pikë që më bënë të mendoja se isha me sklerozë, kancer apo tumor në tru”, rrëfen më tej ajo.

Më tej Lori ka treguar se ajo nuk ka marrë mjekime, pasi ka dashur ta menaxhojë vetë gjithë situatën edhe pse ka mbajtur me vete ilaçe për çdo krizë të mundshme. Ajo thotë se vera e vjetshme dhe ajo e vitit 2012 kanë qenë më të këqijat, ndërsa iu bëri thirrje të gjithë personave që po kalojnë të njëjtën gjë, të komunikojnë me personat e dashur, pasi kjo gjë do t’i ndihmojë shumë. Por ka pasur edhe nga ata komentues që i kanë thënë se jeta e saj duket perfekte, duke u habitur si mundet ajo të ketë probleme të tilla.

Lori thotë se fotot që mund të postojë nuk tregojnë asgjë në lidhje me atë që po kalon.

“Ankthi nuk zgjedh. Askush s’ka jetë perfekte”, thotë Lori teksa sugjeron që në raste të ankthit njerëzit të fokusohen tek gjërat e mira, të shohin një film, një serial si Friends, të shkojnë në palestër, të meditojnë apo të shkarkojnë aplikacione të ndryshme vetë-motivuese.