Ai është ndër aktorët më të njohur shqiptar dhe humorin e ka të lindur. Prej shumë vitesh Xhevahir Zeneli është pranë publikut shqiptar përmes roleve të tij. Sot ai ishte i ftuar në emisionin “Xing me Ermalin” në Tv Klan nga ku i bëri të gjithë të qeshin me historitë që tregoi.

Një ndër ta ishte edhe historia e ndërrimit të emrit. Aktori tha se për shumë vite ka mbajtur emrin e gjyshit të tij pasi ky kishte qenë amaneti i tij, por gjyshi ishte bërë mirë dhe kishte jetuar edhe 17 vite të tjera. Ndaj edhe aktori ishte detyruar të ndryshonte emrin nga Xhemal në Xhevahir.

Ermal Mamaqi: Ta fillojmë nga emri, ti nga Xhemal e ke bërë emrin Xhevahir, a është e vërtetë?

Xhevahir Zeneli: Po.

Ermal Mamaqi: Nuk është ndonjë ndryshim kushedi se çfarë…

Xhevahir Zeneli: Jo, por duhej të ishte baza shkronja Xh.

Ermal Mamaqi: Sa vite e ke patur emrin Xhemal?

Xhevahir Zeneli: Deri në vitin e parë gjimnaz. Historia është kjo: Gjyshi im la amanet që kur të vdiste, babai im të bënte një djalë që t’i vinte emrin e tij që të ngjallej, se kështu ka qenë nga anët tona. Babai s’mund t’ia prishte, ishte amaneti i fundit. Mirëpo fëmija i katërt lindi vajzë dhe ia vunë emrin Shpresa, me shpresë që do të dilte një djalë. Dhe dola unë i pesti, Xhemali. U gëzuan të tërë, u bë dhe darka, por nuk u gëzua gjyshi. Gjyshi nuk kishte vdekur akoma… Gjyshi u bë mirë dhe jetoi edhe 17 vite të tjera, vdiq 103 vjeç. Mirëpo dy Xhemalë s’mund të rrinim në një derë. Atëherë nuk ishte shtrenjtë, paguaje 500 lekë dhe e ndërroje emrin dhe unë e bëra Xhevahir.

Ermal Mamaqi: Po tani nga Xhevahir e ke bërë Xhefri…

Xhevahir Zeneli: Ika në Amerikë dhe atje më keq akoma. Nuk ma shqiptonin dot dhe ma vunë Xhefri.